Nëse një qytetar do të kishte harruar 100 milion lek….

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Nëse një qytetar do të kishte harruar të shkruante se zotëronte 100 milion lek kursime, do të hapej një çështje e madhe për të, e përmasave të peshkaqenit çekiç, që po godet stabilitetin makroekonomik të vendit. Nëse do të ishte anëtar i një forumi partiak të opozitës, me siguri ai do të  ishte i implikuar, me ndonjë aferë të pistë që kishte lidhjen Belgjikë-Gjermani-Angli-Itali dhe përfundonte në Shqipëri. Nëse të njëjtën shumë do ta harronte ndonjë burokrat i vogël, i sotëm a i djeshëm, atij do t’i tregohej forca e ligjit me tërë fuqinë e tij. Pale po të fshehësh ca miliarda lek aksione, a letra me vlerë, bono privatizimi, ku do shkoje po të ishe thjesht një qytetar i thjeshtë. Do ngrihej, polici, prokurori, hetimi pasuror, me demek një taskë-forcë e do ta merrnin e çëfësht, sa të dilte nga puna, a me brekë që në sabah pa dalë nga shtëpia e do ta rrasnin tek qelitë e burgut. Do të fillonte një mega-proces për këta shushunja që i pinë gjakun këtij populli. Populi do të dilte në rrugë, a ekrane dhe do t’i thoshte aferim qeverisë, bjertingut, atlantikut, eurotingut, hazërtingut, për këtë vepër me kaq rëndësi jetike për të.

Nëse do të ishte një qytetar. Po kur është gjyqtar, prokuror a trajtohet edhe ky si qytetar.

Jo. Nuk është qytetar. Sidomos kur e ka xhan Komandanti. Ai mund të harrojë si të gjithë të tjerët. Ju kujtohet si filloi sëmundja e harresës për të gjithë: deputetë, kandidatë për deputetë, kryetar bashkie, sa filluan të plotësojnë kartat. Kishin harruar ku ishin pas viteve 1990 ose në rininë e tyre të hershme. Gjithçka që u kujtohej fillonte nga viti 2013, viti i Rilindjes së tyre në kuptimin e plotë të fjalës. Tani ata kishin një identitet të ri, pasuri të reja, një jetë të re dhe nuk u bëhej vonë fare për atë që kishin kaluar dhe as nuk donin të kishin të kaluar. Madje filluan të talleshin, përqeshnin, qeshnin e ngërdhesheshin me ata që jua kujtonin bëmat dhe gjëmat e rinisë. Por edhe kur horllëku doli sheshit, kishin një justifikim, krejt origjinal, të padëgjuar më parë: “U gjendëm në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, me shoqërinë e gabuar dhe bëmë gjënë e gabuar”. Disa të tjerë nuk e pranuan kurrë, se kishin bërë ndonjë dallaver, duke u futur në hipnozën e amnezisë totale. “Nuk na kujtohet, se ishim të rinj, ndoshta kemi qenë të dehur e kemi bërë ndonjë gjë, por përsëri nuk mbajmë mend.” Ndërsa justifikimi mjaft artistik, për të justifikuar horrlëkun politik, është: Ndërrova emrin për arsye estetike, ose si gjithë shqiptarët, për të nxjerrë bukën e gojës”. Po sikur një shqiptar i thjeshtë të kishte ndërruar emrin nga Gjergji në Jorgo dhe të kërkonte të kontribuonte për qytetin e tij si kryetar bashkie. Me këtë të fundit ndryshon puna. Ky do të etiketohej si armik dhe spiun i vendit fqinj, prej komandantit dhe larove të tij. Po le ta ngasim pak muhabetin për prokuror e gjyqtar. Këta të fundit të shkojnë në satër një nga një, por ndonjë përjashtim të vogël do të bëjëm- bën thirrje Komandanti. Dhje kriteret për të qenë i denjë, janë të njëjta me ato që përmendëm më sipër për politikën që drejton këtë vend. Duhet të harrosh të deklarosh shuma të mëdha lekësh. Të fshehësh pasurinë, të kesh qenë, ca kohë në hetuesinë e shtetit komunist, të kesh lidhje me ndonjë të qeverisë, mundësisht me të madhin fare, të fshehësh dosjet e korrupsionit që nuk i nxë dot një kamion. Ja këtij i them anëtar me vlerë i gjyqësorit të pastruar nga llumi. Si mor i shkon në mendje ndokujt se e bëri me dashje një goxha gjyqtar e na tha se kishte harruar pa shënuar 100 milion lekë!? Jo mor jo e bëri krejt me zemër të pastër. Njerëz jemi dhe harrojmë. Do thotë ndonjë nga ju që mua më kujtohet edhe sa herë kam masturbuar në rininë time të hershme. Po, ty të kujtohet ca nga frika e ca nga nostalgjia. Ndërsa gjyqtari ka punë të mëdha. E në atë mori shkresash edhe harron. Prandaj unë nuk e kuptoj se pse bëhet kaq zhurmë. Ah po. Po të ishte se kishe harruar pa shënuar një 3 milion lek të vjetra, një gjysmë shtëpie të vajzës a nipit, një këst pagese të kredisë në bankë, kjo po përbën krim, të rangut ndërkombëtar.

Lini nje pergjigje