Edhe unë si të tjerët, e kam gjyshin e pushkatuar

0
554

Dr. Ndriçim Mehmeti

Krimet e komunizmit ën Shqipëri përbëjnë ende një kuriozitet për gazeta studiues të huaj dhe pak zëra vendas. Kur të huajt vijën  këtu “mahniten, tmerrohen, trishtohen, pezmatohen, brengosen “ nga ajo që dëgjojnë. Pa le pastaj kur mësojnë se shteti e ka marrë seriozisht se do të gjejë trupat e atyre që janë zhdukur gjatë periudhës së komunizmit, duke vendosur në një farë mase një lloj drejtësie njerëzore, përmes një gjesti të ashtuquajtur human.

Po a janë vërtete këta të huaj, të interesuar për krimet e komunizmit në Shqipëri?

Unë them se jo? Sigurisht ata kanë shumë inertes në pikëpamje të kuriozitetit, të rritjes së lexuesve, kur ai bie për gazetën e tyre e tyre apo për portalin që drejtojnë, por jo se u djeg barku për Shqipërinë. Për shembull të huajt nuk na mallëngjejnë duke intervistuar njerëzit që kanë pasur gjyshin, xhaxhanë, babanë, nënën, të pushkatuar dhe të na tregojnë se tani janë integruar dhe se po bëjnë përpjekje të mëdha, që përmes historisë së tyre vetjake, të nxjerrin ën pah edhe krimet e tjera të komunizmit. Edhe unë e kam gjyshin të pushkatuar, dikush, babain, nënën, vëllanë, pikërisht nga ata që erdhën e në pushtet në 1944, por askush nuk ka pyetur për mua dhe nuk besoj se do të pyes edhe për të tjerë. Unë jam përpjekur të integrojë vetveten dhe në këtë rrugë ai që ka dhënë dorën e parë ka qenë vetëm ish-ministri Dashamir Shehi. Si unë dhe shumë të tjerë u përpoqëm shumë për t’u treguar të denjë për shoqërinë, duke u shkolluar, duke mësuar, duke punuar si mësues, inxhinierë, juristë etj. Duke u nisur nga përvoja personale, askush, asnjëherë, në asnjë rast nuk më ka trajtuar ndryshe, sepse isha një ish-persekutuar. Kam paguar të gjitha detyrimet e shtetit, të shkollimit, të specializimeve dhe sigurisht nuk ka përfituar asnjë post politik që menaxhon burime njerëzore, financiare apo është përgjegjës për politika në sektorë e fusha të veçanta në këtë shet. Sigurisht që nëse do të më jepej mundësia që të kisha një pozitë të tillë, patjetër që nuk do të refuzoja. Sigurisht do refuzoja dhe madje do të ngrija zërin fort, sa kohë që do të shikoja se ata që qeverisnin me mua, nën qeverisjen time, në atë sektor, në atë korridor, përballë dritareve të zyrës sime, flakeshin njerëz në rrugë, njerëz që protestonin kundër pushimeve nga puna dhe shumë më tepër do të ulërija, për ata që i quaj bashkë vuajtës, ata që u përpoqën të integroheshin dhe u hodhën në rrugë, kësaj radhe prej pasardhësve të diktaturës. Për shembull këta të huaj dhe vendas po të doni bashkë me ta, a e kanë vënë re “rastësinë” e madhe që hierark të lartë shtetit komunist, apo bijtë dhe bijat e tyre drejtojnë shtetin demokratik në Shqipëri, prej qeverisë, parlamentit, gjyqësorit dhe bëjnë edhe vetingun? Sigurisht që jo. Pasi në demokraci “duhet të jemi të gjithë të barabartë”, dhe të mbizotërojë merita. Po cila është merita e një ish-sekretari të parisë në rreth, ministër i brendshëm i shtetit komunist dhe Sigurimit të Shtetit njëkohësisht, që të drejtojë institucionin më të rëndësishëm të një shteti demokratik, parlamentin? Këtë të huajt nuk na e thonë dot. Ashtu sikurse nuk u bëhet shumë vonë se kush ka vuajtur në të vërtetë dhe kush vetë deklarohet si i vuajtur e nuk i ka hyrë një gjemb në këmbë. Pra ajo që vërejnë të huajt dhe i shkojnë pas me shumë qejf, i përshtatet në mënyrë perfektë shprehjes “Qanë  e reja, qan dhe veja”, ose “Oj nga gjëmbi e oj ai nga shkëmbi”. Të huajt p.sh., nuk ua nxë goja disa pyetje thelbësore: Përse nuk hapen dosjet në Shqipëri, sikundër ndodhi në gjithë vendet e Evropës komuniste? Përse nuk u ndaluan të kryenin aktivitet politik dhe të qeverisnin në demokraci, njerëzit që kishin një të kaluar në organet e Sigurimit të Shtetit, kishin drejtuar Sigurimin e Shtetit, hetues, gjyqtarë e prokurorë të diktaturës? Si ka mundësi që ish-të persekutuar ose familjarë të tyre, bashkëpunuan ngushtësisht me pushtetin për të ri-persekutuar shtresën e vuajtur nën regjimin komunist?

Po nëse të huajt janë thjesht kureshtarë të rastit, çfarë mund të bëjmë vetë ne shqiptarët?

Në këtë rast ka modele sa të duash dhe shumë pozitive që i japin përgjigje të gjithë pyetjeve dhe dilemave. A duam të hapim dosjet? Modeli gjerman është më i mirë thotë dikush. Dhe unë sigurisht mund të them në parim po. A duhet të dalin emrat e atyre që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, duke i nxirë jetën njerëzve të pafajshëm dhe duke shkaktuar tragjedi familjare? Përgjigjja në këtë rast është një PO. Shumë prej këtyre njerëzve me shumë gjasë janë në politikë, në pushtetin vendor, në gjyqësor, mësimdhënës etj. A shkon që fotoja e ministrit të fundit të Sigurimit të Shtetit të qëndroj tek “Shtëpia me gjethe” dhe origjinali në krye të parlamentit? Kjo nuk do të ndodhte as në Zambia, Senegal apo Kenia. A ka kuptim që të jetë në listën e pushkatuarve gjyshi, yt, por që pasardhësit të mos kenë as një status, pasi ligji ju mohon të drejtën që kanë fituar po me ligj? A mundet të ketë një status më të lartë një i pushkatuar pa gjyq në fund të vitit 1953 me atë që është pushkatuar në fund të vitit 1943? Si mundet që askush, asnjë autoritet, përfshi edhe ministrinë që e kishte detyrim ndjekjen e situatës së ish-të persekutuarve (2013-2017) nuk ngritën zërin për të persekutuarit dhe pasardhësit e tyre që u hodhën në rrugë në bazë të kriterit politik? Të gjitha këto duhet të na i shkoqisnin në hollësi, ballë për ballë e sy më sy, tanët, shqiptarët. Sigurisht që shteti në këtë rast do të ishte më e udhës ta bënte, por ai është molepsur kaq shumë me të kaluarën komuniste dhe të ardhmen korruptive, saqë nuk i bie në mend për askënd e aq më pak për shtresën e të persekutuarve. Në tërësi nuk kam ndonjë shpresë se dikush mund të jap përgjigje për shumë e shumë pyetje, dilema a problematika që janë grumbulluar prej vitesh. Ashtu sikundër më duket shumë dashakeqe shprehja që qarkullon “ se sado të flasësh askush nuk ta vë veshin”. Gjithkush duhet të përpiqet të thotë ato që mendon edhe kur nuk ka të drejtë. Nëse do të ketë reagim, të paktën do të mësoj sesa të drejtë ka apo se ku ka gabuar. Nëse nuk ka asnjë reagim siç ndodh rëndom, duhet të mendoj se ka të drejtë. Dhe për të drejtën dhe për të vërtetën ja vlen të flasësh e të luftosh edhe sikur të mbetesh i vetëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here