2 kg tritol në zyrën e Haradinajt, pakoja ishte dërguar nga…

0

Autoritetet e Kosovës kanë testuar sigurinë në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, përmes një inskenimi të futjes së një pakoje të dyshimtë me lëndë eksplozive, që në fakt ka mbërritur në destinacion.

Nga sa raportojnë mediet në Kosovë, pakoja e dërguar nga “Xhorxh Majkëll” mbërriti deri në zyrën e kryeministrit, por ajo nuk përmbante ndonjë dhuratë, përkundrazi dy kg eksploziv të llojit tritol.

Nga inskenimi rezulton se masat e sigurisë në godinën e Kryeministrisë kanë rezultuar me të meta të mëdha, pasi gjithçka ka dështuar, me pakon që ka kaluar të gjitha filtrat e sigurisë.

Simulimi në fjalë është bërë në koordinim me zyrën e kryeministrit. Për sigurinë e Haradinajt dhe godinës së Qeverisë së Kosovës përkujdeset vet Policia e Kosovës.

I pyetur nga Top Channel, zëdhënësi i kësaj policie, Baki Kelani është shprehur:

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë tentim sulmi, apo hyrje të ndonje mjeti shpërthyes në objektin në fjalë, por ju informojmë se Policia e Kosovës, në vazhdën e inspektimeve periodike me qëllim avancimin e punës, profesionalizmit, si dhe vlerësimin e punës dhe gatishmërinë e zyrtarëve policorë që janë të angazhuar në ofrimin e sigurisë së objekteve policore dhe institucioneve shtetërore, si dhe testimin e nivelit të funksionalitetit të pajisjeve të sigurisë në dispozicion, ndërmerr edhe testime simuluese të situatave nga më të ndryshmet.

Në varësi të rezultateve dhe gjetjeve nga këto inspektime (testime), si dhe pas analizave të mirëfillta, Policia e Kosovës planifikon trajnimet e duhura për stafin e angazhuar, ndërmerr kërkesa për blerjen e pajisjeve më të avancuara dhe që do t’i përgjigjen kohës, apo në rast të ndonjë lëshimi të mundshëm ndërmerr masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë”.

Ky nuk është rasti i parë i simulimit të një “sulmi” në godinën e Qeverisë së Kosovës. Në të kaluarën, një “mekanik” ka arritur të hyjë në godinë me dy armë zjarri, ndërsa në një tjetër rast, një person në cilësinë e një “invalidi” ka futur në godinë një pushkë të gjatë.

Lini nje pergjigje