Nga Gëzim Saliu
Sot nisi zyrtarisht aplikimi i tarifave të pagesës në euro për kalimin këndej e andej kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, dy shtete vëllazërore që tashmë “vllazninë” mes tyre e kanë vetëm si shënim në letër pasi me veprime konkrete të ndërmarra nga qeveritarët, dy vendet duken gjithnjë e më larg njëri-tjetrit. Që nga sot Rruga e Kombit ( që me tarifat e reja nuk ka më as kuptim të quhet e tillë) do të jetë e kalueshme vetëm përmes pagesës, ku përkatësisht për motorcilketat do jetë 2.5 euro, për autoveturat do jetë 5 euro, për autobuzat 11.3 euro e për mjetet me tonazh të rëndë 16 e 22 euro. Të gjitha këto tarifa do jenë të aplikueshme vetëm për një kalim, pra vajtje-ardhje do jetë dyfishi për secilin nga tarifat e mësipërme. Ndërsa për qytetarët e Kukësit tarifa do jetë 100 lekë të reja, tarifë kjo e zbutur nga qeveria pas zbythjes që pësoi binomi Rama-Kastrati në revoltën e 31 marsit.
E ndërsa sot sic ishte paralajmëruar pritej një tjetër revoltë, ose më e pakta një protestë dinjitoze, krejt e kundërta ndodhi. Protesta u zvenit në një mini tubim, ku pjesëmarrësit e pakët ishin përfaqësues të shoqërisë civile si edhe disa të rinj të forumeve rinore të partive opozitare. Po ku ishin sot kuksianët? Ku ishin sot përfaqësuesit e opozitës? Ku ishte sot shoqëria civile? Kush e shkrehu revoltën?
“Fitorja e traut”
Pa më të voglin dyshim mund të thuhet se kuksianët, atë që kishin për ta bërë e bënë që në 31 mars. Pa ndihmë politike, ata u ngritën dhe u revoltuan ndaj pushtetit e madje e detyruan këtë të fundit të tërhiqej turpshëm nga politika antiqytetare. Kujtojmë se kryeministri Rama nuk është nga ata që tërhiqet lehtë e në shumë raste ka këmbëngulur deri në kufijtë e absurdit tek qëndrimi i tij, mjafton këtu të thërrasim në vëmendje aksionin për energjinë elektrike që shkoi deri në vetëvrasje të qytetarëve.
Tërheqja me kuksianët ishte zmbrapsja e dytë e kryeministrit pas protestës mabrëpopullore të armëve kimike. E ndërsa me të parën, u tërhoq se përballë kishte qindra mijër qytetarë kundër, madje shumë edhe nga lloji tij politik, në të dytën u tërhoq vetëm përballë 300 kuksianëve apo spartanëve. E pikërisht kjo betejë e fituar me gjak nga kuksianët, ku disa prej tyre provuan edhe burgun, solli edhe fitoren e dytë popullore ndaj qeverisë më arrogante të këtij 20-vjeçari. Rama dhe koncensionari pranë tij u detyruan të tërhiqen e të pranonin publikisht se kishin gabuar me tarifat për qytetarët kuksianë dhe në fund vendosën për një pagesë 100 lekë të reja. Kjo padyshim mund të quhet një fitore e madhe e kuksianëve e ndoshta sot ata nuk kishin më pse dilnin e protestonin, pasi një betejë e kishin fituar. Por shumëkush mund të pohojë se edhe kjo tarifë është e tepërt për kuksianët e se ata duhej të ishin të pranishëm në masë në betejën e rradhës sot. Por sic edhe u mësua, nuk ishin të pakta arsyet e mos daljes së kuksianëve sot në “betejën e traut”. Forcat e shumta të policisë të vendosura që prej dy ditësh në Kukës padyshim krijuan një klimë agresive që krijoi tension e frikë tek qytetarët e zonës. E megjithatë , cilado qofshin arsyetimet, kuksianët e kryen të tyren që 5 muaj më parë dhe i mësuan pjesës tjetër të shqiptarëve se kur ngre kryet e lufton për të drejtën, gjithnjë fiton.
Sot më shumë se kurrë ishte dita e popullit opozitar. Sot në “traun e turpit” duhej të dyndeshin me mijëra qytetarë për të shprehur indinjatën e tyre për një tarifë pagese që e rëndon edhe më shumë urën lidhëse mes Shqipërisë e Kosovës; për një tarifë që i rëndon edhe më shumë xhepat e qytetarëve andej e këndej kufirit; një tarifë që i merr të dobëtit për t’ja dhënë të fortit, oligarkut, mikut qeveritar. Ndoshta arsyeja e kësaj “mungese popullore” ka të bëjë me faktin se gjithnjë e më shumë shqiptari po e gjen veten nën thundrën e një pushteti që presionin, blen e shtyp cdo shpirt revolte ndaj padrejtësive.
Sot mungoi gjithashtu bindshëm mbështetja e opozitës, e cila muaj më parë kauzën e kuksianëve e vendosi parësore në betejën me mazhorancën qeverisëse. Po sot pse e “harruan”?! Pse sot u mjaftuan vetëm me një grup të rinjsh opozitarë e një deputet përfaqësues? Pse kreu i PD-së nuk dha as edhe një deklaratë për “trahun e turpit” që sot nisi aktivitetin? Ku shkoi fryma opozitare në mbështetje të revoltës qytetare? A nuk duhet të jetë opozita iniciatorja e aksioneve kundër qeverisë?
Mjaftonte që opozita të kishte angazhuar qindra të rinj nga forumet rinore dhe sot të paktën do kishim një protestë dinjitoze. Jo dhunë, por protestë që së pari t’i tregonte qeverisë se zhvatja e qytetarëve përmes koncensioneve do jetë gjithnjë e kundërshtuar dhe e luftuar fort nga opozita dhe së dyti t’i vërtetonte qytetarëve se do jetë gjithnjë në krah të tyre, pavarësisht nëse ata do jenë 10, 100 apo mijëra të prekur nga “reformat” qeveritare. Kjo nuk ndodhi e shumëkush ngre pikëpyetje për këtë qëndrim të opozitës. E në fakt është pikërisht mungesa e besimit dhe pikëpyetjet mbi aksionin e saj, që e dëmtojnë jo pak opozitën në këto kohë. Kur ka premtuar nisjen e një vale protestash e formash të ndryshme kundërshtish ndaj qeverisë e madje ka theksuar se zgjedhje me Ramën kryeministër nuk do ketë, ajo që nevojitet më së paku në këtë betejë, është besimi i qytetarëve. Humbja e tij do ishte fatale për opozitën. Sot e humbi!
*Autori eshte kryeredaktor i gazetes “standard”