Çipi flet hapur: Gjergj Bojaxhi të sqarojë akuzat e Altin Bashës për takimin me Veliajn

0

Regjisori Kastriot Çipi, i ka kërkuar Gjergj Bojaxhiut që të sqarojë akuzat e regjisorit Altin Basha në drejtim të tij.

Loading...

Bëhet fjalë për takimin e shumëpërfolur mes kryebashkiakut Veliaj nga njëra anë dhe Altin Bashës, Arben Derhemit dhe Alfred Trebickës nga ana tjetër, lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në këtë takim, sipas Altin Bashës, Gjergj Bojaxhiu në emër të Aleancës u kishte kërkuar tre artistëve që u takuan me Veliajn, që të shtonin në negociata edhe një pikë për konkurs ndërkombëtar për teatrin.

Në intervistën e dhënë sot për “Panoramën”, regjisori Altin Basha, thotë se Gjergj Bojaxhiu i kishte folur në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit duke i kërkuar që në negociatat me kryebashkiakun Veliaj të futej edhe një pikë tjetër për konkurs ndërkombëtar.

Sipas Bojaxhiut, që fliste në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, me këtë pikë kishin qenë dakord edhe kreu i Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, Alert Çeloaliaj dhe regjisori Kastriot Çipi.

Ndërkohë vetë regjisori Çipi, në një status në “Facebook” e hedh poshtë pretendimin e Bojaxhiut se kishte marrë miratimin e Aleancës për këtë çështje.

Çipi shkruan se Gjergj Bojaxhiu e kishte hedhur deklaratën e formuluar si propozim nga Aleanca  një orë pasi takimi mes Veliajt dhe treshes Basha-Derhemi-Trebicka duke e bërë atë fakt të kryer edhe pse kishte marrë fillimisht kundërshtimin e Çipit për propozimin e tij dhe më pas të gjithë Aleancës.

Thotë Kastriot Çipi:

“Me deklaratën e formuluar nga Gjergj Bojaxhiu, si propozim për t’u pranuar nga Aleanca, jam njohur më 27 qershor, ora 10.00, pra në kohën kur takimi me Veliajn kishte një orë që kishte filluar.

Në ora 10.48 i kam thënë Bojaxhiut se nuk jam dakord me propozimin e tij, sepse kërkesa thjesht për konkurs, pa specifikuar objektin e konkursit, linte të hapur shtegun për shembjen e dy teatrove kombëtare me alibinë e konkursit ndërkombëtar. Megjithatë, duke qenë partizan i demokracisë në çdo situatë, e hodha për diskutim propozimin e tij.

Në ora 12.40 e kam njoftuar Bojaxhiun se propozimi i tij nuk ishte pranuar jo vetëm nga anëtarët joartistë, por as nga artistët në kryesinë Aleancës. Në ora 13.00 e kam njoftuar se kryesia e Aleancës ka miratuar versionin tim, ku shkuhej e zeza në të bardhë “konkurs ndërkombëtar për rikonstruksionin ose restaurimin e TK dhe TKE”, ndërkohë që konfirmohej se projekt-ligji thjesht nuk duhej miratuar.

Ftoj publikisht Gjergj Bojaxhiun dhe të tjerët të shprehen për të sqaruar pozicionin e tyre në lidhje me versionin e historisë së treguar në intervistën e Altin Bashës.”

Tha Basha për takimin me Veliajn dhe rolin e Gjergj Bojaxhiut

“Me organizimin e takimit do të merrej Alert Çeloaliaj me Arben Derhemin; Ideja ishte që të vazhdonte dialogu. Alerti kërkoi kohë që të mblidhej kryesia e SASE-s dhe të zgjidhnin se kë do të kishin përfaqësues. Pasdite, Arben Derhemi më njofton se në takim do të shkonim unë, Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Alert Çeloaliaj.

Ndërkohë Gjergj Bojaxhi, në emër të Aleancës më thotë se duhet futur në negociata një pikë tjetër, që ishte konkursi ndërkombëtar. Jemi takuar me Gjergj Bojaxhi për të sqaruar këtë pikë, se çfarë parashikonte konkursi ndërkombëtar. Konkursi ishte i hapur për të gjitha alternativat: rikonstruksion; shembje dhe ringritje nga e para në formën që ka; konkurs për një projekt të ri; për një sallë në mes, duke ruajtur dhe dy anët ekzistuese. Konkursi e fuste në shinat e duhura dhe legale gjithë dialogun dhe ishte një ide e pranueshme për Aleancën.

Kemi dalë nga takimi me Erion Veliajn dhe kemi takuar Gjergj Bojaxhiun, që na lexoi një deklaratë të Aleancës, e cila shprehej pro konkursit ndërkombëtar. Me atë deklaratë ishte dakordësuar Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj”, tha Basha. /Hashtag.al

Loading...

Lini nje pergjigje