Zbardhet SKANDALI/ Spitali Amerikan zapton 1200 m2 ambient të Spitalit Ushtarak

0

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon abuzimin me ambjentet e Spitalit Ushtarak, të cilat janë përvetësuar nga “American Hospital”, e njohur ndryshe si Spitali Amerikan. Megjithëse KLSH-ja ka denoncuar çdo vit këtë skandal, nga ana e institucioneve shtetërore nuk është marrë asnjë masë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm.

Loading...

Krahas zaptimit të pronës publike, KLSH thotë se Spitali Amerikan ka bërë ndërtime në këto prona, ndërsa deri më tani nuk është marrë asnjë masë. Tpz.al publikon raportin e fundit të KLSH-së, në të cilin thuhet se midis Spitalit Ushtarak dhe atij Amerikan ka një kontratë vetëm për sipërfaqen 496 m2. Por sipërfaqja e zënë nga ky spital privat, është shumë herë me e madhe.

Sipas KLSH-së, “Spitali Amerikan “për periudhën objekt auditimi 01.10.2015 deri 31.03.2018 i detyrohet SUT qira e papaguar për sipërfaqen e përdorur, rreth 1200 m2 referuar kontratës së datës 28.08.2013, e cila rezulton si më poshtë. Periudha 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj” thuhet në raport.

Raporti vijon më tej, duke thënë se Spitali Amerikan i duhet të paguajë Spitalit Ushtarak 10,800,000 lekë të reja. “Ky subjekt përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2, të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leja ndërtimore apo kontratë. Po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2, ku edhe për të nuk ka dokumente në SUT. Konstatimi ynë bazohet në kartelën e pasurisë bashkëlidhur Certifikatës së pasurisë së datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo ndërtime të paligjshme” – thuhet në raport.

Pra, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në një pronë publike ka uzurpim dhe ndërtim pa leje. Dhe, institucionet që duhet të marrin masa heshtin! Pak kohë më parë, Gjykata e Fierit shpalli fajtor Caci Dhamon për ndërtimin pa leje të një koteci në tokën e tij, që do të shërbente për pulat. 61-vjeçari u dënua me tre muaj burg, ai përfitoi ulje në 2 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërkohë për Spitalin Amerikan, KLSH thotë se nuk janë marrë masat ligjore për ndërtimin pa leje në një tokë publike. Dhe, skandali vijon të thellohet nga dita në ditë. KLSH-ja thotë se, nëse do të përllogarisnim dhe përdorimin e sipërfaqes së ndërtuar nga vetë “Aamerican Hospital” sha për periudhën 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj për sipërfaqen e përdorur 267.3 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 80,190 lekë x 30 muaj = 2,405,700 lekë të ardhura të munguara për periudhën objekt auditimi.

Megjithatë, KLSH thotë se faji nuk është i drejtuesve të Spitalit Ushtarak, pasi ata i janë drejtuar me shkresa zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë, ku i kërkojnë të zgjidhin statusin e sipërfaqeve të tepërta që administron subjekti privat deri në lirimin e ambienteve ose lidhjen e kontratave për ambientet e shfrytëzuara jashtë kontratës.

Në fund, KLSH rekomandon se Spitali Ushtarak t’i drejtohet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pasi Spitali Amerikan nuk ka aplikuar për legalizimin e këtyre ndërtimeve. “Nga Spitali Universitar i Traumës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përgjegjëse për administrimin, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në cilësinë e pronarit, të kërkohet zgjidhja e statusit të sipërfaqeve të okupuara nga subjekti “A.H” sh.a., dhe lirimin e ambienteve. Në çdo rast nga SUT duhet të kërkohet arkëtimi i vlerave për sipërfaqet e okupuara nga subjekti “A.H” sh.a” – përfundon raporti, i cili ka edhe rekomandimet për masa disiplinore për disa zyrtarrë. Por, deri më sot, shteti vepron me dy standarde, nga një anë arreston qytetarë të këputur për ndërtime pa leje dhe nga ana tjetër lejon një Spital privat që të ndërtojë si t’i dojë qejfi dhe pa asnjë dokument./TPZ.AL/

Më poshtë, pjesë nga raporti i KLSH-së:

Loading...

Lini nje pergjigje