Standard.al

“Rezultati skandaloz i Kumbaros, ministrja më e dështuar e qeverisë”

0

Teksa rëndom nëpër analet politike, por dhe në biseda mes qytetarëve flitet për ndryshimet e pritshme në qeveri, duke qenë se kryeministri Rama nuk preferon të japë të dhëna mbi ata që do të qëndrojnë apo ata që do të shkarkohen, mendja të shkon menjëherë tek secili ministër, puna që ai ka bërë, rezultatet e tij që nga emërimi në atë post të rëndësishëm.

Nëse analizojmë ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, rezultati del skandaloz. Gjatë viteve të fundit, kjo ministre ka iniciuar ndryshimin e 4 ligjeve, përkatësisht të Ligjit për Artin dhe Kulturën, Ligjit për Librin, Ligjit për Pensionet e disa profesioneve të vështira të Artistëve, Ligjit për Trashëgiminë dhe Muzetë. Por sa nga këto ligje kanë arritur të diskutohen, pranohen, miratohen dhe implementohen? Vetëm njëri prej tyre, ai për Trashëgiminë dhe Muzetë. Ky është ligji i vetëm, të cilin Kumbaro ka arritur ta jetësojë, megjithëse me mjaft ankesa nga grupet e interesit dhe peripeci të shumta deri në kalimin në Parlament

Të tre ligjet e tjera figurojnë ende në faqen e Ministrisë së Kulturës si projektligje, që pritet të shndërrohen në ligje, por që nuk dihet se kur dhe se si. Lind pyetja pse nuk është bërë i mundur miratimi i këtyre tre projektligjeve të hartuara prej kohësh nga Ministria e Kulturës? Çfarë ka që nuk shkon me këto projekte? Përgjigja është e thjeshtë, grupet e interesit që i përkasin fushës së secilit prej këtyre projektligjeve, nuk i pranojnë. I kanë refuzuar me forcë dhe thonë se do të vazhdojnë ta bëjnë nëse nuk do të rishihen. Dhe pas gjithë polemikave mediatike nga grupet e interesit, mes tyre artistë, shkrimtarë, botues, studiues e specialistë, ministrja Kumbaro i ka kthyer këto pr/ligje për rishqyrtim.

Pr/ligji për Librin

Projektligjet e hartuara nga specialistët e Ministrisë së Kulturës por që bëjnë me përgjegjësi direkte ministren Mirela Kumbaro shfaqën pakënaqësi të shumta ndër artistë. Pr/ligji për Librin, i cili u hodh për diskutim që në 2017, u cilësua nga botuesit si një pr/ligj i hartuar pa seriozitetin e duhur. Në tërësinë e tyre këto ndryshime dhe shtesa që janë bërë në ligjin e librit nuk ka ndryshuar ndonjë gjë në thelbin e asaj që kishte ligji i 2006 në raport me pretendimet e komunitetit të botuesve. Pretendimet e komunitetit të botuesve i lë të hapura, pa korrigjuar.

Draft-ligji për Pensionet e Artistëve

Draft-ligji për Pensionet e Artistëve, i cili iu prezantua fillimisht artistëve në vitin 2015, u kundërshtua menjëherë nga këta të fundit. Përplasja mes përfaqësuesve të MK dhe artistëve ishte mosha e pensionit. Në këtë draft-ligj subjektet përfituese janë: artistët e baletit, akrobatë dhe artistë cirku, solistë të operas, teatrove muzikale dhe të ansambleve, muzikantë të veglave të frymës të orkestrave dhe të bandave, artistët e valleve të ansambleve dhe koristët e operas, të teatrove muzikore dhe të asambleve. Sipas këtij pr/ligji, një solist opere duhet të dilte në pension në moshën 50 kur ky i fundit kishte kulmin e karrierës.

Draft ligji për Artin dhe Kulturën

Draft ligji për Artin dhe Kulturën ishte gabim dhe për vetë Ministrinë e Kulturës. Artistët kanë reaguar kundër ministres Mirela Kumbaro duke e akuzuar se me këtë projektligj ajo mbështet forcimin e pushtetit të saj në të gjitha sferat e kulturës. Pikat që kanë kundërshtuar nga ky projektligj artistët janë: Së pari, fakti që drejtorët e institucioneve kombëtare, që sot emërohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, mes dy kandidaturave të propozuara nga ministri, do të emërohen me urdhër të ministres Mirela Kumbaro, ku përfshihen Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Biblioteka Kombëtare. Sipas projektligjit, artistët kanë vënë re se do të shpërndahen bordet artistike të institucioneve, një traditë dhjetëra vjeçare, të cilat u fuqizuan me Ligjin e vitit 2010. Me këtë projektligj edhe bordet artistike do të caktohen nga Ministrja e Kulturës. Artistët kanë kundërshtuar mes të tjerash edhe faktin që punonjësit e institucionit do të propozohen nga drejtori dhe do të miratohen nga ministri, por edhe shumë pika të tjera të projektligjit, që ata i kanë parë si një përpjekje për një centralizim të institucioneve.

Pr/ligji për Trashëgiminë dhe Muzetë

Ministria e Kulturës ka folur për Ligjin e ri të Trashëgimisë Kulturore që në 2013, por vetëm në 2018 ia arriti të kalonte në Parlament. Projektligji për Trashëgiminë Kulturore u prezantua për grupet e interesit në vitin 2016 dhe që ditët e para, specialistë dhe studiues nuk hezituan të dilnin kundër tij, për shkak të anomalive që paraqiste. Arkeologu dhe muzeumologu i njohur Moikom Zeqo ka pohuar asokohe se duhej një projektligj më i drejtpërdrejtë në fushën e trashëgimisë. Në një intervistë për “SOT”, arkeologu dhe studiuesi ka thënë se pasuritë arkeologjike, muzeumet, fuqizimi i drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore janë disa nga pikat, që duhet të kishin përmirësime. Sipas tij dhe dhënia e monumenteve të kulturës me qira tek një subjekt privat, pavarësisht disa përcaktimeve në projektligj nuk del shumë e qartë. Arkeologu ka pohon se nuk mund t’i jepen pasuritë kombëtare për menaxhim personave privatë. Duke u ndalur te muzetë, muzeumologu Moikom Zeqo ka shtuar se projektligji ka më tepër fjalë se sa detaje dhe rregulla konkrete në këtë formë siç është shkruar, ku pjesa për muzetë duhet të ishte më e studiuar dhe më konkrete. Gjithsesi, në 2018, drafti arriti të futej për diskutime në Kuvend dhe më pas të miratohej nga mazhoranca në Parlament.

Gazeta Sot/

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.