Kur Rama kap foto me Presidentin e “dëmshëm” dhe “kërcënimin” e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri

0

Nga Gëzim Saliu 

Në Samitin e NATO-së që po mbahet në Bruksel, kryeministri Rama u mundua në të gjitha mënyrat që të shkëpuste një foto me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Dy ditë më parë në nisje të Samitin, ai u duk i largët dhe ndoshta në pamundësi për të shkëputur një shtrëngim duarsh me njeriun më të fuqishëm në planet. Nga pamjet e shpërndara nga mediat ndërkombëtare, Rama u pa në ditën e parë të Samitin, nën shoqërinë e homologëve ballkanas, Presidentit të Turqisë Erdogan  apo edhe ndonjëherë kancelares së Gjermanisë Merkel. Ndoshta vetë Rama nuk guxoi dy ditë më parë që të tentonte për një afrim me Trump, duke menduar se dita e nesërme do ishte rasti më i mirë për të shkëputur “the photo of the day”. Faktikisht kjo e fundit duket se ishte edhe arsyeja kryesore e pjesëmarrjes së kryeminsitrit shqiptar në Samititn e NATO-së , se përsa i takon Aleancës dhe angazhimit të vendit tonë aty, Shqipëria nuk paguan as kontributet që i takojnë.

E megjithatë dje kryeministri shqiptar arriti që më në fund ta shkëpusë atë të shkretë “photo of the day”. I ngjitur pas Trump , i cili si gjithnjë për hir të së vërtetës jo vetëm ndaj Ramës, duket pa interes për taktika të tilla liderësh të vegjël që kërkojnë të përfitojnë vëmendje globale, kryeministri Rama mundi të sigurojë një shtrëngim duarsh aty për aty me Presidentin e SHBA. Dhe këtë moment nuk kishte si mos e kapte me shpejtësine e erës Endri Fuga, kryekëshilltari Kryeministrisë që detyrën më të rëndësishme këtë herë kishte shkrepjen me inteligjencë e shpejtësi të momentit kur Rama do takonte Trump.

Por Rama nuk e la me kaq. Në momentet e pushimit të samitit, ai shkoi pranë vendit ku po qëndronte Trump e sekretari shtetit Pompeu dhe për disa sekonda u mundua të mbajë vëmendjen e të dyve me gjeste e veprime që dukeshin pak me interes për liderin global ( atë të vërtetin). Madje këtë moment Rama e kishte lënë me porosi që Fuga ta xhironte, duke përcjellë në mediat shqiptare dy lajme: Një “photo of the day” me Trump si lajm dite dhe një tjetër, bisedë ( nëse mund të quhet e tillë) mes kryeministrit shqiptar dhe Presidentit të SHBA e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Në fakt këto dy “superlajme” propagandistike bën që mediat tona, krahas vetem një  TV, të mos transmetonin protestë-marshimin model të qytetarëve të mbajtur dje në Bulevard. Turp i madh për median e fjalën e lirë dhe një tregues kokëfortë i oligarksë që sundon vendin. Po kjo është tjetër histori e meriton një shkrim më vete.

Pra mund të themi me plot gojën se Rama ja doli. Pas fotos zyrtare mes bashkëshortëve të shkrepur një vit më parë, Rama ja doli të shkëpusë një foto vetëm për vetëm me Presidentin e dëmshëm për SHBA dhe të rrezikshëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Amerikës. Mos u çudisni, këto të fundit nuk janë fjalët e mia, por të vetë kryeministrit shqiptar gjatë garës presidenciale mes Trump e Clinton. Për të qenë të sigurt po j’ua citoj Kryeministrin:   “Mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin President. Sepse do të ishte një President që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”.

 

 

Lini nje pergjigje