Kush je ti mor këlysh, zog k*rve që në emër të parave e rrugës tënde politike….

0
1904

Po kaloja dje rastësisht para Teatrit Kombëtar, edhe u ula në një nga ata stolat anash. Në vesh ndotja akustike e një muzike të tmerrshme, nga një karrocë ambulatore akulloresh të shtrenjta. Ata që kishin dalë të protestonin, që ata qofshin si dalin përditë, po shpërndaheshin. Ulur aty po shihja atë godinën, që t’ju them të drejtën s’më pëlqen fare. E shikoja dhe m’u kujtua se nuk e mbaja mend herën e parë që kisha qenë në teatër. Prindërit dhe xhaja beqar, që më nxirrte shumë, më kanë futur që pa mbushur moshën e lejuar në estradë e në teatër. U luteshin biletashitësve se isha i urtë e nuk bëja zhurmë.

Nga Genti Shehu

Një nga shfaqjet e para që kujtoj ka qenë “Dashi pa brirë” me Roland Trebickën, një komedi plot me keqkuptime. Mbaj mend se si vraponim me mamin e babin të kapnim “Natën me hënë”, se atëherë në 7 pa 5 derës i vihej kyçi. Më kujtohet si më ka shokuar fakti që Ema Andreas i kërkonin një vërtetim që ishte vajzë dhe unë, një fëmijë naiv, thosha: “po kjo duket që është vajzë”. Sa e kam urryer Yllka Mujon në atë shfaqje, aq e kam dashur te Fernando Krafi. Yll e bukur më dukej!

Katër herë e kam parë “8 persona plus” dhe katër herë kam qeshur me shpirt, si herën e parë. Mbaj mend se kam dëshiruar që edhe “Pallatin 176” të mund ta kisha parë aty. Kë nuk kam parë në atë skenë. Kam shkuar edhe kur kishte shfaqje të çuditshme, që nuk më pëlqenin, kam shkuar dhe kur shfaqjet filluan të kishin prapë shije. Kam qeshur me lot me Olta Dakon tani së fundmi, paçka se s’më leverdiste fare dhe ma ka bërë mishin kokërr Luiza Xhuvani. Pak emra po përmend, po kë s’kam parë aty nga aktorët e kë s’kam shijuar nga shfaqjet.

Rrija ulur në stol e kujtoja ato që kisha parë aty brenda dhe e kapa veten që më ishin mbushur sytë me lot. Godina e re mund të jetë e bukur, moderne, po muret e saj nuk do të m’i risjellin gjithë këto kujtime. Aty u kujtova që kur kaloj te ish-Estrada, nuk më kujtohet më “Hamleti dhe skarciteti”; kur kaloj te ish-Kinema 17 Nëntori, nuk më kujtohet më se si u vramë me njerëzit atë darkë vere me xhajën, si e si të shihnim cip mbi cip “Këmbëmadhin e Egjiptit”; kur kaloj te ish-Kinema Dajti nuk më kujtohet më se ç’gëzim ishte që me klasën do të shihnim “Komisarin e Dritës”, jo se na pëlqente filmi, po se do të shkonim në kinema të gjithë bashkë; se kur kaloj te ish-Kinema Republika, nuk kujtoj më as dritën e “Mimoza Llasticës”, as traumat e “Rrethit të Kujtesës”, as emocionet që na ngjallte “Shamikuqja”…

I mbajta lotët, se turp kush na sheh të qajmë në publik, po më kapi një zemërim dhe më lindi vetë pyetja: “Po cili je ti, more zog kurve që s’më le një kujtim në këtë qytet? Cili je ti, mor këlysh, që në emër të parave e rrugës tënde politike, më shuan mua kujtimet më të bukura të një kohe, që nuk më kthehet më? Cili je ti që me maskën e “zhvillimit të qytetit” na shkatërron kujtesën kolektive, sikur ne të mos kishim ekzistuar gjer para kohës tënde? Po deshe ta zhvillosh qytetin keni boll cepa, po s’e ke aty hallin ti, jo…”

Befas ajo godinë e rrëgjuar m’u duk më e bukura në botë. U ngrita. Nuk durova dot më të imagjinoja se si me muret e saj, do të shemben edhe disa prej kujtimeve të mia më të bukura. Po jam i sigurt se edhe disa prej të tuave…/Respublika

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here