Fati i Shqipërisë në duart e politikanëve maskarenj që…

2
713

Ata mund të kishin zgjedhur pasuritë e ofruara, ofiqet joshëse, pronat e pushtetin e pafundëm, por ndryshe nga të sotmit, zgjodhën një rrugë tjetër, rrugën që i jepte shpirt një shteti të lirë shqiptar.

Për këtë mision që ata e konsideronin të shenjtë shkrinë çfarë kishin, pasuri, karriera, u vranë, u masakruan, u dogjën shtëpitë, u therën familjet, e ata sërish nuk u ndalën.

Janë të pafund ata patriotë, rilindës, luftëtarë qoftë edhe fare të thjeshtë që dhanë frymën për këtë komb, që dhanë sekush ç’të mundte e që sot shpesh nuk u përmendet as emri.

Sa ujëra kanë rrjedhur që atëherë…

Ku do të ishim sot nëse Gjergj Kastrioti i madh do të mbante postin e lartë që gëzonte në Perandorinë Osmane pa e kthyer kokën pas nga Arbëria e tij, e po kështu Ismail Qemali, Frashërllinjtë, Pashko Vasa apo Hasan Prishtina?

Çfarë do të kish ndodhur nëse Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Papa Llambro Ballamaçi, At Stath Melani e të tjerë nuk do t’u mësonin shqipen deri në flijim fëmijëve të vegjël.

Sa të ndryshme do të ishin gjërat nëse Dom Nikollë Kaçorri, Fishta, Noli, Gurakuqi, Jani Vreto, Bajram Curri, Mehmet Pashë Dërralla, Ndre Mjeda , Qiriazët, Çerciz e Bajo Topulli, Murat e Abdi Toptani, e shumë të tjerë do të kishin zgjedhur të ndiqnin interesat e tyre?

E pra të gjithë patën oferta, të gjithë u tentua të bliheshin, por asnjë prej tyre nuk pranoi. Sigurisht ka patur edhe tradhtarë, por a mund të krahasohet numri i tyre me të sotmit ?!

A mund të themi që po i nderojmë vërtetë këta burra? Kurrsesi jo! Sepse nuk mjaftojnë radhët për t’i respektuar, as fotografitë e hedhura, e vargjet që me kaq shumë dëshirë i theksojnë politikanët e sotëm.

Ato janë shumë pak në krahasim më historinë e tyre, me gjëmën që në fakt po ndodh jashtë dritares së gjithsecilit prej nesh.

Në Libohovë, shtëpia e Avni Rustemit është kthyer në rrënojë, e po kështu në Salari ajo e Selam Musait, Luigjit ia zhdukën fare në Shkodër, ndërsa Fishtës i dergjet si një objekt pa vlerë në fshatin me të njëjtin emër.

Papa Kriston e kemi harruar në Greqi pa vendprehje, Prek Calit ia shkatërruam fare shtëpinë, Migjenit i hoqëm edhe pllakatën në vendin ku banonte dikur, ndërsa Shote Galicën e kemi lënë mënjanë në një kryqëzim të pluhurosur në Fushë Krujë…

Pashko Vasa dergjet mes plehrave jo larg Shkodrës, Petro Dhimitrin apo njeriun që la pas fotografitë e Pavarësisë, thuajse nuk e njohim, shtëpia e Spiridon Ilos po humb në Korçë e po kështu e Dhimtër Zografit….

E sa e sa të tjerëve që kanë humbur pa nam e nishan, e që ne nuk u dhamë as një përkujtim të denjë, e jo më diçka më shumë.

E gjithë kjo nuk është e rastësishme, nuk mundet të jetë. Politika e sotme kërkon të përdorë sa herë ka interes historinë e tyre, por jo modelin që ata në fakt përfaqësojnë.

Modeli i tyre është vetëm ai i interesit kundrejt vendit, krijimit dhe zhvillimit të tij, ruajtjes së identitetit, përparimit, emancipimit dhe zhvillimit ekonomik e social, për këtë të gjithë ata dhanë jetën pa ditur çdo të vinte më pas.

Politika e sotme në masë tallet e ngërdheshet me ideale të tilla, të cilat konsiderohen të vjetruara, patetike, të dala boje, për të mos thënë qesharake.

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët? Qoftë edhe një pjesëz të vogël nga ato dengje të pafundme që disa kanë mbledhur…

Sigurisht që jo sepse politika është kthyer për shumicën në mjet përfitimi që s’ka asnjë lidhje me dëshirën e vërtetë për të zhvilluar vendin e për ti dhënë frymëmarrje të gjithë pasurive që ai ka.

Kjo është e vërteta që këlthet e që çdokush prej nesh e ka provuar mbi shpinën e tij.

Ndaj nuk ka interes të përkujtohen siç duhet këta burra, këta patriotë, rilindës, figura të mëdha të kombit sepse në fakt ata risjellin në vëmendje një periudhë tërësisht të ndryshme, një kohë kur mbi të gjitha qëndronte kombi, ndryshe nga sot, kur i njëjti komb shikohet për ta rrjepur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

2 COMMENTS

  1. Artikulli eshte shume i goditur, duhet gjithmone te pasqyrojme ne media rilindjen tone te mrekullueshme per ti treguar popullit realitetin e sotem te klases politike te mbushur me djaj e vampire te tipit Berisha, Ruci , Meta, Rama,Basha etj si dhe buce si Spiropali etj .
    Populli nuk duhet ti mbeshte keta kuesling por ti coje ne bangen e drejtesise.

  2. Oe mik klasa e qelbur e sotme politoke duhet zbuar me dhune! Shqiperia nuk ka asnje te ardheme me keta plehra, qe ullin bollkat per ate qe i jep me shume! Turp!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here