Kosova mund të korrektojë Lidershipin, jo kufijtë!

0

Nga: Arian Galdini

 

Pothuajse në të njëjtën valë gjatësie 2 Presidentët e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor që Dialogun e kanë sfidë jetike, vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, kanë bërë deklarata të njësojta përmes të cilave po na japin mesazhin se për ata të dy muzika ka nisur të buçasë e vallja po hidhet ndër kufijtë shtetërorë.

Loja e tyre duket kaq mirë e kordinuar saqë nuk paska fare nevojë për nisjen e fazës finale të Dialogut, e as për mandatimet përkatëse.

Ndërsa në Kosovë Opozita ende po debaton e kërkon që Presidenti Hashim Thaçi të mos jetë Lideri i Ekipit Negociator të Kosovës në Dialogun me Serbinë, loja e deklarimeve për korrektim kufijsh, të lëshuara edhe nga Presidenti i Kosovës edhe nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, e kanë tërhequr zvarrë proçesin.

Hashimi dhe Vuçiçi po nxitojnë të zgjedhin njëri-tjetrin si Negociatorë Respektivë të vendeve të tyre, duke ua dhënë Ndërkombëtarëve sinjalet e plota se ata të dy i kanë të shtrira urat e komunikimit dhe marrëveshjes ende pa nisur Dialogu.

Ky nxitim që ata të dy e kanë, nga ana tjetër e ka për synim që ta bëjë të plotë ciklin e mendësisë konspiracioniste në Ballkan e më gjerë, në mënyrë që të gjithë të dyshojnë a hamendësojnë se përderisa 2 Presidentët e thonë, dikush nga BE apo nga SHBA ua ka shkelur syrin në heshtje.

Koha e përzgjedhur për këtë kornizim të ri të Dialogut me korrektim kufijsh, e bën edhe më intriguese çdo teori konsiprative, përderisa gjithçka ka nisur pas takimit në Helsinki mes Presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Kushdo që e ka kujdestaruar komunikimin mes vetë Thaçit dhe Vuçiç si edhe atë të mesazheve të tyre publike, krejt kthjelltêsisht i ka pasur qëllimet e fokusuara tek teoritë konspirative dhe efekti i tyre mpirës psikologjik.

Koha e përzgjedhur ka qenë çelësi i gjithë rendit të këtij skenari.

Për Perëndimin kanë luajtur me kinse gatishmërinë për të mbërritur në rezultate dhe në një dokument final të pranuar nga të dy zotërinjtë pa përjashtuar as kompromise të dhimbshme.

Ata e dinë që situata e sigurisë në Ballkan është një shqetësim i madh dhe një bezdi e madhe për Perëndimin.

Kësisoj dy zotërinjtë e kanë bërë këtë fushatë paraprake kinse përgatitore për publikun mbi kompromiset e dhimbshme që priten të vijnë si rezultat i Dialogut Kosovë – Serbi, sepse me cekjen e tezës së korrektimit të kufijve, kanë dashur në fakt të befasojnë Perëndimin me mendjehaptësinë dhe guximin e Lidershipit të tyre.

E po ashtu, kanë marë masat  që tezat e çakërdisura mbi korrektim kufijsh të hidhen intensivisht fill pas takimit Trump – Putin, në mënyrë që në Ballkan të gjithë të bluajnë në kokat e tyre idenë se skenari ka ardhur i freskët nga Helsinki.

Natyra hileqare dhe gjarpërore e mbjelljes dhe zhvillimit publik të këtyre tezave mbi korrektim kufijsh, nuk bie aspak aromë Perëndimi.

Së pari, kemi një subdialog të  kuptueshëm kthjelltazi mes dy Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç, që paragjykon dhe vë në rrezik serioz vetë Dialogun institucional dhe të mandatuar mes dy vendeve.

Së dyti, skenari i korrektimit të kufijve është kryekëput skenar i tipit: Lideri përmbi vendin. Të tillë skenarë nuk përputhen as me parimet demokratike e as me vlerat perëndimore. Të tillë skenarë mund të synojnë histori, zgjidhje e triumfe vetjake për Liderët, por asgjë nuk e ndryshon faktin se të tillë skenarë i bëjnë vetëm liderë që e shihin veten Gjithçka e vendin thjesht si Plaçkë. Sidomos po të mendosh se të tillë skenarë mund të kenë si sfond edhe nevojën për imunitet a shmangie nga Gjykata Speciale.

Së treti, skenari ka frymëzim të dukshëm antiamerikan.
Vetë ideja e nënkuptuar apo qarkulluar si konspiracion se Thaçi po flet për korrektim kufijsh sepse dikush në Administratën Trump ia ka shkelur syrin ta bëjë, është thelbësisht e dyshimtê për të mos thënë e ligë. Dikush po provon të injektojë frikën se Administrata Trump nuk është më edhe aq e vendosur për çështjen e Kosovës.
Po në të njëjtën mënyrë po veprohet edhe me BE.
Tinëzisht po përflitet se në korridoret e Brukselit, ka simpatizantë të mëdhenj të korrektimit të kufijve, e madje kjo ka qenë arsyeja e ky çmimi që duhet të paguajë Kosova për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

Përpjekja për të thyer besimin e institucioneve, politikës dhe publikut të Kosovës ndaj Administratës së SHBA të Presidentit Trump dhe ndaj BE, pikërisht kur Dialogu Kosovê – Serbi ka mbërritur në fazën e tij finale dhe do të dalë domosdoshmërisht me një produkt, pa asnjë mëdyshje është një përpjekje e farkëtuar nga mendje dhe axhenda antishqiptare.

Nëse Kosova hyn në Dialog me Serbinë, me besim të cënuar tek SHBA dhe BE, atëherë Kosova hyn e gjymtuar dhe e dobët.

Andaj, për të mos lejuar asnjë skenar dobësues të kapaciteteve Dialoguese të Kosovës, është më e lehtë dhe më e drejtë që në Kosovë të diskutohet e debatohet për korrektim lidershipi sesa për korrektim kufijsh.

Perëndimi është besnik me Kosovën.
SHBA janë besnike me Kosovën.

Nuk do të ketë as shkembim territoresh, as ndarje të Kosovës e as korrektim kufijsh.

Kosova e ka të plotë dhe të paprekshme e të panegociueshme hartën e saj e të tillë do ta ketë.

Lini nje pergjigje