Lamtumirë maturantë, dallëndyshet që nuk kthehen më

0
412

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Ata përfunduan provimet edhe këtë vit. Të rinj të reja, me ambicie ose jo, nxënës të mirë, disa të pa interesuar, dikush i dhënë pas dëshirës për të koleksionuar femra më shumë se dije në shkollë e padyshim mes tyre shquajnë ata që e kanë mbledhur mendjen se, vendi ynë, atdheu i shqiponjave, mrekullia e Mesdheut, perla e pazbuluar në rrëzë të Adriatikut, i ka shanset dhe mundësitë për karrierën e tyre zero. Këta djem e vajza që i janë përkushtuar dijes dhe dëshirës për një jetë sa më të mirë, larg, sa më larg vendit ku u lindën, u rritën, u shkolluan, provuan ledhatimet e para, të sharat, të bërtiturat, puthjet e para, gëzimet dhe zhgënjime, dashuri e tradhti, pabesi dhe padrejtësi e gjithçka që njeriu mund të mësoj në një vend si ky i yni.

Tani ata sapo përfunduan maturantët? Çfarë do të bëjnë?

Dikur kur ishin të vegjël, ata dëgjonin nga prindërit e tyre, fraza bisedash të tilla : “do vuajmë edhe pak po do bëhet më mirë vitin tjetër”, “më duket sikur do na ndihmojë Evropa dhe Amerika”,. “dëgjoji ndihmat që po vijnë”, por drita e shpresës venitej, sapo ndizej. Tani fëmijët e dikurshëm, janë të rritur dhe e kuptojnë vetë, sesa e “mirë” u Shqipëria ndër vite. Ata e panë realitetin me sytë e tyre prej kopshtit deri në shkollën e mesme, përreth lagjes, klubit që frekuentonin e kudo që u shkelte këmba. Panë e ç’nuk panë. Drogë, libra, thika, pistoleta, kallashnikov, mësues të dehur, mësues në delir e të dashuruar marrëzisht me koleget/ët e tyre dhe më shumë me drejtuesin e shkollës, para nën e mbi dorë, mësues të përkushtuar, të dashur, si prindër të dytë, prindërit që ju kanë munguar etj, etj. Dëgjuan e panë të detyruar më shumë nga prindërit, paradat e sukseseve të vendit të tyre, përjetuan me ankth të madh, provimet e maturës, shanë e mallkuan ata që kopjuan, ndërsa të favorizuarit, ata që kopjuan u tallën me elitën, përpjekjet e tyre dhe të prindërve e tyre. Ata më të mirët, kthyen kokën pas e menduan: “U lodhëm për asgjë. Përsëri në një qafë mali dolëm me ata që nuk vinin në mësim, që kishin babain deputet, kryetar të partisë së zonës, kishte mamin drejtoreshë apo me ndonjë çik pozitë. Ata fituan gjithçka. Hanin e pinin çfarë dëshironin, femra rreth vetes, vinin e iknin kur ju donte qejfi në shkollë. Ndërsa ne – pyesin më të mirët? Nguruam t’i thonim vajzës që na ndiqte me bisht të syrit në korridor se edhe unë e dëshiroja atë po aq sa ajo më dëshironte ajo mua. Do të donim të kalonim një mbrëmje të zjarrtë, larg stresit të librave, larg llafazanëve, hipokritëve, në krahët e butë të njëri-tjetrit e të kisha kujtimin më të paharruar të puthjes së parë, shtrëngimit të një femre, për të cilën hera-herës nuk më zinte gjumi. Mbase ajo nuk do të bëhej gruaja e ime, por unë do të kisha mësuar shumë se çfarë fuqie ka një femër, jo vetëm për hiret dhe bukurinë, por më shumë për shpirtin dhe qetësinë që të falin përqafimet dhe përkëdheljet e saj”. Për fat të keq disa prej këtyre të rinjve elitarë, sakrifikuan shumë, duke u vet izoluar prej  këtyre argëtime dhe në fund cili ishte rezultati? Fituan të drejtën që me djersën dhe mundin e tyre të ikin jashtë vendit.

A është kjo një zgjedhje e detyruar apo thjesht një dëshirë, si gjithë bota?

Nuk ka dhe nuk gjen ndokënd që të thotë se të studiosh në Shqipëri është më mirë se në Angli, Itali, Holandë e gjetiu. Por ama nuk gjen rini më të dëshiruar se kjo e jona, që t’ja mbathi, nëse i jete mundësia larg vendit të tyre. Po ashtu gjen edhe një pakicë, që brenda apo jashtë vendit, fati i tyre është i shënjuar të jetë sa më i mirë. Ata ende pa filluar shkollën i kanë gjetur vendet e punës: Tek ANTA, në Bankën e Shqipërisë, Autoriteti i kësaj dhe asaj, Avokati i Popullit, Shërbimi diplomatik  etj. Sigurisht që kanë edhe mundësi të japin mësim part-time, pasi janë mendjendritur. Pra me pak fjalë ky soj fëmijësh të përkëdhelur gjatë gjithë jetës, kanë nënën, babain, gruan/burrin e dytë të mamit dhe të babait që mendojnë për ta, të sistemohen në punë të mira me shumë lekë. Pra aveniri i tyre është i parashkruar, që pa lindur. Të tjerët? “Shijojnë frytet” e demokracisë, “konkurrencën” e ndershme, “fiton më i miri” e pallavra të këtilla që shiten me shumicë e pakicë nga zyrat më të rëndomta të bashkisë e deri tek kryeministria. Do të hasësh lot gëzimi e mallëngjimi “thirrje” për ndihmë nga të mëdhenjtë, por ata nuk të ndihmojnë kurrë, kur ti je në siklet me fëmijën tënd nga halli i krijuar prej qeverisë. Ata në këtë rast kur të rinjtë vuajnë, kanë një përgjigje standarde: “Proqesi është në rregull”. Kështu që të rinjtë e kanë humbur tërësisht vetëbesimin tek vendi i tyre dhe kanë vërshuar në rrugë, me libra e metodat e gjuhës gjermane, për të gjetur shpëtim. A e di këtë qeveria, mistria përgjegjëse, OJF-të që hanë e majmen me studimet për hallet e rinisë dhe organizmat e huaja? Padyshim që po. Por nuk e kanë në agjendën e tyre hallin e të rinjve. Kanë më shumë rëndësi reformat në drejtim të ruajtjes së nivelit të borxhit publik, stabilizimi i monedhës euro, nismat në drejtim të kthimit të fshatit në qytet (rilindja rurale), turizmi elitar me hotele e restorante të hatashme, mbarëvajtja e industrisë së kumarit. Të gjitha këto “reforma, nisma, e punë të mëdha që do të bëjë qeveria”, nuk kanë nevojë për rininë, mendjen e tyre, talentin, fuqinë dhe energjinë e tyre. Ato i qëndis vetë Komandanti, me partnerët e tij në biznes, të vendit dhe të huaj. Prandaj po bëhen edhe më shumë aeroporte me qëllimin e mirë që të ketë sa më shumë mundësi largimi të popullatës drejt botës. Po shoqëria a është e interesuar, për këta të rinj? Aspak. Shoqatat janë “të brengosura” për këtë fakt aq shumë sa i zë gjumi top. Gdhihen në mëngjes e thonë “E dimë që po na ikin të rinjtë, por nuk kemi fonde të mjaftueshme për sensibilizim”!?Po Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, a ka ndonjë shqetësim për numrin gjithnjë e në rritje të maturantëve dhe të rinjve që duan të ikin jashtë vendit? I qan zemra. Dhe me “dhembshuri prej nëne e babe” i ndihmon të bëjnë gati dokumentet, t’i vulosin, pasi paguajnë për firmën dhe vulën dhe t’i përcjellin nga sytë këmbët. E ç’mund të bëjë më shumë xhanëm? A duhet të lihet e lirë rinia që të vendosi vet në fund të fundit? Por ju lutem ministren mos e pyesni për këtë. Ajo ka kohë që është me pushime (long vacation), ndërsa ndihmësit e saj më të afërt, nuk dinë as vetë se çfarë të bëjnë. Lamtumirë maturantë, dallëndyshet që nuk do të kthehen më. Paçi bekimin dhe ndihmën e Zotit kudo që shkoni, sa kohë që vendi juaj ju dëboi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here