Ja si të qetësojmë dhimbjet menstruale me mënyra të thjeshta

0
211

Dhimbjet menstruale (të periodave), ose siç njihen ndryshe me termin mjekësor “dysmenorrhea primare”, për shumë vajza dhe gra janë një pjesë e pakëndshme e jetës. Gjatë këtyre ditëve, shqetësimet janë të shumta, si për shembull: fryrje barku, dhimbje mesi, dhimbje në fund të barkut, të përziera, të vjella, diarre. Mjekja Ilda Xhelili, ndalet në detajimin e masave të thjeshta që mund të merren gjatë përditshmërisë sa i takon lehtësimit të këtyre dhimbjeve, duke identifikuar edhe rastet në të cilat duhet të kërkoni ndihmë më të specializuar mjekësore.

Kujdes me lëngjet dhe përdorimin e kripës

Nëse kemi humbje lëngjesh gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që të zëvendësohen ato. Prandaj mënyra më e thjeshtë është pirja e ujit, rreth 6-8 gota në ditë shpesh dhe nga pak. Kujdes duhet treguar me përdorimin e kripës. Kjo pasi kripa krijon lidhje kimike me ujin dhe rrit presionin e lëngjeve brenda qelizave të organizmit, duke e theksuar edhe më tepër ndjesinë e fryrjes gjatë kësaj periudhe. Nëse nuk ju pëlqen uji i thjeshtë, ka shumë mënyra për të rritur konsumin e ujit. Mund të filloni që në mëngjes me një gotë uji të mbushur me fruta të grira, të cilat ju pëlqejnë më shumë.

Ndikimi i çajrave

Mund të përdorni gjithashtu për lehtësimin e dhimbjeve edhe çaj kamomili, ose xhinxheri. Po ashtu mjaft e këndshme në shije, edhe kur keni ndjesinë e të vjellave është uji me limon, kastravec, ose nenexhik. Hidratimi i vazhdueshëm i organizmit nuk është pozitiv vetëm për lehtësimin e dhimbjeve, por edhe për shëndetin në përgjithësi.

Dieta ushqimore

Shumë studime raportojnë që edhe një dietë e zgjedhur dhe e shëndetshme, luan rol të rëndësishëm për kapërcimin sa më lehtë të ditëve menstruale. Këshillohet që të konsumohen më shumë ushqime antioksidante që ulin efektet inflamatore dhe ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve. Sigurisht që një dietë e balancuar dhe e shëndetshme është e këshillueshme përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për ditë të caktuara. Konkretisht rekomandohet që të konsumohen boronicat, qershitë, kungulli, domatet, produktet e peshkut që përmbajnë OMEGA 3, bishtajoret që janë një burim i mirë i proteinave me bazë bimore.

Ushqimet që duhet të shmangni

Gjatë periodave mund të keni shpesh dëshirë për të ngrënë ushqime të kripura, të ëmbla, ose të yndyrshme. Natyrisht që e mira është t’i shmangni. Gjithashtu duhet të bëni kujdes me sheqernat, kafeinën, duhanin, alkoolin, ushqimet e skuqura, fast foodet.

Sa më pak kafeinë aq më pak dhimbje do keni

Eliminimi i kafeinës ndihmon shumë gra në lehtësimin e dhimbjeve menstruale. Kafeina vjen në shumë forma duke përfshirë kafen, çajin, çokollatat dhe pijet energjike. Prandaj mundohuni të zvogëloni dozat e saj gjatë kësaj periudhe. Mundohuni t’i zëvendësoni ato me sa më shumë fruta dhe perime të freskëta.

Përdorimi i medikamenteve

Jo pak femra përjetojnë dhimbje të forta menstruale, që krijojnë diskomfort gjatë gjithë ditës dhe cenojnë përditshmërinë. Natyrisht që mund të përdoren medikamente që lehtësojnë dhimbjet, të tilla, si: “ibuprofeni, naprokseni”. Për medikamentet duhet pasur kujdes në lidhje me efektet anësore, si për shembull ngacmimi i ulcerave gastrointenstinale (të stomakut dhe zorrëve), favorizimi i gjakderdhjes (hemorragjisë), si dhe ndikimi në rritjen e tensionit të gjakut. Këto medikamente mund të jenë të pranishme në shtëpi, por para se t’i përdorni duhet që të këshilloheni më parë me mjekun tuaj të familjes. Kjo me qëllim për të përcaktuar dozën e duhur të medikamenteve që duhet të përdorni në përputhje të plotë me situatën individuale shëndetësore.

Borsat me ujë të ngrohtë

Në lehtësimin e dhimbjeve ndihmojnë shumë edhe përdorimi i borsave më ujë të ngrohtë, jastëk me korent, apo edhe dushi me ujë të ngrohtë. Këto ndihmojnë muskujt që të relaksohen dhe për rrjedhojë lehtësojnë dhimbjet. Një studim i kryer tek një grup femrash midis moshës 18 dhe 30 vjeç, vuri në dukje se terapia me borsa të ngrohta ishte gati e barazvlefshme me përdorimin e ibuprofenit në qetësimin e dhimbjeve. Prandaj nëse është e mundur të eliminojmë përdorimin e medikamenteve, natyrisht që është më mirë.

Të mirat e aktivitetit fizik

Po ashtu veprimtaria fizike ndihmon shumë në lehtësimin e këtyre dhimbjeve. Jo pak gra mendojnë se aktiviteti fizik lehtëson ngërçet menstruale. Kjo për faktin se kur ushtrohemi fizikisht truri stimulon prodhimin e endorfinave, të cilat janë substanca që lehtësojnë dhimbjet dhe krijojnë mirëqenie shpirtërore. Prandaj gjatë këtyre ditëve mund të ecni me hap të shpejtë, vraponi, ose të notoni. Dhe nëse ndiheni të lodhura gjatë kësaj periudhe provoni yogat, të cilat janë forma të lehta të ushtrimit të aktivitetit fizik.

Masazhimi i barkut dhe përdorimi i kremrave

Masazhimi i barkut për 5 minuta disa herë në ditë ndihmon në lehtësimin e ngërçeve, pasi luan rol në përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Gjatë masazhit mund të përdoren kremra me përmbajtje livande, ose borziloku të cilat mund të japi përfitime shtesë. Këto vajra përmbajnë komponentë që shumë gra raportojnë se lehtësojnë dhimbjet.

Kujdes me përdorimin e barnave popullore

Në rast se mendoni të përdorni barna popullore, duhet së pari të konsultoheni me mjekun tuaj të familjes, sepse ato mund të ndërhyjnë në veprimin e barnave që përdorni për probleme të tjera, duke rritur, ose ulur efektivitetin e tyre.

Ndikimi i Akupunturës

Studimet raportojnë gjithashtu edhe për rolin e Akupunkturës në qetësimin e dhimbjeve. Kjo bazohet në stimulimin e pikave të caktuara të lëkurës me nxehtësi për të prodhuar efektet e dëshiruara. Një akupunkturë mund të përdorë shpimin me gjilpëra (shumë të holla) për të zvogëluar dhimbjet. Gjithashtu edhe mjeku mund t’ju tregojë se si të stimuloni nëpërmjet duarve tuaja pika të caktuara në trup. Ushtrimi i presionit (shtypjes) në zonën e të ndenjurave, të barkut, të shputave të këmbëve, si edhe zona midis gishtit tregues dhe gishtit të madh të dorës mund të jetë efektiv për këto dhimbje.

Gjumi i rregullt

Një rol shumë të madh luan edhe gjumi i rregullt. Cilësia e gjumit ka efekt mbi simptomat menstruale, ashtu si edhe në shumë kushte të tjera shëndetësore. Në një studim të kryer lidhur me këtë temë, gratë që vuanin nga pagjumësia raportuan më shumë probleme gjatë periudhës menstruale. Prandaj përpiquni të keni një higjienë të mirë të gjumit për të zvogëluar sadopak dhimbjet gjatë periodave. Krijoni një rutinë për t’i dhënë trupit sinjalin se është koha për të fjetur. Rutina mund të përfshijë gjëra të tilla, si: dëgjimi i muzikës qetësuese para gjumit, një banjë e ngrohtë, shijoni një filxhan çaji kamomili, ose xhinxhër të ngrohtë (jo të nxehtë). Shmangni televizorin, celularin dhe kompjuterin para gjumit.

Trajtimi i sëmundjeve

Natyrisht që dhimbjet e forta menstruale mund të lidhen edhe me probleme shëndetësore të ndryshme. Prandaj nëse ato persistojnë me intensitet të lartë dhe në mënyrë të veçantë, nëse cenojnë cilësinë e jetës, duhet patjetër të këshilloheni me mjekun specialist gjinekolog për të bërë diagnozën diferenciale në kohën e duhur, si edhe për të marrë terapinë e duhur trajtuese.

Çfarë është sindromi premenstrual?

I quajtur ndryshe edhe tensioni premenstrual, ky sindrom është një koleksion simptomash emocionale, i shoqëruar ose jo me simptoma fizike të lidhura me ciklin menstrual të gruas (periodat e përmuajshme). Këto shenja ndryshojnë nga personi në person, pra, janë individuale për çdo grua. Zakonisht ndodhin tri deri në dhjetë ditë përpara periudhës menstruale dhe zhduken, ose pak përpara, ose menjëherë pas fillimit të rrjedhës menstruale. Rreth 2 për qind e grave përjetojnë simptoma të rëndësishme premenstruale në krahasim me shqetësimet normale të lidhura me menstruacionet e grave të shëndetshme. Këto çrregullime janë kalimtare dhe ciklike, pra që përsëriten çdo muaj. Shkaqet e sakta të çrregullimeve premenstruale nuk është se janë të sqaruara plotësisht. Studimet hormonale kanë treguar se gjatë kësaj faze të ciklit nuk është se ka çrregullime hormonale të rëndësishme. Matjet e nivelit të hormoneve seksuale janë brenda niveleve normale. Vëzhgimet e bëra nxjerrin në pah mundësinë e ndonjë komponenti gjenetik. Faktorë mjaft të rëndësishëm konsiderohen edhe streset e përditshme që ngarkojnë jetën emocionale të gruas, si edhe lodhjet e tepërta fizike, jashtë mundësive të organizmit të saj. Si faktorë të tjerë risku përmendim: “konsumin e lartë të kafeinës (gratë që pinë shumë kafe ose coka-cola gjatë ditës), rritja e moshës, historitë e depresionit, historitë familjare, faktorët dietetikë (nivelet e ulëta të vitaminave dhe mineraleve të caktuara, veçanërisht magnezi, mangani, zinku, vitamina E, vitamina B6 dhe, gjithashtu, vitamina D). Prandaj gratë që iu nënshtrohen dietave drastike kanë risk më të lartë për të vuajtur nga tensioni premenstrual.

Faktorët që çojnë në ndërprerjen e ciklit menstrual

Amenorrhea është termi mjekësor për mungesën e ciklit menstrual në mënyrë të përkohshme ose të përhershme. Amenorrhea mund të klasifikohet si primare ose sekondare. Në amenorrhenë primare cikli menstrual nuk ka filluar akoma deri në moshën 16-17 vjeç, gjë që normalisht duhet të ndodhë rreth moshës 12-14 vjeç. Ndërsa amenorrhea sekondare është përcaktuar si mungesë e ciklit menstrual për tre herë rresht, në mënyrë të njëpasnjëshmë ose brenda një periudhe gjashtëmujore tek një grua që më parë kishte menstruacione. Një nder shkaqet më të zakonshme tek femrat e reja, që shpesh neglizhohet, ose edhe keqkuptohet është një shtatzani e padiagnostikuar. Amenorrhea në rastin e shtatzanisë është një funksion normal fiziologjik. Në raste të tjera mund të ndodhë si pasojë e problemeve në hypothalamus, si pasoje e anoreksisë, por edhe si pasojë e sforcimeve të tepruara fizike (kjo edhe në varësi të moshës). Amenorrhea primare zakonisht është një problem me predispozicion gjenetik te femrat e reja që nuk zhvillojnë menstruacione deri rreth moshës 16-17 vjeç dhe që nuk janë shtatzëna. Po ashtu edhe shumë kushte gjenetike karakterizohen nga çrregullime hormonale në nivel të hipotalamusit, të hipofizës, ose të vezores. Në rastin e amenorrhesë sekondare, shkaku më i shpeshtë është shtatzania. Edhe në këtë rast, mund të ndikojnë çrregullimet që përmendëm më lart. Faktorët që mund të ndikojnë direkt mbi hipotalamusin mund të përmendim: “Humbjet ekstreme të peshës, stërvitjet e rënda, stresi i fortë emocional. Po ashtu ndikojnë edhe sëmundje të tilla, si: niveli i ulët i hormoneve të tiroides, niveli i lartë i hormoneve mashkullore (androgenet), menopauza e hershme, sëmundje të shumta të mitrës (uterusit). Çrregullime të tilla përjetojnë jo rrallë edhe gratë që përdorin pilula kontraceptive për të parandaluar shtatzaninë. Duhet të kujtojmë që pilulat kontraceptive janë me bazë hotmonale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here