Feti Zeneli: “Drogë” dhe “investime kineze” në kohë integrimi

0
323

Nga Feti Zeneli

 

Dy vitet e fundit të mandatit të parë qeverisës të Rilindjes socialiste; pra 2016-a dhe 2017-a, duhet të ishin, veç të tjerash, dy vite pune e përpjekjesh të shumta për të plotësuar 5 kushtet e përcaktuara për të mundësuar çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rritja e profesionalizmit dhe depolitizimi i administratës publike; forcimi i pavarësisë, efikasitetit dhe përgjegjësisë në institucionet e drejtësisë; lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut ishin kryetitujt e 5 disiplinave, në të cilat duhet të përqëndrohej vëmendja e qeverisë majtise gjatë kësaj periudhe. Reforma në drejtësi u inicua, pikërisht, për t’i shërbyer plotësimit të këtyre kushteve në kuadrin e objektivit madhor të Shqipërisë, për t’u bërë sa më shpejt pjesë e familjes së përbashkët europiane. Ndoshta ishte kjo arsyeja, që forcat politike braktisën llogoret e luftës së përhershme partiake dhe “grusht-bashkuar” votuan ndryshimet kushtetuese, që i hapnin udhë kësaj reforme të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit tonë. Pa u ndalur në patrupësitë dhe prapësitë socialiste që shoqëruan implementimin e reformës në drejtësi, apo faktin, që ajo u përdorë tinëzisht nga “Rilindja”, për t’i hedhur hi syve institucioneve të BE-së, mjafton të themi që ajo kontibuoi negativisht në plotësimin e dy kushteve të tjera për çeljen e negociatave të anëtarësimit, siç ishin “lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Në vend që kjo reformë të shfrytëzohej për të vënë para drejtësisë kokat e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, u përdor si vegël në duartë e qeverisë për t’i mbrojtur asaj nderin e humbur të përfaqësuesve të lartë në Ministrinë e Rendit, të cilët, duke filluar nga 2015-a, kur u caktuan 5 kushtet e negociatave e në vazhdim, nga luftues të vendosur u shndërruan në mbrojtës të zellshëm të “fermerëve” kabanistë dhe narko-trafikantëve “kooperativistë”. Nuk dua t’ju lodh e mërzisë me gjëra të thëna e stërthëna deri tani lidhur me çështjen e drogës, por disa të dhëna nga Raporti Vjetor i Drejtorisë Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali për vitin 2017, publikuar këto ditët e fundit, do t’ua citoj: “Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane”, thuhet në këtë raport. “Importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 tonë nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016”, vazhdon më tej ky raport dhe se, “94 rastet e trafikimit të drogës së raportuar në vitin 2017, janë më të lartat në dekadën e fundit, ndërkohë që vlera më e ulët shënohej në vitin 2011, me 49 raste”. Raporti vlerëson gjithashtu, se “nga 14 mijë shtetas të huaj që janë përfshirë në vepra të drogës në Itali përgjatë vitit 2017, nga të cilat janë arrestuar më shumë se 10 mijë rreth 2 mijë persona kanë qenë nga Shqipëria”. “Hetimet, -sipas Raportit, -kanë dokumentuar organizimin kapilar të rrjetit të shpërndarjes së kokainës në shtet europiane që lidhet me organizata kriminale shqiptare, si dhe mundësitë e mëdha në mjete dhe persona që përdoren për këtë qëllim”. Me “arritje” të tilla e priste “Rilindja” 27 qershorin e këtij viti, kur Këshilli i Ministrave të BE-së duhej të vendoste për “çeljen pa kushte të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë”. Por siç e dimë, tashmë, ndryshe dhe nga sa i fërkonin shpatullat qeverisë Lu dhe Vllahutin, Këshilli i Ministrave të BE-së e shtyu ditën e çeljes së negociatave për në dhjetor 2019, duke e çuar, njëkohësisht, edhe numrin e kushteve nga 5 në 13. Në një situatë të tillë duhet të jesh i marrë të thuash: “morëm datën”, kur ke marrë “mandate” e çeljes së negociatave. Nga ana tjetër, fundi i vitit 2019 nuk lidhet në datën e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE, por është parashikuar si afati më i afërt i shqyrtimit të mundësisë së hapjes tyre, në rast se janë plotësuar 13 kushtet, për të cilat Komisioni Europian do të paraqesë një raport të ri. Por çështja e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë ndërlikohet edhe më tej, pasi Këshilli i Ministrave do të vendosë apo do të votojë vetëm pas përfundimit të procedurave të miratimit edhe nga parlamente të vendeve anëtare.

Një tjetër fakt absurd i këndvështrimit të reformave nga qeveria shqiptare në kuadrin e periudhës së provës integruese vjen nga fusha e ekonomisë, edhe pse nuk bën pjesë në “5 kushtet” e 2015-ës. Ndonëse kërkesa të tilla, si fjala vjen, rritja e duhur ekonomike apo shtimi i investimeve në funksion të saj, nuk specifikohen, ato nënkuptohen si kushte të pashkruara integruese. Siç dihet, rritja ekonomike në vitet e qeverisë socialiste e ka patur bazën tek investimet infrastukturore të qeverisë “Berisha”, përfshi këtu dhe IHD-t në proces, si projekti TAP dhe HEC-et mbi Devoll. Asnjë investim tjetër i huaj, qoftë edhe me vlerë më të vogël nuk është kontratuar nga “Rilindja” pas 2013-ës. Ndërkohë vështrimi i qeverisë aktuale për investime të huaja është kthyer nga Lindja, madje nga Lindja e Largët, edhe pse do të integrohet në “Perëndimin e Afërt”; pra në Europë. Një raport i publikuar, së fundi, nga Konferenca për Tregtinë dhe Zhvillimin në Kombet e Bashkuara nënvizohet fakti, se Kina synon një rritje të interesit për të investuar “nën shembullin turk” në Shqipëri, sidomos në sektorin bankar, të naftës, në aviacion dhe turizëm. Blerja e Hotel “Plaza” nga kinezët duket se është “dallëndyshja e parë” e pranverës së investimeve aziatike në vendin tonë. Nuk besoj se shtimi i investimeve të gjigandit aziatik në Shqipëri është thjeshtë çështje e nostalgjisë komuniste, por e babëzisë socialiste për t’u lidhur me partnerë parajsash fiskale e informale bashkë. Natyrisht investimet e huaja “nuk kanë kombësi”, por kur ke afër Europën, ku kërkon të integrohesh, pse duhet t’i kërkosh ato në Azi? Ka një përgjigjie për këtë pyetje, që lidhet me faktin, se investitorët europian, duke e njohur mirë situatën e rëndë të drogës dhe kriminalitetit në Shqipëri, nuk mund të pranojnë t’i investojnë paratë e tyre në një vend ku nuk ka rend e siguri. Kaq shumë ata nuk kanë hezituar as pas ’97-ës, ndërkohë që Shqipëria sapo kishte kaluar një prej situatave të saj më të vështira, për shkak të krizës që përfshiu vendin nga rënia e firmave piramidale. Qeveria socialiste e mesvitit ‘97 zbatoi një program paskrizë, të mbështetur edhe nga donatorët ndërkombëtarë duke thelluar më tej reformat strukturore, veçanërisht në fushën e privatizimit të ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha si edhe të atyre strategjike, gjë që u vlerësuan pozitivisht edhe nga raporti i FMN-së në vitin 2005, kohë kur pushteti kaloi në duratë e demokratëve. Në vitin 2000, investimet e huaja kapën vlerën e 190 milion dollarëve, vlerë e cila u rrit edhe më tej në vitin 2001, për shkak të shitjes së suksesshme të AMC-së tek operatori grek – “Cosmote”, investimeve të mëtejshme nga Vodafone në po këtë degë si dhe lidhjen e “Albkrom” me kompaninë Italiane “Darfo”. Në periudhën 2002-2003 pati një ulje të nivelit të IHD-ve, krahasuar me vitin 2001, duke arritur një vlerë prej 195 milionë dollarë, ndërkohë që në vitin 2004 ato u rritën në 340 milionë dollarë. Kjo rritje u ndikua nga shitja e Bankës së Kursimeve për rreth 200 milionë dollarë, e cila u ble nga Raiffaisen Bank në Austri. Duhet shtuar gjithashtu se deri në fund të vitit 2004 u privatizuan pothuajse të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shtetërore në Shqipëri. Fakte të tilla tregojnë se “socialistët e parë”, nuk shkuan në fund të botës për të kërkuar investitorë të huaj, për shkak të situatës së vështirë në vend, ndryshe nga ç’po ndodh me pasardhësit e tyre, që kanë dëshirë të vetquhen “rilindas”. Përkeqësimi i klimës së të bërit biznes, si dhe përkeqësimi i treguesve në luftën kundër korruspionit e krimit shtoi skepticizmin në radhët e investitorëve të huaj serioz për të sjell kapitalet e tyre në Shqipëri. Ndaj investitorët gjerman e shohin Shqipërinë si të fundit mundësi për investime në rajonin tonë. Rasti më flagrant ishte largimi para pak kohësh i kompanisë “Omnix”, që do të fillonte punimet për ndërtimin e një resorti luksoz turistik në Gjirin e Lalzit në vlerën e 1.5 miliardë eurove, pas masakrimit banditesk të përfaqësuesit të saj, Faad Mitri. Rritja e lehtë e fluksit të investimeve të huaja për vitet 2016 dhe 2017 lidhet me kulmin e punimeve në dy veprat e mëdha, në Gazsjellësin Trans Adriatik dhe projektet e hidrocentraleve të kompanisë “Statkraft” mbi lumin Devoll. Nga ana tjetër, nuk është rastësi që thuajse të gjithë emrat e njohur të biznesit ndërkombëtar kanë mbërritur nga 2007-a deri në 2010-ën. Kësisoj, kompani austriake Verbund, gjigandi norvegjez Shtatcraft, multinacionalja Shell apo qoftë edhe gazsjellësi Transadriatik, janë të gjitha investime të kontraktuara gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që në 4-5 vitet e fundit të vetmet investime që kanë mbërritur në Shqipëri janë, Call Center-at disa investitorë kinezë dhe afrimi i një kompanie turke për Skavicën, por kjo e fundit përmes një proçedure të dyshimtë si korruptive, sikundër u folë dhe në media. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka deklaruar lidhur me çështjen e IHD-ve, se Shqipëria ka humbur avantazhin e taksave të ulëta, pasi barra fiskale në vend është rritur fort dhe tani krahasohet me ato të ekonomive të pasura të BE-së. Problemi i Shqipërisë është se gjendet në mesin e vendeve me taksat më të ulëta në botë, çka është një dizavantazh i madh për vendin në sytë e investiorëve të huaj. Ndonëse për investitorët e huaj vendi ynë ofron burime natyrore të pashfrytëzuara, rregulla liberale për tregtinë, afërsinë me tregjet europiane, sektorë të shumtë në privatizim dhe konçesion, kosto të ulëta pune, fuqi punëtore të edukuar dhe teknikisht të trajnuar, materiale të lëndës së parë me çmime shumë konkuruese, pozitë gjeografike strategjike dhe aftësinë e shqipëtarëve për të folur gjuhë të huaja të ndryshme, etj., të gjitha këto avantazhe zhvleftësohen para historisë së paqëndrueshmërisë së vendit, keqqeverisjes, tensioneve rajonale, infrastrukturës së varfër dhe mungesës së funksionimit të tregut rajonal dhe, tashë së fundi, edhe inkurajimit që ka marrë elementi kriminal, që nuk ndeshet më vetëm në rrugë, por ka arritur të depertoj deri në institucionet më të larta të shtetit dhe shoqërisë. Në një farë mënyre zhvillimi i demokracisë në vendin tonë, ashtu si dhe në vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes u konceptua fillimisht si mbështetje financiare e institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve të tjera të zhvilluara perëndimore, që e përkufizuar ndryshme do të thotë, bum investimesh të huaja në këto vende, gjithnjë sipas kushteve të përgatitura nga ato vetë. Duke iu referuar eksperincës së integrimit të tetë vendeve të para ish-komuniste të Lindjes në Bashkimi Europian në 1 maj 2004, konstatojmë shifra të konsiderueshme investimesh perëndimore në ekonominë  e tyre. Për 14 vjetë tranzicion para integrimit europian të këtyre vendeve, hyrjet progresive të investimeve të huaja direkte kanë qënë rreth 100 miliardë euro. Shuma jo të vogëla investimesh kanë përfituar edhe vendet e tjera ish-komuniste që vazhdojnë të aplikojnë për t’u anëtarësuar në BE, duke përfshirë këtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Statisikat tregojnë se Shqipëria është vendi i fundit në rajon, për rrjedhojë dhe në Europën Lindore që ka thithur më pak investime të huaja direkte gjatë viteve të tranzicionit. Kështu që e ardhmja integruese e ekonomisë shqiptare mund të paraqitet edhe shumë më problematike, në se ajo nuk shihet e lidhur ngushtë me shtimin e investimeve të huaja në vendin tonë, një tregues ky, i cili deri tani është në nivele tepër të ulëta. Por nga ana tjetër, volumi e investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare duhet të jetë shumë herë më i madh se sa në vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes, edhe për faktin se Shqipëria trashëgoi nga e kaluara moniste, një ekonomi tërësisht të pazhvilluar dhe të paintegruar. Baza materialo-teknike e socializmit shqiptar, me përjashtim të një pjese mineralesh, disa produkteve bujqësore dhe bimeve medicinale, nuk arriti të standartizojë asgjë tjetër për tregun e zhvilluar evropian dhe atë botëror. Ky nivel i ulët zhvillimi përbën një apel të fuqishëm për rolin e IHD-ve në zhvillimin e duhur të ekonomisë shqiptare për periudhën e mbetur të integrimit, por “Rilindja” qeverisëse nuk di ku ka kokën e trullosur nga hashashi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here