Politikat e reja fiskale pësojnë “fiasko”, bien ritmet e të ardhurave

0
336

Sapo ka nisur muaji dhe 10 korriku është afati final kur rreth 10 mijë biznese, që kanë hyrë në skemën e TVSH-së do të duhet të deklarojnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Flitet për kompanitë që kanë xhiro mbi 2 milionë lekë në vit dhe më pak se 5 milionë lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se se data 10 korrik 2018 është afati i deklarimit të librave të shitjes dhe blerjes për tatimpaguesit me qarkullim 2-5 milionë lekë, të përfshirë në skemën e TVSH-së që prej datës 1 Prill 2018. Tatimpaguesit, duhet të mbajnë në konsideratë se të dhënat e blerjeve dhe shitjeve regjistrohen në librat e shitjes dhe blerjes në baza mujore.

Dorëzimi i librave kryhet në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-Filing, nëpërmjet llogarisë së deklarimit elektronik që ka vetë subjekti, në rubrikën “Librat e Shitjes dhe Blerjes”. Brenda datës 10 Korrik duhet të deklarohen librat e shitjes dhe blerjes për periudhat tatimore Prill, Maj dhe Qershor. Në Librin e Shitjes, tatimpaguesi, duhet të regjistrojë në mënyrë kronologjike çdo faturë tatimore shitjeje të lëshuar prej jush, si dhe përmbledhjen e qarkullimit ditor të memorizuar të pajisjes fiskale në një shifër të vetme mujore. Po kështu, në Librin e Blerjes, tatimpaguesi regjistron çdo faturë blerje malli me dhe pa TVSH, sipas kolonave përkatëse.

Totalet e të dhënave, të regjistruara në librat e shitjes dhe blerjes, plotësohen në rubrikat përkatëse të Deklaratës mujore të TVSH-së, e cila është e thjeshtuar. Ajo dorëzohet po në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-Filing. Deklaratat e muajve Prill, Maj dhe Qershor duhet të dorëzohen brenda datës 16 Korrik 2018. Në librin e blerjeve, bizneset duhet të regjistrojnë çdo faturë për mallrat që blejnë, por edhe shërbimet e tjera të domosdoshme për ushtrimin e aktivitetit. Në një faturë blerjeje janë të shënuara numri i serisë së faturës, data, emri i shitësit, rrethi dhe vlera totale e TVSH-së. Subjekti është i detyruar që çdo blerje malli, energjie, uji apo interneti do t’i hedhë në këtë libër dhe në fund del shuma totale e blerjeve.

I njëjti parim ndiqet edhe për librin e shitjeve, ku bizneset duhet të regjistrojnë çdo shitje që bëjnë me faturë tek bizneset e tjera. Ndërsa për shitjet tek konsumatorët që regjistrohen në kasë procedura është më e thjeshtë. Kemi rastet e shitjeve të subjekteve që ne përpilojmë faturë dhe në këtë rast do të vihet numri i faturës dhe numri serial i bllokut të TVSH-së, emri, NIPT-i dhe rrethi ku e kemi shitur, vlera me TVSH, vlera pa TVSH dhe vlera totale. Për të gjitha shitjet e tjera, nuk është nevoja të deklarojë çdo ditë shitjen e kasës.

Librat e blerjeve dhe shitjeve duhet të dorëzohen brenda datës 10 korrik elektronikisht në faqen zyrtare të tatimeve. Pas dorëzimit të tyre, biznesi plotëson deklarimin e TVSH-së. Të gjitha shitjet, ato me faturë dhe me kasë, do të deklarohen këtu. Vlera neto dhe TVSH-ja për t’u paguar. Në rubrikën e blerjeve vendoset vlera neto dhe TVSH-ja e mbledhur. Diferenca midis TVSH-së në shitje të muajit dhe TVSH-së në blerje do të jetë diferencë për pagesë e plotësuar në deklaratë dhe gjeneron urdhër-pagesë për subjektin.

 

Qendrimi i ndërkombëtarëve

Ulja e kufirit të TVSH-së për xhiro vjetore nga 5 në 2 milionë lekë u miratua në fund të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi nga 1 prilli dhe synonte nxitjen e mbajtjes së faturave dhe uljen e evazionit tek biznesi i madh. Ajo u shoqërua me debate të shumta, pasi bizneset deklaruan se kjo është një barrë shtesë, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte kategorikisht kundër, pasi sipas tij, ajo nuk do sillte ulte të informalitetit përkundrazi do e nxiste më tej atë. “Ulja e pragut të TVSH-së krijon barrë të panevojshme administrative për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe krijon kosto të pajtueshmërisë për shumë ndërmarrje, kundrejt një rritje shumë të ulët potenciale në të ardhura”, ka pohuar përfaqësuesi i FMN-së në vendin tonë, Jens Reinke, në një intervistë. Më herët tatimet kanë deklaruar se janë rreth 10 mijë biznese që janë regjistruar automatikisht në TVSH, pasi përgjatë vitit 2017 kishin deklaruar midis 2 dhe 5 milionë lekë xhiro. Rreth 60 mijë subjekte mbeten ende jashtë TVSH-së, por ato mund të futen automatikisht nëse kalojnë kufirin minimal prej 2 milionë lekë të ardhura në vit, apo rreth 5 mijë lekë në ditë.

Dështimi i reformave

Ndërkohë, administrata fiskale muaj pas muaji po ul rendimentin fiskal, jo vetëm duke mospërmbushur detyrimet në lidhje me planin, por rritja faktike nga viti në vit sapo vjen e shuhet. Sipas shifrave zyrtare nga Ministria e Financave totali i të ardhurave buxhetore shënoi rritje faktike me vetëm 1.8 për qind gjatë 5-mujorit (me bazë vjetore), një ritëm shumë më i dobët krahasuar me vitet e tjera dhe më i ulëti që nga viti 2013, i cili nuk ishte i zakonte për nga zhvillimet pasi ndodhi rotacioni politik.

Të dhënat tregojnë se nga muaji në muaj ritmet e rritjes po bien gjithashtu. Të ardhurat e grumbulluar në muajin maj 2018 ishin vetëm 0.6 për qind më të larta se në muajin maj 2017. Ky rendimet i ulët vjen në një kohë ku rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar (3.84%) ishte më e larta që nga viti 2008, ndërsa papunësia ka shënuar rënie në rekorde historike. Nga ana tjetër barra fiskale ka ardhur në rritje dhe tatimet janë në kulmin e një aksioni antinformalitet, por duket se qeveria po vuan nga sindromi i mandatit të dytë ku konsumimi politik shfaqet fillimisht tek përformanca buxhetore, sidomos në të ardhurat. Rritja e arkëtimeve me vetëm 1.8% në janar-maj nuk reflekton rritjen e parashikuar ekonomike (4.2%) dhe as inflacionin që për pesëmujorin që ishte 2%. Vetëm nga rritja ekonomike dhe inflacioni pa marrë në konsideratë miradministrimin fiskal, rritja e të ardhurave buxhetore duhet të ishte së paku 6%.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se qeverisë i mungojnë rreth 6.5 miliardë lekë (ose 50 milionë euro) në pesë muajt e parë të vitit në raport me planin nga të cilat 2.8 miliardë lekë nga TVSH-ja dhe 1.1 miliardë lekë nga tatimfitimi dhe 1 miliard lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale.

 

Në vijim të ardhurat buxhetore mund të ndikohen negativisht nga detyrimet e prapambetura të akumuluara në vitin 2017, sidomos për TVSH-në, ku shteti duhet t’u kthejë rreth 100 milionë euro TVSH tre kompanive të mëdha, Bankers Petroleum, TAP dhe HEC i Devollit. Shifra u bë e ditur nga FMN në raportin e parë të programit të post monitorimit për Shqipërinë. Financat kanë rënë dakord me kompanitë e mëdha që t’i shlyejnë me këste pagesat e prapambetura të TVSH-së, por kjo do të sjellë automatikisht ulje të të ardhurave të këtij viti, duke rrezikuar arritjen e planit të të ardhurave që synon të sjellë për gjithë 2018-n rreth 260 milionë euro më shumë të ardhura, sipas planifikimit fillestar të buxhetit. Shqipëria u rendit e dyta pas Rumanisë për nivelin më të ulët në Europë të mbledhjes së taksave në raport me PBB në vitin 2016 sipas institutit EUROSTAT.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here