Ndriçim Mehmeti: Eshtrat e Mit’hat Frashërit në Shqipëri? Mos e denigroni deri në këtë pikë

0
521

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Njoftimi i qeverisë së Republikës së Shqipërisë se eshtrat e Mit’hat Frashërit do të vijnë në Atdhe, është më shumë një lajm i keq, sesa një lajm i mirë. Unë  mund të bëhem edhe “patriot” i madh e të them se kjo është një nga gjërat e shkëlqyera që është bërë për këtë shqiptar të madh. Ashtu sikundër mund të bëhem edhe një “tradhtar  që nuk dua që patrioti i madh i vendit tonë po vjen në atdhe.

Përse është një lajm i trishtueshëm kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit në Atdheu.

Atdheu e sikterisi, e mohoi, e luftoi e përçmoi, e linçoi, e denigroi sot e mot Mit’hat Frashërin, ose siç njihte me emrin që botonte Lumo Sklëndo. Djali i babait të autonomisë Abdyl Bej Frashëri, njeriu kryesor në Kongresin e Manastirit, nënshkruesi i Pavarësisë, ministër e diplomat, shkencëtar e poliglot, i karakterizua si gagaç, sahanlëpirës i pushteteve, kriminel e kolaboracionist. Vendi që sot “e do” kaq shumë e për më tepër, disa nga komunistët edhe pinjollët e komunistëve në pushtet kanë bërë të pamundurën, që emri i tij të ishte shuar. Madje po të ishte varrosur këtu kockat e tij do të përfundonin në Vjosë, Seman, ose Shkumbin. Mundet dhe të ishin  djegur nga kriminelë të njohur si: Aranit Çela, Llambi Peçini, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, Nevzat Haznedari e shumë të tjerr, që ishin të gatshëm ta bënin këtë në emër të idealit të partisë. Madje emri i Mi’hatit nuk u mbrojt dot as nga historianët që e dinin mirë kontributin e tij, por e linçuan me vende e pa vend. Mi’hati në Shqipëri? Ku? Në atdheun e tij? Po në cilin atdhe? Në atë atdhe ku emri i xhaxhallarëve të tij, Sami dhe Naim gjendet në një dyzinë shkollash, sheshesh, çerdhesh, kopshtesh dhe rrugës dhe ndërsa emri i të atit dhe i tij, nuk është as në  bibliotekën modeste të Këlcyrës. Asnjë shkollë nuk mban emrin e tij, madje as të babait të tij, ideologut të bashkimit kombëtar në Lidhjen e Prizrenit Abdyl Bej Frashëri. Ku të vij Mit’hati? Tek shtëpia e tij ku librat janë hedhur sheshit, oda e ndenjes është kthyer në vendin ku thahet hashashi dhe dhoma e Abdyl Beut është vendi i tharjes së lajthithive? Qysh nuk besoni? Po hapni kronikat tuaja, të shtypit në 2015 e 2016 dhe shikojini. Po ja u kthye. Ja i gjetëm dhe një vend, që i takon para Bibliotekës Kombëtare, amaneti më i madh i tij? Kush do ta pastroj, e të përkujdeset për bustin e tij? Apo do të pësoj vandalizmin, siç ndodhi me bustin e Faik Konicës dhe heqjen shkronjë pas shkronje, siç ndodh me bustin e Isamil Qemalit ngjitur me zyrat e Parlamentit të shuar shqiptar? Me siguri që komunistët do të protestojnë hapur që kryetari i Ballit Kombëtar, u kthye në Atdhe. Ai duhet të rrinte e të kalbej e madje të vritej  digjej  në dhe të huaj e jo të vinte në vendin e tij. Por edhe ata që do ta sjellin, më shumë do të bëjnë show sesa u djeg barku për Mit’hatin.  Në 5 vjet u organizuan simpoziume, parade e nderime për kriminelë të Luftës së Dytë Botërore, u nderuan E. Hoxha, M. Shehun Ziçishtët etj., dhe gjithë elita komuniste si në asnjë vend tjetër, ndërsa për Mit’hatin nuk pati asnjë seminar, simpozium, pale Konferencë Shkencore e ndonjë nderim në qytetin ku lindi a krahinën e Frashërllinjve, të cilës i ka mbetur vetëm emri se askush nuk e di nga brezi i ri se ku bie.

Ja harxhuam ca leke për “përjetësimin” e emrit të tij. Po a mjafton vetëm kaq?

A do t’i shpjegoj Mit’hat Beut ndokush se çlidhje ka ai me vinin e Skënderbeut? Përse e ndanë vëllain e tij dhe njëkohësisht babanë e Mit’hat Bej Frashërit, Abdylin nga vëllezërit dhe askush nuk foli për të? Përse ja dënuan babanë, vetëm se Mit’hati ishte kryetar i Ballit? A do të marrë mundimin ndonjë prej institucioneve dhe të thërres një përkujtimore, për këtë burrë të madh të shtetit. Si ka mundësi që Kryetarin e Kongresit të Alfabetit në Manastir, Ministrin e qeverisë së Ismali Qemalit, nënshkruesin e Aktit të Pavarësisë, ministrin fuqiplotë në Greqi, diplomatin, shkrimtarin, mendimtarin nga më të mprehtit dhe të shquarit të brezit të tij, e kanë harruar kaq kohë? Kush do të marrë guximin e të hetojë se ku shkuan librat e Mit’hat Frashërit? Kush i grabiti dhe i shet rrugëve, sot e kësaj dite për pesë lek? Ku u zhduk seria e revistës “Dituria”? Çfarë u bë me fondin e librave që ai la për themelimin e Bibliotekës Kombëtare? Si do ta shpjegojnë gjeniut të letrave dhe mendimit shqiptar përmbytjen, djegjen dhe dhunimin e atyre librave, shkrimeve dhe dorëshkrimeve që ai i la me kaq dashuri dhe përkushtim për vendin e vet? Së fundmi kush do të guxoj ti thotë një prej përfaqësuesve më të shquar të periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, se edhe këta që na qeverisin sot dhe po përkujdesen për eshtrat sesa për emrin e tij, quhen rilindës?

Mit’hati dhe familja e tij, shkrinë pasurinë për Shqipërisë. Po rilindësit e sotëm çfarë bënë për atdheun e tyre?

Tashmë është e njohur që Rilindësit e shekullit 19 dhe fillim shekullit 20 shkrinë pasurinë për Shqipërinë, ndërsa “rilindësit” e sotëm me plot bujari, dëshirë, këmbëngulje, mashtrim, shtrëngim, kanosje e kërcënim, shkrinë Shqipërinë për pasurinë. Dhe këtë “sigurisht” nuk e bën për vete, por për të ç’nderuar sa të mundin: Ismail Qemalin, Mit’hat Frashërin, Faik Konicën, Fan Nolin, Lef Nosin, Shefqet Daiun, Al,i Asllanin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, e shumë të tjerë. E bënë me shumë dëshirë, pathos e dashuri të pakufishme, për vete, familjen, dashnoret e tyre dhe fëmijët jashtë martese. Nuk bënë asgjë nga ëndrrat e Rilindjes së shek. XIX-XX, as për përparim, as për evropianizim dhe as për zhvillim e ekonomik e dinjitet kombëtar. As që nuk u përpoqën, përkundrazi shkatërruan vendin, prej arsimit, ekonomisë, tregtisë, shëndetit, transportit publik e me radhë, deri tek depersonalizimi i individit. Ja mbërritëm qëllimit, që të ulnin kokën e shqiptarit në botë, duke i identifikuar, jo si një popull i lashtë, plot tradita, pasardhës të ilirëve por të etiketohemi si populli i drogës, hajdutllëkut, gjakmarrjes, injorancës, varfërisë, skamjes e maskarallëkut. Kështu që kur të vij Mit’hati, nuk do të gjej aspak Shqipërinë që kishte ëndërruar për breza të tërë xhaxhallarët, babai i tij dhe ai vetë, me shpresën që rrënjosej në shprehjen e famshme “Lum kush të rronjë ta shohë Shqipërinë zonjë”. Mit’hati do të gjejë një lukuni zuzarësh, barbarësh e të pa ngopurish, që do të përulen sa për sy e faqe, e më pas do të zgërdhihen pranë gotës së verës dhe dyqaneve luksoze me paret që do të fitojnë nga funerali në vendin e tij, të njeriut që e sikterisën me plotë dëshirë e dashuri, disa syresh prej tyre që janë në qeveri e parlament dhe pasardhësit e tyre kriminel, që sollën pushtetin popullor në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here