Standard.al

Mehmeti: Nuk dua tekste me qera, kam të drejtën të shkollohem falas dhe me cilësi

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Kjo historia e dhënies së librave falas të kujton Reformën Agrare të vitit 1945, që pasi ju shpërndau tapitë fshatarëve zhvleftësoi vetëm 1 dekadë më vonë, duke ja marr atë që ju kishte dhënë me tapi por që në fakt ishte në përdorim. I futi të gjithë në kooperativë dhe dihet sesi i shkoj fundi kësaj reforme të madhe dhe të “panjohur” ndonjëherë në Shqipëri dhe më gjerë. Në pikëpamje politike, edhe nisma, reforma, risia, quajeni si të dëshironi e qeverise për dhënien e teksteve falas në përdorim (një gjetje alla shqiptare që nuk e gjen kurrkund), ngjan fiks si reforma agrare. Të jap librat, por ruaji mirë ose vendosi në kuti xhami që të mos prishen dhe mi kthen vitin tjetër. Nëse jo paguaji që të gjitha. Kjo nismë ngjan kaq shumë me reformën agrare edhe për nga mënyra e paraqitjes mediatike. Televizionet vrapojnë gjithkund: Ndroq, “Ali Dem”, Mirditë. Vlorë, me lajmin e madh se vetë Madhëria e tij (Kryeministri) dhe sejmenët (të cilët për hir të rendit kushtetues demokratik i quajmë ministra), po shpërndajnë falas librat shkollorë.

Përse e gjithë kjo marrëzi pas një “nisme” të qeverisë?

Thjesht për të mbuluar dështimin pas dështimi që ka pësuar arsimi. Për shembull media e di, e njeh, e ka parë e dëgjuar se me dhjetëra shkolla, nga veriu në jug po mbyllen. Por askush nuk është marrë fare, as edhe me një kronikë disa sekondash, pse po ndodh ky fenomen? Shkollat e rrënuara, me myk, lagështirë, pa dritare, pa dyer, pa tualet, janë në të gjitha faqet e portaleve dhe në ekrane. Po për ata fëmijë që do të shkojnë atje të mësojnë të hënën në datë 15 shtator, nuk ka problem infrastruktura, të rëndësishme janë librat falas. Shkollat nuk kanë kabinete e laborator shkencor, nuk kanë kompjutera, nuk kanë mjete didaktike, nuk kanë ndriçim, janë me turne, 40 veta në klasë të parë në mes të Tiranës, por edhe kjo nuk ka rëndësi, librat falas ngrenë më shumë peshë se gjithçka,. Kryeministri mburret vetë, se librat falas janë gjithçka. A ju mbahet mend sesi tha: “Edhe për ju mësuesit mendoj, nuk është se nuk ju kam harruar. Vërtet (nuk) e kam ngritur rrogën në të tërrë këto vite, por do ta rregullojmë sa të marrim ca pare andej-këtej”. Ra kryeministri bëri betimin e bixhozxhiut borxhli, që sapo t’i binin në një dorë paresh, do të shlyente borxhliun më të parë. Se nga do të vijojnë këto lekë, vetëm kryeministri e di. Për tekstet falas tani ka një garë kush do të dali më shumë: Nikolla, apo Veliaj, Manastirliu apo Bushati, Klosi apo Ahmetaj. Të gjithë këta sejmenë ministra, pasi i kanë vënë punët në terezi në sektorët e tyre, u ka mbetur vetëm një punë: T’i japin një dorë arsimit që të përparoj. Manastirliu i ka mbyll hesapet me shëndetësinë “falas” dhe tani po e aplikon edhe në arsim. Bushati e mbylli marrëveshjen duke falur fqinjit, det e tokë, duke harruar se nuk është në pronë të tij, e në fund është i gatshëm të hyjë në negociata edhe për kufijtë e Kosovës. Klosi pasi i dha “një impuls të paparë” në mandatin e parë qeverisës, arsimit profesional dhe tani turizmit, po mundohet që fusë më shumë dije në vatrat shqiptare me librat falas. Beni po e ka në terezi. Ekonomia “po rritet, papunësia ulet”, por lek për librat falas nuk. Mendimi i tij është se duhen dhënë me qera, në përdorim, si të doni mendojeni dhe përdoreni emërtimin e kësaj nisme gjeniale.

Nxënësi në Shqipëri ka më shumë nevojë për libra përdorim apo shkollim falas, dinjitoz dhe cilësor?

Tradita jonë dhe ajo evropiane dhe më gjerë na mëson se nxënësit i ofrohet një paketë e plotë e arsimit falas dhe dinjitet. Nxënësve u jepen libra falas në Evropën ku duam të shkojmë, para në dorë për të mbuluar nevojat për blerjen e çantave, mjeteve didaktike dhe gjithçka të nevojshme për një arsimim cilësor dhe të barabartë për të gjithë. Në Evropë nxënësve nuk u kërkohet abonoja e studentëve dhe lekët për biletë, por karta ku shikohet se janë nxënës dhe kujt shkolle, cikli dhe distrikti i përkasin. Nxënësve nuk u kërkohet lek në Evropë, për të paguar rojën e shkollës, ngrohjen e klasave, xhamat, t’i jap ryshfet mësuesit, që në gjuhën moderne këtu tek ne, quhen kurse private për të marrë notën që meriton. Në Evropë fëmijët ushqehen falas në mjediset e shkollës, në Shqipëri vrapojnë në byrektore, fast-food-e pak më herët se të bie zilja e pushimit për të zënë radhën që të mbushin barkun. Në mjediset e shkollës mungojnë mjediset argëtuese së paku për fizikun e nxënësve dhe në shërbim të një jete më të shëndetshme, për këtë kategori të rinjsh. Në shkolla gjen pak kompjuter që në shumicën e tyre janë jashtë përdorimit. Tabletat? Dolën si nisma e librave falas në përdorim, bënë nja tre xhiro në televizor dhe u zhdukën nga faqja e dheut, si projekt dhe element për mësimin digjital. Në Evropë, nxënësit kanë shumë e shumë aktivitete, por edhe tek, në atdheun tonë të dashur kanë një seri aktivitetesh të larmishme. Lloto sport, kazino, FB, Instagram, Instastory, Love Story dhe testim të prodhimit të marijuanës, në varësi të qytetit ku jetojnë. Ne jemi kaq të ngjashëm me Evropën edhe sa i takon qasjes që kemi për nxënësit me nevoja të veçanta. U vetëm një mësues që nuk ja ka haberin për këtë kategori nxënësi dhe ky i fundit kujdeset që t’i bëjë xhiro-tondo në shkollë dhe në oborr dhe ti thotë prindit: “gjej një institucion dhe çoje. Kot e meriton në shkollë, nuk është për atë punë”. Ne kujdesemi për arsimimin cilësor të fëmijëve, duke vendosur në kat të parë të shkollës pelën, pulat dhe në mungesë të tyre frutat dhe perimet e stinës, për tu tharë e për t’u bërë gati për drekë. Në këtë mënyrë kombinojmë teorinë me praktikën. Ne japim falas për nxënësit edukimin se “druri ka dal nga xheneti” dhe se “ai që të rreh të don shumë”. Sa i takon paraqitjes së jashtme të nxënësve, shkolla jonë ka rekord në krahasim me të gjitha shkollat e Evropës. Të gjitha markat, fallco apo origjinale, veshjet më të fundit në pasarela, transparencën e tyre e gjen pikërisht prej mëngjesit e deri kur mbyllet shkolla. Xhinse, pantallona lëkure, shapka me xhufkë, intimo me ngjyra të çelëta dhe të errëta, që duken fare qartë nën bluat dhe pantallonat e shtrënguara fort pas trupit, zinxhirë, orë, vathë, pirse, tatuazhe, të kuq, ton, xhel, me shumicë dhe të gjitha llojeve që ekzistojnë në sininë tonë. Këtu ne Evropën, Amerikën, Azinë dhe Afrikën e lemë mbrapa. Kështu që sa i takon procesit cilësor mësimdhënës dhe mësim nxënës, mund të themi me plot gojën se kemi dështuar në atë që quhet detyrimi kushtetues për arsimimin. Neni 57 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “Kushdo ka të drejtën për arsimim. 2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj. 3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë. 4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie. 5. Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.”

Pra le ta ndajmë mendjen: Duam më shumë tekstet me qera, apo shkollimin falas dhe me cilësi për çdo fëmijë, si një detyrim kushtetues dhe jo tekë, risi, reformë, apo ndonjë epitet-xhevahir që i vendos kryeministri jon?

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.