Loja djallëzore/ Gjithë kjo furtunë e sajuar bukur nga Hashimi…

1
292

Nga Spiten Prulli

Njerëzit e politikës dhe të medias pyesin këto ditë se ç’pati presidenti kosovar Hashim Thaçi që hapi mu në pikun e verës çështjen e rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shumëkush e quan ‘një ide serbe e idiote’, pakkush ‘një ide stabile për Rajonin’, por ka edhe shumë të pakët që dyshojnë në lojën e Hashim Thaçit.

Nuk vepron kurrë pa një paramendim ai njeri, thonë ata që e njohin. Dhe rezulton se e gjithë kjo furtunë në gotë e sajuar bukur nga Hashimi vjen me një strategji gjarpnore e thurur prej tij personalisht.

Mundet edhe në koordinim me Edi Ramën, por prapë nuk besohet se ai kur flitet për të ardhmen e tij politike, nuk mund të marrë mendjen e Ramës dhe Vuçiç. I njeh mirë të dy, se të lenë në baltë, sapo kalojnë lumin apo kur e shikojnë se koka e Thaçit fillon e varet të Gjykata Speciale e Kosovës.

Kjo Gjykatë është me një status special, si dhe vetë emrin. Do të hetojë e ndëshkojë politikanët e Kosovës për krime lufte.

Në të vërtetë kjo është krejtësisht e kotë, pasi ishin serbët ata që bënë masakra mbi popullin e Kosovës.

Por politika europiane, gjoja për drejtësi për të dyja palët si dhe për të mikluar palën serbe pasi Millosheviçi ishte në Hagë dhe disa liderë të tjerë serbë përfunduan po në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, ka gjetur një zgjidhje duke ngritur gjykatën speciale në Kosovë.

Kjo u miratua nga presioni i huaj, bile në një moment politika kosovare donte ta zhbënte ligjërisht, por ndërhyri fuqishëm BE dhe SHBA.

Momentalisht ajo është gati për të prerë koka të rëndësishme në Kosovë. Edhe për të kënaqur palën serbe.

Por kokat që bëjnë jehonë ndërkombëtare, pra lajm, mbeten koka e Presidentit, kryetarit të Parlamentit dhe kryeministrit. Por kryeministri Ramush Haradinaj e ka bërë epokën e tij në Hagë ku triumfoi.

Edhe në Francë fitoi. Pra tani nuk ka punë gjykata speciale me kryeministrin kosovar.

Mbeten dy koka: ajo e presidentit Thaçi dhe e kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Njëra kokë do iki për në Gjykatën Speciale, pasi ndryshe nuk e ngritën kot së koti të huajt. E duan jo për drejtësi, por për barazpeshë me palën serbe.

Atëherë Presidenti Thaçi, ka vepruar me dinakëri. Hapi çështjen e rishikimit të kufijve gjoja në emër të për bashkimit kombëtar me Luginën e Preshevës si dhe duke injektuar edhe bashkimin me Shqipërinë. Këtë e bëri për të krijuar impaktin e një njeriu patriot mbarëkombëtar dhe nëse e marrin në Gjykatë, të jetë popullor.

Por nuk duhet shkuar në Gjykatë, pasi nuk i dihet se të braktisin të gjithë! Edhe Vuçiç, edhe Rama. Ndaj hapi ‘rishikimin e kufinjve’ për të krijuar një staturë të një burri shteti se është në negociata për stabilitet përfundimtar Kosovë-Serbi, gjë që e duan shumë Bashkimi Europian. Edhe SHBA.

Me këtë lëvizje, e cila nuk ka për tu realizuar, por zgjat mos’prekjen nga të huajt, pasi thotë se ‘unë po merrem me stabilitetin rajonal ku është dakord edhe Serbia, atëherë ç’keni me mua!’.

Me këtë lëvizje i shton pikët presidentit Vuçiç si dhe shton pikë indirekt diplomacisë ruse me rastin e Krimesë. Nga ana e tij presidenti serb, natyrisht, që do lëshojë mesazhe se ‘nuk keni pse merrni për në gjykatë kryenegociatorin për ndryshimin kufinjve’.

Natyrisht që gjykata speciale nuk është gjykatë që do vendosë mbi drejtësinë, ajo është krijuar speciale për baraspeshë politike në dënimin e krimeve të luftës.

Kështu politika europiane, dhe ajo serbe në veçanti, do jenë mbrojtësit e presidentit Thaçi.

Lojë mjaft e zgjuar. Dhe Thaçi drejton gishtin tregues ndaj kryeparlamentarit Veseli. Pra Haradinaj nuk preket, Thaçi shpëton me lojën e kufijve dhe mbetet nën hanxhar Kadri Veseli.

Vuçiç-Thaçi-Rama dhe Erdogan fërkojnë duart dhe rrinë e shikojnë kokën e prerë kosovare. Me kaq gjykata speciale mbaron punë dhe kufijtë mbeten po këta që janë sot mes Kosovës dhe Serbisë.

Botuar tek Koha Jonë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Kjo eshte nje loje qe demton shume Kosoven. Thaçi ne vend qe te vinte vetulla nxorri syte. Nuk e ha askush sapunin per djethe . Ai mori mend te Vuçiç dhe te Rama e i hyri nje valleje shume trashanike. Ai u zhvesh edhe nga pushteti moral si drejtues i Luftes se Kosoves. Popullariteti i tij eshte ne pikiate. Shihe debatet me diplomatet. Ai vertet ka ikur nga fshati por ajo dinakeri tipike fsahtareske ka mbetur e ngulitur thelle tek ai. E mbylli keq. E kishte fare thjeshte: Dy fjali: I kam kushtuar gjithçka kesaj Kosove dhe do te vdes njeqind here sikur t’i preket nje fije floku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here