O Ballë, mos u bëj palë!

0

Ftese Ballës…
Zoti Balla, nisur nga mbiemri, i doli në ballë punës duke thënë ballazi mendimin e vet ballor. E uroj për kurajon, por kam të drejtën e përballje me Ballën. Nuk mund të pranoj asnjë argument nga kushdo ballë e thënë ballazi në shtyp, i cili deklaron që ka 20 vjet që nuk shkel në godinën e Teatrit Kombëtar. O ballëlartë!
Më lejo të të them që po të kishe ardhur këto 20 vjet në Teatrin Kombëtar për të parë shfaqjet, do të ishe bërë më i mirë, më qytetar dhe më pak i njëanshëm dhe agresiv në përballjen tënde me ata që, në mënyrën e tyre edhe të heshtur i përballen ballës tënde ballore.
Mos merr përsipër gjëra që nuk mundesh t’i çosh dot deri në fund ballazi. Në qoftë se ja di fundin kësaj çështjeje, fundi nuk do të jetë kurrë me ty. Me atë çfarë ke deklaruar ke fyer një brez të tërë artistësh, aktor dhe regjisorësh që kanë kontribuar në atë skenë të vjetër dhe që e kanë bërë Teatrin Kombëtar, (pavarësisht godinës) të jetë në majat e teatrit shqiptar.
Teatri dhe godina, janë dy gjëra të ndryshme por që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Ata mijëra e mijëra spektator që kanë ndjekur shfaqjet teatrore, qoftë edhe duke patur ftohtë, kanë ardhur përsëri, edhe duke patur prapë ftohtë. Këto janë treguesi i asaj që ti nuk mundesh ta kuptosh dot.
Do të isha shumë i lumtur që spektatorët dhe aktorët në skenë të kishin kushtet me optimale. Do të të rezervoj një ftesë personale në shfaqjen e parë kur ky teatër i vjetër (çka përbën edhe vlerën e tij) do t’i ketë plotësuar këto kushte, që zotëria e juaj ta shikojë në mënyrën më komode të mundshme një shfaqje teatrore nga aktorët, regjisorët dhe skenografët që nuk janë idhujt e tu, por që për mendimin tim duhet të meritojnë respektin jo vetëm tuajin.
Ne, anonimët të pagjykuarit nga ju si maja e analitikës shqiptare, ju bëjmë thirrje : “Mendohuni përpara se të llapni dhe ejani në teatër”.
Shikoni njëherë shfaqjet e Spiro Dunit, Gezim Kames, Hervin Culit, Elma Doresit, Driada Dervishit, Andia Xhunga dhe plot e plot regjisorëve të tjerë të rinj, e më pak të rinj, ku marrin pjesë me dhjetëra e dhjetëra aktorë të cilët për nga performancat e tyre, janë vlerësuar dhe vazhdojnë të vlerësohen si vlera e aktrimi, regjisures dhe skenografisë Shqiptare. O Ballë, mos u bëj palë!

Loading...

Lini nje pergjigje