Gëzim Tushi: Njeriu publik, integriteti dhe dyfaqësia…

0

Nga Gëzim Tushi:

Loading...

 

“Të jesh apo të kesh”, është një nga librat e shkëlqyer të sociologut Erich Fromm-it, por dhe një nga modelet e studimit socialpsikologjik të natyrës komplekse të njeriut. Mjeshtri i madh, me bisturinë e sociologut i bën “rotgenoskopi sociale” shfaqjes së njeriut modern, sjellja private dhe publike e të cilit luhatet midis egoizmit të brëndshëm dhe nevojës së shfaqjes së natyrës sociale (altruizmit).  Ky njeri i shquar ka kohë vdekur dhe nuk arriti të shikojë me observatorin e tij socialpsikologjik, dukuritë dhe fenomenet e reja të postmodernitetit, që kanë kapur si kancer shoqërinë globalisht dhe në tërësi. Sidomos ato si shoqëria jonë që akoma për fat të keq ndodhen në kufijtë e fundit të tranzicionit moral, në të cilët dukshëm ka shpërthyer shfaqja tek njerëzit e zakonshëm, por veçanërisht tek ata që kanë përgjegjësi sociale dhe luajnë role publike e një lloj “dyfaqësie të papërmbajtshme”. Sidomos evidente është kjo dukuri sociale tek personazhet e jertës politike, që janë padiskutim individët më të rëndësishëm dhe më të dukshëm të jetës politike dhe që njëherësh luajnë role publike.  Njerëzit e shoqërisë sonë, një pjesë e tyre më sakt, tani nuk kanë më dilemën e Frommit, të “jesh apo të kesh”. Shoqëria jonë tani, është kthyer në një “teatër të madh”, në të cilën një pjesë e njerëzve publikë kanë tjetër hall. Ata janë në merakun si të “luajnë” rolin social në përputhje me pozitën e tyre në shoqëri, duke mos u shfaqur në publik tërësisht thelbi i tyre, si detyrim që buron si obligim i “natyrës publike” të rolit që janë ngarkuar apo kanë zgjedhur të luajnë.

 

Pra në vënd të asaj, që Frommi i quante “dy modalitete” të ekzistencës, në shoqërinë tonë performance e personave të jetës publike përgjithësisht ka marrë formën e shfaqjes si një “alternativë e re”, që përkthehet në ndërlikimin social të problemit dilematik, midis asaj që janë në të vërtetë dhe asaj që duket në pamje dhe sjelljen publike. Sikur të kishim dëshirë ta formatonim këtë dilemë të re ekzistenciale të njerëzve në shoqërinë tonë, do të formulohej “Të jesh apo të dukesh ”? Ne çdo kohe ne shoqëri ka qënë dhe mbetet problem i veçante, raporti i thelbit te vërtetë të njeriut si “qënie në vetvete”, me sfondin e integrimit social dhe shoqërinë në tërësi. Ky nuk është problem i thjeshte. Është esencial, nga më të ngatërruarit. Sepse ka të bëjë edhe me tipologjinë e botës së brendëshme të njeriut publik por dhe me strukturën e marrëdhënieve sociale me shoqërinë shqiptare në tërësi, sepse ka te bëjë me ca raporte që kanë rëndësi, për përcaktimin e raportit te njeriut si “identitet më vete”, me vleresimin social që i bëhet figurës së tij nga njerëzit, nga shoqëria. Në të vërtetë gjithnjë, në çdo kohë ky raport sidomos tek njerëzit që luajnë role publike ka qënë problematik.

 

Por në kushtet e shoqërisë tonë është bërë “emblematik”. Pavarësisht se për shkak të zhvillimeve politike dhe natyrës specifike të tyre në Shqipëri akoma nuk i është zbuluar si duhet publikut dhe nuk konturohet sociologjikisht saktë kjo dukuri sociale e “dymëzimit”. Mbase nga që njerëzit e thjeshtë nuk e vrasin shumë mëndjen për këtë dukuri sociale që nuk lidhet drejtpërdrejt apo direct me interest e tyre, ose nga që ata janë të zënë me hallet e jetës së përditëshme dhe nuk kanë kohë për të studjuar ekuivalentët teorikë apo të bëjnë përcaktime të sintetizuara” të këtij  fenomeni social, edhe pse ai tashmë shfaqet shumë i zgjeruar dhe shqetësues, për fat të keq.  Njerëzit e thjeshtë kanë sensibilitetin social dhe sensibilitetin human për të ndjerë në eterin social, atë që po ndodh me sjelljen dhe qëndrimet e dyzuara të disa drejtuesve të jetës publike në Shqipëri. Në këto kushte është fare e qartë që njerëzit e thjeshtë nuk e kanë mundësinë e interpretimit të “teatrit” që luhet në jetën publike, të qëndrimit me dy faqe të disa njerëzve me role publike, të shprehur në esencën e parimit të njeriut që kërkon të fshehë thelbin njerëzor të deformuar, me shfaqjen publike teatrale, në shumë raste të ndryshuar nga thelbi i vërtetë dhe i maskuar me gjeste e fjalë.  Në këtë aspekt ka patur dhe ka debate politike, sociale e urbane që duhen thelluar nga media, bota akademike dhe shoqëria civile, për të ndihmuar opinionin publik që të mësojë se nga duhet nisur në gjykimin e personalitetve publikë, që kanë detyra dhe role përfaqësuese. Nga vlerësimi që shoqëria i bën individit, apo nga qëndrimi i tij i vërtetë, në raport me të. Cilat jane “mizurat vlerësuese” për sjelljen dhe rolin social të njeriut publik? Nga duhet të nisemi për të bërë vlerësimin e tij, nga thelbi i tij social apo nga fondamenti biologjik, nga vlerësimi që të tjerët bëjnë për të, apo nga vlerësimi që ai i bën vetes? Në ketë kontekst, gjithnjë shoqëria e ka të vështirë të vlerësojë si duhet, qartë dhe saktë thelbin e vërtetë të njeriut publik.

 

Sidomos të bëjë gjykime të vërteta, të thelluara e të argumentuara të asaj që duket si “lojë teatri” në jetën publike nga ajo si ai shfaqet publikisht në shoqëri. Sepse mund të shfaqet ndryshe nga cështë në thelb, ose ajo që duket, përmes fjalëve, nuk përputhet me thelbin e tij, duke të cuar në gabime vlerësuese, ndaj tij.  Për ndonjë që njihet mirë, me rëndësi është që të luhet roli aq mire, që sa  të jetë e mundur, që t’i maskohet publikut, t’i shmanget investigimit, hetimit social, publik apo ligjor. Tek disa politikanë kjo tentative për të luajtur role publike, duke u nisur nga pozita sociale e privilegjuar, i ka zhdërvjelltësuar, që në teatrin e tyre te jenë të komportuar në mënyrë perfekte, me synimin e qartë për të fshehur thelbin e vërtetë të tyre, duke u udhëhequr nga parimi moral më i keq, sipas të cilit “nuk ka rëndësi si je, rëndësi ka se si dukesh”.  Në këtë tip social është i rëndësishëm sigurimi i kushteve, për të fshehur thelbin, esencën duke perfeksionuar “maskat” e komportimit social me publikun, ato që sikurse në teatrin e vërtetë njeriut që është aktor në jetën publike i duhen pikërisht si mjet për të luajtur rolin social. Ka shumë mjete të sofistikuara, që përdoren për të luajtur këtë rol, që nga dyfaqësia, modestia e reme, shfaqjet populiste e “barazitariste” në publik, fshehja e pronave dhe pasurive, shmangia e kujdeshme e skandaleve, të natyrave abusive financiare dhe seksuale.  Të gjitha këto, nisur nga parimi se rëndësi për ta ka ruajtja e aparencave në opinionin publik, mbrojtja nga ekspozimi, nga zbulimi i “thelbeve” që qëndrojnë të fshehura në shpirtin, mëndjen dhe xhepin e tij. Përdorimi mjeshtëror i sloganeve, ruajtja e imazhit populist, shfaqjet e shëmtuara të modestisë dhe barazisë, sot janë bërë shfaqje banale e sjellje të neveritshme. Sidomos kur ato luhen si mos më keq, pikërisht nga politikanët apo përgjithësisht nga njerëz që kane role sociale e përgjegjësi publike në shoqërinë tonë.

Nuk është i ri debati, diskutimet masive që bëhen gjithnjë e shumë më shpesh në të gjithë ambientet e shoqërisë shqiptare për sjelljen, dukjen, thelbin dhe integritetin social të personave të jetës politike dhe publike në përgjithësi. Më saktë të atyre që “kemi mbi krye”, për natyrën e tyre, përgjegjësinë morale dhe dinjitetin personal. Nuk ka pse habitemi. Në një shoqëri demokratike, është fare i natyrshëm ky lloj debati dhe trajtat individuale e komunitare të këtij lloj diskutimi.  Sepse bëhet fjalë jo për intervenime të padrejta në jetën e “njeriut privat” por është fjala për njerëzit që kemi zgjedhur apo caktuar të luajnë role politike e publike. Në këtë kontekst është krejt e drejta e publikut, që të gjykojë për aftësitë, përgjegjësitë, moralin dhe personalitetin personal dhe familjar të tyre. Kjo është “shoqëria e hapur”, e cila nuk është në duart e një grupi e as mund të mendohet si pronë private e ca njerëzve, por është si relacion social për të cilin kemi role të caktuara dhe përgjegjësi sociale të gjithë.  Në veprimtarinë e njeriut, nuk janë gjithnjë të përputhura thelbi me shfaqjen, natyra private dhe mardhëniet sociale me veçoritë e personalitetit individual. Ky është një nga problemet, për të cilën kanë nevojë njerëzit e shoqërisë sonë, për ta bërë ca më të vështirë “lojën me role” të njerëzve të saj publikë.

Ky do të ishte një hap i madh në emancipimin social të opinionit publik dhe shëndoshjen e përgjegjësisë së veçantë të shoqërisë civile. “Skaneri social” për njerëzit e jetës publike duhet të bëhet akoma më “inteligjent” dhe tejet sensibël në mënyrë që të mund të ndihet më fort përgjegjësia qa kanë ata që marrin përsipër të jenë persona publik dhe vendimmarrës të jetës sonë sociale. Të luash rol publik nuk do të thotë të tallesh me publikun dhe akoma më keq, të shpërfillësh shoqërinë…

Loading...

Lini nje pergjigje