Partia Demokratike “shigjetoi” komisionerin Hamitaj

0
134

Partia Demokratike “shigjetoi” ditën e djeshme komisionerin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj. Pas akuzave të njëpasnjëshme të hedhura ndaj trupës gjykuese në tërësi se është e kapur nga kryeministri Edi Rama dhe po merr vendime politike, PD i personalizoi dje këto sulme. Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe këshilltari ligjor në PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, akuzuan dje komisionerin Lulzim Hamitaj se ka gënjyer me të dhënat për gjuhën e huaj. “Sipas nenit 6 të ligjit për vetingun kandidati për komisioner duhet të përmbushë edhe kriterin e zotërimit shumë mirë të gjuhës angleze. Anëtari i vetingut Lulzim Hamitaj rezulton që në vitin 2016 ka aplikuar për pedagog pranë Universitetit Europian të Tiranës, ku ka deklaruar se zotëron nivelin fillestar B1 të gjuhës angleze. Ndërkohë një vit më vonë, në 2017, kur aplikon për pozicionin e komisionerit të vetingut, Lulzim Hamitaj depoziton një certifikatë të zotërimit të gjuhës angleze në nivelin më të përparuar, C1, të lëshuar në vitin 2015 nga Qendra e Gjuhëve të Huaja Tiranë. Kjo provohet nga dokumentet e dosjes së tij, e marrë prej nesh në rrugë zyrtare nga Kuvendi. Dokumenti i depozituar pranë Avokatit të Popullit, më pas pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Kuvendit të Shqipërisë, mbi bazën e të cilit ai është kualifikuar, mban logon e University of Cambridge, ESOL Examinations, BULATS, datë 6 Prill 2015, me numër reference 4571”, tha Alibeaj.

Akuzat për falsifikim

PD e akuzoi Lulzim Hamitajn për falsifikim të dokumentit të gjuhës së huaj. Sipas kampit opozitar, ajo që e provon këtë është fakti se certifikata e Lulzim Hamitajt nuk mban vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Demokratët shtruan si fakt për të mbrojtur tezën e tyre edhe pretendimin se në kohën kur komisioneri i KPK ka deklaruar se është testuar për gjuhën e huaj, nuk ka qenë fare në Shqipëri. “Pse certifikata e depozituar prej tij nuk e ka vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës? Pajisja e individëve me certifikata të falsifikuara ka qenë pjesë e një investigimi të realizuar nga emisioni Fiks Fare në datë 29 Shtator 2015, pas të cilit organi i prokurorisë nisi hetimet dhe Qendra, ku anëtari i vetingut Lulzim Hamitaj, ka marrë certifikatën e gjuhës angleze, u mbyll. Qartësisht në investigimin e këtij emisioni rezulton se dallimi midis një certifikate të rregullt dhe një certifikate të falsifikuar është fakti se certifikata e falsifikuar nuk mban vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Përveç faktit që në datën 6 prill 2015, ku ai pretendon se është testuar, komisioneri i vetingut nuk ka qenë në Shqipëri, rezulton e provuar edhe fakti që certifikata e depozituar nga Lulzim Hamitaj nuk e përmban vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës”, tha Enkelejd Alibeaj. Në fund, PD i kërkoi prokurorisë që të niste procedimin penal nda Hamitajt për falsifikim dokumentesh.

Prokuroria nis verifikimet

Pas akuzave dhe pretendimeve të ngritura nga Partia Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme u vu menjëherë në lëvizje. Përmes një reagimi për mediat, organi i akuzës bëri me dije se po e vlerëson rastin dhe do të verifikohet më tej. “Prokuroria e Përgjithshme u njoh me parashtrimin e rastit të komisionerit Lulzim Hamitaj, me materialet dokumentare të publikuara nga subjekti politik Partia Demokratike. Prokuroria e Përgjithshme kërkoi vlerësimin e rastit duke ia përcjellë Prokurorisë kompetente për verifikim”, thuhet në reagim./ Mimoza IBRA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here