Shpërthen Kryemadhi: Rrënojat e teatrit janë coveri vdekjeprurës i Ramës. Mjaftojnë 100 veta për ta zbythur

0
170

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e paralajmëroi kryeministri Edi Rama në Kuvend se do të jetë në radhën e parë të mbrojtjes së Teatrit nga rruspat dhe se ai nuk është i pamposhtshëm, pavarësisht se i ka votat e mazhorancës.

“Ne sot nuk i kemi votat për ta rrëzuar ligjin, – tha Kryemadhi, – ju i keni, po duhet ta dini që mjaftojnë 100 vetë për t’ju zbythur nga krimi. E patë shumë mirë se çfarë ndodhi në Rrugën e Kombit.”

Fjala e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në Parlament

Të nderuar kolegë! Vijmë sot në ritualin politik për të thënë disa fjalë në Parlament, për të kuptuar se çfarë ndodh vërtet. Në fakt do të diskutojmë sot lidhur me ligjin e shëmtuar dhe ligjin që grabit pronat e shqiptarëve, të cilin e sjell me rrëmbim Edi Rama. Nuk jam artiste dhe nuk mund të kem performancën e tyre, sepse as nuk kam performuar ndonjëherë në sallën e Teatrit Kombëtar, por kam qenë një spektatore modeste që nga fëmijëria ime dhe ashtu do të vazhdojë të jem. Kur godina i rezistoi dje tërmetit dhe dua të korrigjoj zotin Vasili kur tha që kishte 40 goditje. Z.Vasili nuk ishin 40, por ishin 200. Mendova në fakt që duhet ta ruajmë natën, sepse ky I papërgjegjshmi, ky sharlatani do çojë rruspat natën për ta shembur dhe do thojë që e rrëzojë tërmeti. Por shyqyr që nuk I ka vajtur ndërmend, se kush e di se çfarë efekti ka qenë. Do të thoja dy fjalë për Teatrin, që në fakt janë shumë të varfëra përpara fjalëve të artistëve që po thonë sot përpara Parlamentit, të cilët kanë ndërtuar jetën e tyre dhe kanë ngritur të gjithë karrierën jo vetëm të tyre artistike, por për hir së të vërtetës kanë ndërtuar dhe një histori artistike për Teatrin shqiptar. Dua të bëj një premtim, sepse në fakt kemi dëgjuar dhe vijmë gjithmonë mbajmë këtu fjalimet tona politike, por sot politika nuk ka më vend këtu. Sot janë dy rrugë; imoraliteti dhe morali përballë shqiptarëve. Në kujtim të Naim Frashëri, Violeta Manushit, Sulejman Pitarkës, Kadri Roshit, Besa Imamit e shumë e shumë të tjerëve që nuk jetojnë sot, ku në shkollat e komunizmit sadopak ne mësuam pak për atdhedashurinë, me mjeshtërinë e tyre ata na i skalitën, por sot ky antishqiptar që ka ndërtuar bandën e tij antishqiptare, kërkon që ta rrëzojë dhe ta zhbëjë, për të kthyer vlerat e imoralitetit, për të kthyer vlerat e hajdutërisë, për të kthyer vlerat e drogës, dhe pse jo për të kthyer dhe vlerat e LGBT-së në shkollat dhe në teatrot tona. E them këtë, sepse unë besoj në Zot. Mos e tund kokën Milva, sepse unë nuk do dëshiroja kurrë që familjet e shqiptarëve të mos kenë trashëgimi dhe pasardhës në të ardhme. Në qoftë se ti ke zgjedhur për vajzat e tua që të mos kenë pasardhës, unë nuk do ta pranoj këtë gjë. Besoj në Zot dhe duke besuar në Zot uroj që edhe ju të Rilindjes të besoni në Zot për të ndërtuar themelin e familjes gjë që e keni shkatërruar. Unë do të jem në rresht të parë, prandaj e them këtë betim përpara rruspave të Edi Ramës. Rruspave që furnizohen me karburantin e krimit dhe parave të krimit dhe të drogës. Do të jem në rresht të parë Edi Rama, aty sepse ti nuk ke parë gjë akoma. Sot ti me paratë e drogës mbyll gojën e televizoneve. Sot ti me paratë e drogës blen pronarët e televizioneve. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e deputetëve. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e Prokurorisë. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e policëve. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e dëshmitarëve. Por gojën e shqiptarëve të cilët nuk te besojnë më, nuk ke për ta mbyllur dot sepse ti je vetëm. Dhe duhet ta dish që paraja nuk është shok i mirë. Paraja është shok i keq që të merr në qafë dhe të hedh atje ku ti nuk pret dot. Tani po i kthehem ligjit hajdut të Edi Ramës. Ky është një ligj që për hir të së vërtetës grabit hapur pronën publike. Tashmë mbasi mbaroi së vjedhuri me përqindjet e tij, fillon dhe grabit me ligj. Grabit pronën publike me ligj, PPP-të e famshme, vjedhjen e parave të buxhetit të shtetit përsëri me ligj. Vazhdon dhe kërkon  të bëjë përsëri me ligj që kushedi se çdo shpikë ndonjë gjë tjetër. Ne sot nuk i kemi votat për ta rrëzuar ligjin famëkeq të vjedhjes së pronës publike.  Ju i keni dhe shumë mirë, por ju e dini shumë mirë që mjaftojnë vetëm 100 veta për tu zbythyr nga krimi, vjedhja dhe hajdutëria juaj. Ju e patë shumë mirë se ç’ndodhi me rrugën e Kukësit sepse nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me taksën e Rrrugës se Kombit, nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me taksën e Check-up-it të famshëm, nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me PPP-të. Nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me pronat publike, nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me çdo gjë. Tashmë kërkoni t’u vidhni zemrën dhe shpirtin e tyre që është një gjë shumë e vogël por shumë e madhe për shqiptarët, që është pronë publike. Nuk është as pronë e Edi Ramës, as e Lulzim Bashës, as e Monika Kryemadhit, as pronë e Arben Ahmetaj, është pronë e shqiptarëve. Sot ne jemi këtu, nesër fëmijët e shqiptarëve do të jenë në këtë sallë. Dhe do të dëshiroja që ky Parlament të mos mbajë mbi trup, që të thonë në 2018 u miratua një ligj nga parlamenti shqiptar që iu vjedh pronën shqiptarëve. Sepse edhe ne si opozitë duam apo nuk duam bëhemi pis me këtë ligj hajdutësh dhe vjedhacakësh që na sillni. Nëse ju do të kishit dëshirë ta bënit këtë gjë edhe mund ta bëni. Po bëjeni ashtu siç ka bërë gjithmonë 20 vjet që ka qenë edhe Kryetar Bashkie, edhe Ministër Kulture edhe kryeministër  si një vjedhacak i vogël, me intriga. Le të vjedhë siç ka vjedhur gjithmonë por mos t’ju bëjë me turp ju dhe të gjithë ne duke kaluar një ligj të shëmtuar, një ligj kriminal, një ligj grabitës. Vjedhhajduti është frikacaku më  i madh, ka frikë nga hija e tij, prandaj dhe ky vjedhhajduti i vogël kërkon që frikën e tij ta mbulojë me ligj. Nuk ka ligj që  në tokë dhe nën tokë, as lart në qiell që të shpëtojë Edi Ramën nga ky krim hajdutlliku në të cilën ka hyrë dhe nuk ka për të dalë më. Rrënojat e teatrit do të jenë coveri vdekjeprurës i tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here