Feti Zeneli: “Ndodhina amzore” dhe Shqipëria migratore

0
237

Nga Feti ZENELI

 

“Njeriu ikën, por populli përtërihet parreshtur”, thoshte Alfred Vinji, shkrimtar francez i shekullit të 19-të. Me popull apo popullsi do të kuptojmë numrin e njerëzve me banim të përhershëm në një vend të caktuar. Është pikërisht kjo lloj përtëritje e popullsisë, për të cilën flet Vinji, që i jep çdo vendi fytyrën e tij të papërsëritshme. Të dhënat e para për numrin e popullsisë shqiptare i përkasin vitit të largët 1870, të marra nga “databaza” e Maddisonit, si burimi i vetëm i informacionit, ku numëroheshin rreth 446 000 vetë. Agnus Maddison është një historian ekonomike i mirënjohur për krijimin e serive kohore të vlefshme për krahasim. Të dhënave të tij u referohen shumë ekonomistë të zhvillimit, si një burim unik të dhënash të vlefshme për krahasimin në periudha të gjata kohore të atyre shteteve apo vendeve, sipërfaqja tokësore e të cilëve ka ndryshuar me kalimin e kohës, sikundër është dhe rasti i Shqipërisë. Ndërkohë, regjistri civil, filloi të përdoret pas Kongresit të Lushnjës më 1921. Qeveria krijoi një sistem administrativ kombëtar për të regjistruar “ndodhina amzore”, ku shënoheshin lindjet, vdekjet, martesat, divorcet dhe shpërnguljet. Censusi i parë tërësor u realizua në vitin 1923, ku popullsia e vendit tonë arriti në 814 380 vetë. Në censusin e vitit 1930 organizuar nga qeveria e Mbretërisë Shqiptare, popullsia rezultoi në 1 003 097 banorë, me një rritje mesatare vjetore prej 2.9 për qind në vit për periudhën shtatëvjeçare 1923-1930. Kjo është rritja më e lartë pas asaj të regjistruar në vitet 1955-1960, në masën 3.1 për qind. Më pas, deri në fund të viteve ’80, popullsia e vendit tonë është rritur me 2.7 për qind në vitet 1960-1969, me 2.3 për qind në dekadën midis viteve 1969-1979 dhe 2.1 për qind për periudhën 1879-1989. Kësioj në fillim të viteve ’90, në kohën e  fillimit të proceseve demokratike, Shqipërinë numëronte rreth 3.2 milionë banorë. Pas këtij kulmi numri i popullatës shqiptare erdhi në rënie, si pasojë e emigrimit masiv. Gjatë dekadës së parë pas rënies së komunizmit, popullsia u reduktua me 0.35 për qind në vit, në dekadën e dytë, pra në periudhën 2001-2011, ritmi i rënies u përshpejtua në 0.92 për qind në vit, ndërsa këto 6-7 vitet e fundit ka një farë stabiliteti, për shkak të pamundësive reale, ndërkohë që dëshira për të ikur mbetet e lartë. Sipas INSTAT, në 1 janar 2018, popullsia e vendit tonë ishte në shifrat 2.87 milionë banorë ose 100 mijë më pak se në 2016-ën.

Pa u ndalur më tej në këto “ndodhina amzore”, mjafton të kujtojmë fatalitetin demografik të sistemit tonë demokratik, ku gjatë viteve të tranzicionit vendit tonë i kanë ikur mesatarisht 50 000 banorë çdo vit, ndërkohë që në vitet e monizmit, Shqipërisë i shtoheshin rreth 67 000 vetë çdo viti, e cila përbënte një nga shtesat më të larta natyrore të popullsisë në botë. Natyrisht, duke bërë këtë krahasim, nuk duam të themi që monizmi ishte më mirë se demokracia, por të analizojmë arsyet subjektive të cilat kanë ndikuar në këtë zbrazje masive të vendit, dhe që me shumë gjasë do të vazhdojnë përgjatë gjithë këtij shekulli, ta katandisin “kokoshi një thelë” gjithë popullsinë e Shqipërisë. Konkretisht, raporti më i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që u referohet  ritmeve aktuale të lindshmërisë, emigracionit dhe lëvizjes së qytetarëve tanë parashikon, se në fund të shekullit të XXI, popullsia e Shqipërisë, mund të zbres nën një milion banorë, afërsisht aq sa ç’ka qënë para 100 vitesh. Siç dihet, statistikat e para zyrtare të regjistrimit të popullsisë shqiptare, i përkasin vitit 1923, periudhë në të cilën vendi ynë numëronte 823 mijë banorë. Pra, pas afro 80 vitesh, deri në fund të këtij shekulli, Departamenti i Popullsisë në OKB parashikon, që popullia e vendit tonë, përsa i përket numrit të saj, të kthehet 180 vite prapa; pra aq sa ç’ka qënë një dekadë pas shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë ose 2 milionë banorë më pak se sa ishte në 1 janar të këtij viti. Por  ajo që shqetëson më tepër në këtë drejtim lidhet me faktin, se Shqipëria po humbet gjithnjë e më shumë nga “dividend” i saj demografik, për shkak se popullsia po pakësohet me ritme të shpejta në “grupmoshën e artë” 0-40 vjeç, teksa numri i personave mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi. Sipas statistikave më të fundit, numri i të rinjëve pësoi rënie me 2 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që popullsia e plakur u shtua me 3 për qind. Rënie prej 1.1 për qind ka gjithashtu dhe në grupmoshën 20-40 vjeç, që përbën kulmin e funksionimit fizik të njerëzve për punë. Nga ana tjetër, të zë trishtimi kur njihesh me treguesin mesatar të lindshmërisë, që përbën “fabrikën” e shtimit të popullsisë së një vendi, i cili sipas statistikave zyrtare më të fundit është rreth 1.5 për qind për çdo çift bashkëshortor në Shqipëri. Kjo shifër tregon se popullsia e vendit tonë po zvogëlohet ndjeshëm, pasi me treguesin e lindshmërisë prej 1.5 fëmijë, nuk arrihet të sigurohet as riprodhimi i çiftit, që minimalisht kërkon dy fëmijë. Ajo që ka ndodhur me popullsinë shqiptare në vitet e tranzicionit, kur numri i saj është ulur ndjeshëm, nuk ka ndodhur as në dy dekadat e fundit të kohës së Luftës, ku ajo është shtuar me mbi 200 mijë vetë, ose me 37.8 për qind. Mjafton të kujtojmë se pas viteve ‘90 kanë ikur mbi 1.3 milionë shqiptarë, kryesisht drejt Greqisë dhe Italisë, një pjesë e mirë e të cilëve, as që kanë ndërmend të kthehen më mbrapsht. Në vitet e pluralizmit, për shkak të procesit të tranzicionit drejt demokratizimit të strukturave politike dhe ekonomike, dëshira për të ikur erdhi së bashku me mundësitë që krijoi lëvizja e lirë e njerëzve. Kësisoj, emigracioni është konsideruar si një ndër elementët kryesorë për të përballuar jetesën e përditshme dhe siguruar të ardhmen, veçanërisht atë ekonomike; të individit, të familjes dhe të shoqërisë shqiptare. Rritja e faktorëve që i shtyjnë njerëzit të lënë vendin e tyre drejt një vendi tjetër, nuk kanë qënë vetëm paqartësitë që kanë sjellë krizat, por edhe dobësimi i faktorëve tërheqës, që rrjedhin nga kontraditat e shumfishta, eksperiencat individuale dhe nga rritja e madhe e pengesave drejt emigrimit dhe integrimit të emigrantëve. Në çdo rast motivet kryesore të emigracionit mbeten ato social-ekonomike, drejt një jete më të mirë, por edhe për shkak të trazirave politike. Ndërsa resurset e brendëshme, jo të përdorura si duhen për momentin, do të ndikojnë tek plaga e emigracionit në vitet pasuese. Në këto kushte politikanët e kohës së sotme nuk kanë asnjë mjet tjetër për ta ndalur këtë rrjedhë, përveç se të zhvillojnë ekonominë dhe të rrisin mirëqënien e popullatës, gjë e cila për fat të keq nuk po ndodh deri tani nga asnjë forcë politike në pushtet.

Përtëritja dhe shtimi ritmik i popullsisë janë bazë e progresit ekonomiko-shoqëror të çdo vendi. Ekspertët më në zë të fushës së ekonomisë, duke filluar nga Ruschir Sharma, autori i librit “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”, nuk na japin qoftë edhe një rast të vetëm, ku rritja ekonomike të ketë vazhduar me ritme të larta për një periudhë të gjatë kohë, qoftë edhe brenda një mandati qeverisës, pa plotësuar kushtin e rritjes demografike me rreth 3 për qind në vit, aq sa ç’e ka patur Shqipëria këtë tregues për një dekadë në kohën e monizmit, duke filluar nga viti 1955. Është kjo arsyeja që Komisioni Europian, një vit pas pranimit në BE të 10 vendeve ish-komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore nënvizonte: “Në histori nuk kemi parë rritje ekonomike pa rritje të popullsisë”. Por duke iu referuar realitetit shqiptar në vitet e tranzicionit, duket sikur teori të tilla nuk gjejnë zbatim praktik, për faktin se pavarësisht rënies demografike, ka patur rritje ekonomike. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ndonjë rritje afatgjatë, por, me përjashtim të ’97-ës, rritja ekonomike ka qënë pozitive. Dhe në këtë rritje ekonomike, rol jo të pakët kanë remitancat, të cilat në dekadën e fundit; pra nga 2007-a e deri në fund të vitit të kaluar arritën në total në vlerën e 11 miliradë eurove, ose mesatarisht 1.1 milardë euro çdo vit. Askush nuk mund ta mohojë se, ekonomia shqiptare ka rezistuar falë parave të emigracionit, në një kohë kur në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë mundësi tjetër zhvillimi ekonomik. Gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë kontribuar në rreth 5.6 për qind të nivelit të PBB-së së vendit. Impakti i remitancave është i konsiderueshëm në rritjen ekonomike, dhe për periudhën që po flasim, nga ku vlerësohet të kenë kontribuar për më shumë se 20 për qind të këtij treguesi. Remitancat përbëjnë një potencial të madh për rritjen ekonomike sidomos në vendet si Shqipëria, e cila ka një diasporë të madhe dhe ku vlera e dërgesave në para tejkalon ndjeshëm vlerën e IHD dhe asistencën për zhvillim të donatorëve. Ekonomistët Jung dhe Martinez në një studim të tyre për efektin e përdorimit në atdhe të remitancave të emigrantëve filipinas arritën në përfundimin, se ato kanë efektin e një “jastëku”, amortizatori social. Këto të ardhura ndihmojnë familjet e emigrantëve për të mbijetuar. Njëkohësisht paratë, që shpenzojnë familjet e emigrantëve hynë në qarkullimin ekonomik, duke kontribuar në rritjen e konsumit, i cili shërben për gjallërimin e tregtisë me pakicë, por edhe të grosistëve. Ndikim vërehet edhe te prodhimi vendas i mallrave të konsumit sidomos i mallrave të konsumit të gjerë. Këto dy studiues konkludojnë, që paratë e këtyre remitancave indirekt shërbejnë, jo vetëm në zbutjen e varfërisë në shkallë vendi, por në gjallërimin e sektorëve të ekonomisë. Nga ana tjetër, një nxitje më e lartë e konsumit nuk zbeh rëndësinë që remitancat kanë në rritjen ekonomike. Konsumi mundëson rritje të vlerës së shtuar në degët e ekonomisë që ofrojnë mallra dhe shërbime konsumi, dhe sektorët ekonomikë që ofrojnë inpute për prodhimin e këtyre mallrave dhe shërbimeve. Ekziston një literaturë e gjerë empirike që dëshmon për vlera të larta të multiplikatorëve të remitancave në prodhim. Studjuesit sjellin edhe rastin e meksikës ku 1 dollar remitanca i shpenzuar gjeneronte 2.69 dollarë të ardhura kombëtare për zonat urbane dhe 3.17 dollarë për zonat rurale. Një rast tjetër i rëndësishëm është ai i Greqisë, ku vlerësohet që në vitet ‘70, remitancat kanë kontribuar për rreth gjysmën e rritjes ekonomike në vend. Studime të tjera dëshmojnë edhe për rëndësinë e remitancave në formimin e kapitalit dhe punësimin e njerëzve. Duke u kthyer në realitetin shqiptar, jo vetëm në aspektin financiar, por emigrantët tanë kanë luajtur një rol të madh edhe në zhvillimin e kulturës së ekonomisë, shoqërisë, apo kulturës qytetare në përgjithësi, duke përcjell në atdhe shpesh herë eksperienca e tyre perëndimore. Mirëpo, pas shumë vitesh të kaluara jashtë Shqipërisë lidhjet e tyre njerëzore dhe si pasojë, edhe ato financiare me të, janë shkëputur. Kështu që, emigracioni shqiptar, në këto shifra dhe në këto momente përbën dramë të madhe për Shqipërinë, që nëse nuk bëhet asgjë për ta ndaluar, pasojat janë të paimagjinueshme. Dihet fare mirë, që grup mosha që kërkon më shumë të emigrojë, është grupmosha e fuqisë punëtore. Në këtë mënyrë, ekonomisë shqiptare do t’i mungojë fuqia punëtore, do t’i mungojnë kontributi i tyre në zhvillimin ekonomisë, sepse kapitali human përgjithësisht është i pazëvendësueshëm. Dhe kjo, do të ketë një efekt zinxhir në të ardhmen, që ende nuk dihet se si do të përballohet. Nga ana tjetër, me kalimin e kohës masa e remitancave do vij duke rënë, duke bërë veç të tjerash, që ndikimi i tyre në treguesin e rritjes ekonomike të jetë “zero”. Në këto kushte, ku 40 për qind e popullsisë së vendit, pjesa dërrmuese e të cilës i përket forcës aktive të punës, ndodhet në emigracion; dhe gjysma e popullsisë së vendit jeton me 2 deri në 5 dollarë në ditë, si askush tjetër në rajonin e Ballkanit; rëndësi merr ndryshimi i mentalitetit qeverisës dhe ndërmarrja e reformave strukturore, për t’mos u mjaftuar më tej me zgjidhje të tipit “Streha Vorfnore”, brenda e jashtë vendit. Siç dihet, më shumë se varfëria, ajo që bën një popull të emigrojnë është pikërisht shpresa se në vendin e tyre nuk ka një të ardhme të sigurt. E me sa duket, shqiptarët, edhe pas 28 viteve pluralizëm, ende nuk besojnë tek e ardhmja e Shqipërisë. Kjo është fatkeqësia më e madhe që mund të ketë një vend në tranzicion, me gati gjysmën e popullsisë së aftë për punë në emigracion. Në fund të fundit, rënia e numrit të popullsisë shqiptare është një tregues, ku askush nuk mund t’i dredhoj përgjegjësisë, pavarësisht se pjesa më e madhe e kësaj përgjegjësie i takon qeverisë, e cila mendjen e ka tek mbajtja me çdo kusht e pushtetit. Të gjithë duhet të kemi të qartë, por në radhë të parë politika, se rënia e popullisë dhe pakësimi i remitancave merr me vete edhe rritjen e ekonomisë, për rrjedhoj të gjithë treguesit e mirëqënies qytetare në trojet shqiptare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here