Krimet e komunizmit live më parë e mandej online

0
179

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Një nga debatet që ka nisur e nuk ka përfunduar, është lënë në mes, është hapur e mbyllur në situata të veçanta e asnjëherë seriozisht, është ai mbi krimet e komunizmit e në Shqipëri. Tashmë dihet e pranohet botërisht se diktatura komuniste në Shqipëri, është zbatuar në mënyrën e saj më origjinale e shtirë në gati gjysmë shekulli, në mënyrën më çnjerëzore se në asnjë vend tjetër. Por njëkohësisht ne jemi vendi, që kemi ende mbi krye ish-komunistët apo pinjollët e tyre në origjinë, karakter dhe në mënyrën e të vepruarit e të sunduarit. Por të gjitha këto duket se nuk kanë mjaftuar ende për një reagim serioz ndaj krimeve të komunizmit. Së fundi ideja më interesante duket ajo e krimeve të komunizmit online. E ndoqa me vëmendje këtë iniciativë dhe sigurisht nuk mund të mos shpreh vlerësimin tim, si një njeri i fushës së historisë por edhe pjesëtar i një familje të persektuar nga regjimi. Po pyetja që më lindi është:

Krimet e komunizmit më parë live, apo online?

Kur flasim për krimet e komunizmit, mendja besoj se të shkon sesa kemi arritur të rehabilitojmë, integrojmë, mbështesim, viktimat e këtyre krimeve dhe familjarët e tyre? Kë quajmë krim të komunizmit, në cilën periudhë kohore shtrihet, sa dhe si ka ndikuar në jetën e individëve, shoqërisë, familjeve të veçanta dhe individëve. P.sh., kur flasim për krimet e komunizmit a na vjen në mendje një rast live, që nuk ka nevojë për dokumentim online: Ish-ministri i fundit i Brendshëm dhe i Sigurimit të shtetit është kryetar i Parlamentit shqiptar dhe me kushtetutë zëvendës presidenti i Republikës? Kur flasim për diktaturën, a kemi parasysh faktin live që ish-hetuesi i diktaturës, është bërë Ministër i Drejtësisë, Turizmit, i Brendshëm në demokraci? Pinjollë të hierarkëve komunistë, janë pjesë e trupës së Vetingut, një fakt ky live. Shkojmë më tutje.  A kemi parasysh faktin live dhe jo online, që pjesëtarë të shtresave të persekutuara, u hodhën në rrugë të papunë, pa asnjë mundësi jetese, dhe e gjetën veten sërish të burgosur e internuar, por tashëm në demokraci, 13 vite, pasi ajo është vendosur formalisht në Shqipëri. Po të kthehemi live dhe pyesim: Përse u ndryshua ligji dhe njihet e drejta e dëmshpërblimit për të burgosurit dhe të pushkatuarit pas datës 28 nëntor 1944? Si quhen ata që u vranë përpara kësaj date, si rasti i patriotëve gjatë çlirimit të Tiranës, të persekutuar apo viktima lufte apo më keq akoma, dëme anësore “të luftës së madhe” për çlirim. Po ata që u vranë gjatë luftës civile 1943-1944, a quhen martirë të dhunë së komunistëve dhe etjes së tyre për të marrë pushtetin në tavolinë ende pa mbaruar lufta? A mund të ndiqen live krimet e komunizmit, sa kohë ka ngjarje, vende, njerëz që i dëshmojnë? Sigurisht që po. Sa kohë këta njerëz dhe individë, ende vuajnë makthin dhe frikën e krimeve të komunizmit, ata kanë mundësi të na sjellin ndërmend live por edhe online, se çdo të thotë të kesh në kurrizin tënd krimet e komunizmit. Live në mes të ditës, komunistët dalin dhe bëjnë parada si në asnjë vend tjetër dhe ky është krim mbi krim. Kjo quhet tallje, kashirllëk, ngërdheshje me një popull të tërë, me historinë, me vuajtjen me vdekjen me kockat që ende nuk dihet se ku prehen të shumë e shumë martirëve. Fëmijët vihen në resht dhe nderojnë me simbolin komunist, live dhe online dhe përsëri është një krim mbi krimet, i cili ndodh në mes të ditës, në sytë e të gjithëve dhe që nuk ndëshkohet prej askujt. Mblidhen historianë, profesorë fizike të vetëshpallur njohës të historisë, gjeografisë, ekspert të sigurisë, kriminalistikës dhe thonë me gojën plot se krimineli M.Shehu dhe E. Hoxha janë burra shteti dhe duhen nderuar. Dhe e thonë me zë të fortë, pa asnjë drojë live në sytë e shqiptarëve dhe të gjithë botës së qytetëruar. A nuk u pa live dhe jo online, që familjarët e Havzi Nelës, njeriut që u vra për bindjet e tij politike, në kohën e shembjes së Murit të Berlinit, kërkuan drejtësi dhe reflektim për njeriun e tyre të dashur?

Çfarë ka mbetur pa thënë live e pa tallur me ata që e pësuan e vijojnë ta pësojnë nga komunizmi dhe pasardhësit e tyre, që të dali online?

Mesa pashë tek një faqe interneti ca mera, pa fotografi, pa datë lindje, pa datë vdekje, pa histori. Mirë edhe kaq. Kaq ndoshta është mundësia për t’u deklaruar online. Po ashtu në këtë vend të bekuar ku biem kushërinj të tretë, shkollë shkolle, krushq, apo të njohur brez pas brezi, nuk u gjendën dit pasardhësit e viktimave të komunizmit që të thirreshin në sallë, të paktën në shenjë respekti, se zërin dhe emrin vështirë se duan ta dëgjojnë. Nuk u thirrën pleqtë që shpresojnë të marrin ndonjë këst që ta heqin mënjanë për terbiete e vdekjes së tyre. Nuk u panë në sallë as ata që morën përsipër, të mbyllin njëherë e përgjithmonë plagën e të persekutuarve politikë. Dhe këta të fundit, që premtuan e u tallën paq me këtë të shtresë që vazhdon të persekutohet në demokraci kanë emra: Edi Rama, Erjon Veliaj, Blendi Klosi, Bilal Kola e shumë apartçikë, që duket mezi prisnin rastin të hakërreheshin në një mënyrë “shumë të butë” por tejet të sofistikuar e të rafinuar me viktimat e të të parëve të tyre. Kjo ndodhi live në mes të ditës, nën dritën e fakteve të publikuara e të pa censuruara fare prej TV dhe radiove, që tani sigurisht heshtin. Tani çka mund të bëjmë online që na ka mbetur nga ajo që lamë mangët live? Ndoshta shumëçka. Dhe në këtë rast jam fare i sinqertë e nuk kam ndërmend të bëj ironi. Duhet të jemi të vendosur, të pandalshëm për të hapur një kapitull të ri. Po si?  Nuk kemi nevojë të kalojmë në shtigje të paçelura. Me përunjësi rrugën na i tregon At Zef Pllumi. “Mendimi i em qysh në fillim ka qenë se diktatura e kumunistave shqipatrë në Shqipni ka kultivue nëj ideologji që ka solli një shkatërrim të përgjithshëm të virtyteve të trashëgueshme popullore. Për 50 vjet u shkatërrue  gjithçka në këtë drejtim. Duhet  një kohë ndoshta jo kaq e gjatë, por edhe shumë herë ma e gjatë, me u hartue programe të caktueme shkollore dhe edukative, kulturore, morale njishat atëherë mund të shpëtojmë. Duhet një rini e ardhshme, jo rinia që vjen, të arrijmë me ndreqë damet e mëdha, shkaktuar popullit shqiptar në këto vite. Përndryshe nuk ka të ardhme për kombin tonë.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here