Standard.al

Rrëfimi i vajës së përkthyesit të “Komedisë Hyjnore”: Jeta ime nga ferri në parajsë

0

Kesjana Balili

Ardhja në jetë e një foshnje nuk u festua në familjen e Marinta Ndojës. Komunistët vendosën që atë ditë të vitit 1955 të arrestonin kryefamiljarin Mark Ndoja. Teksa nëna provonte dhimbjet e lindjes, në kyçet e të atit shtrëngoheshin prangat. Në familjen Ndoja një jetë e re lindi dhe një tjetër jetë  po mbyllej.  Marinta e ndjen veten disi fajtore për arrestimin e të atit edhe pse ishte një krijesë një ditëshe, e sapo ardhur në jetë.  Komunistët e  arrestuan babain e saj, përkthyesin e Komedisë Hyjnore , kryeveprës së Dante Aligerit. Por Mark Ndoja nuk ishte vetëm kaq. Ai ishte deputet i Shkodrës, shkrimtar,  sekretar i  përgjithshëm i Akademisë së Shkencave dhe Lidhjes së Shkrimtarëve.

Kur Marinta ishte 5 vjec, babai i saj kthehet në shtëpi për tu arrestuar sërish pas tre vitesh.  Për aq kohë sa qëndroj me Marintën lotët nuk i ndalen nga sytë. Ajo nuk ka harruar asnjë detaj nga arrestimi për herë të dytë i babait të saj.

“Ishte data 28 dhjetor. E pashë babain duke zbritur shkallët ndërsa nga krahët e mbanin dy veta. Më tha: ‘ Mos u mërzit, babi do ikë me punë jashtë Tirane.’ Ndërsa unë, mora dsa mollë që kishim blerë për  Vitin e Ri dhe ja dhashë t’i kishte me vete.”

Në atë kohë, Marinta ishte më e rritur, kuptonte më shumë. Një herë në vit  shkonte bashkë me vëllezërit në Zvërnec  të Vlorës për të takuar babain e arrestuar.

“Për të shkuar tek babi, duhet të kalonim një kënetë. Një herë, duke kaluar nëpër të, vëllezërit më lanë mbrapa dhe unë që mundohesha të dilja por nuk po dilja dot. U kapa tek bimët që kishte këneta dhe arrita të dilja. Aty më panë disa gra dhe më ndihmuan të pastrohesha  pasi isha bërë  pis me baltën e kënetës.”

Por çfarë ndodhte gjatë takimit?

“Kur shkonim te babi kontrolli ishte tepër i rreptë. Na zhvishnin pothuajse komplet dhe na kontrollonin. Unë kisha turp edhe frikë njëkohësisht… Pasi mbaronte takimi me babin, unë vetëm qaja. Nuk doja të qaja në prani të atij, nuk doja të mërzitej më shumë.”

Marinta nuk ishte si të gjithë bashkëmoshatarët e saj. Ajo e dinte mirë cfarë do të thoshte vuajtje dhe sakrificë, si ishte fëmijëria pa fëmijëri.  Edhe pse në shkollë nuk njihte notë tjetër përvec dhjetës,  Marinta mbetej “e bija e armikut” ndaj partia nuk e shikonte të arsyeshme përfshirjen e saj  në organizatat e rinisë apo cdo aktivitet ku moshataret e saj mund të shkonin.

“Isha nxënëse në gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë. Një ditë një nga zyshat e mia më gjen duke qarë në oborr sepse unë nuk isha pranuar në Komietin e Rinsë. Kur mori vesh arsyen më tha: Ty të marrshin të keqen. “

Pas mbarimit të gjimnazit, Marinta nuk mund të vazhdonte më tej arsimimin. Si të gjitha  moshataret me fatin e saj, ajo punoi disa kohë në fermë, më pas në kombinatin ushqimor me tre turne dhe deri në vitin 1990 në trikotazh. Ka një pyetje të madhe që mund të bëjmë për periudhën e rrëzimit komunist. Kush e shijoi më shumë këtë moment? Përgjigjia pohuese është për shumicën e shqiptarëve por Marinta thotë me bindje të plotë se është ajo.

Pas  ardhjes së demokracisë, Marinta Ndoja zhvilloi disa kurse për kompjuter.  Mesa duket,  bashkë më demokracinë një jetë e re do vinte për Marintën.  Njohja me Simon  Mirakajn që më vonë do të bëhej dhe bashkëshorti saj,  ishte një kapitull i ri në romanin e jetës së Marintës.  Simon Mirakaj sot është një nga përfaqësuesit më dinjitozë të të persekutuarve nga regjimi i diktaturës. Marinta tregon se fillimisht nuk kishte dëshirë të njihej me Simonin. “E pashë nga larg dhe i thashë një shoqes sime: Unë me atë? Kurrë!” Por kishte kaluar një vit që kur Marinta kishte thënë këtë fjali, dhe fati e deshi që të dy të takoheshin sërish. Këtë herë Marinta, nuk ishte më aq shumë e vendosur për të dhënë një përgjigje negative. Ai dhe ajo, me plagët që regjimi i kaluar iu kishte lënë në shpirt duhet të takoheshin patjetër që këto plagë t’ia shëronin njëri tjetrit vetëm nëpërmjet dashurisë.

“Tek Piramida ka qenë takimi i  parë”  tregon Marinta. Takime të cilat filluan të përsërishteshin pothuajse cdo ditë. Për ironi të fatit, ish -muzeu i diktatorit Hoxha, u bë vend- takimi i një dashurie të madhe.

Shumë shpejt erdhi fejesa, martesa dhe në vitin 1995 dashuria e tyre u bekua me një djalë, emrin e të cilit e vendosën Pal, në kujtim të babait të Simonit.   Por a ka në shpirtin e Marintës ndjenja hakmarrjeje ? Ndonjëherë vuajtjet janë si bekim, të bëjnë më të fortë.

Marinta Ndoja nuk tregon shpirt hakmarrës. Besimi në Zot i ka dhënë asaj forcën për të ecur përpara duke i qetësuar shpirtin  dhe duke i shtuar vlerat më njerëzore. Sot Marinta jeton me djalin dhe bashkëshortin e saj. Përpunuese informacioni në drejtorinë e doganave, Marinta Ndoja është e lumtur me punën që bën.  Përditshmëria e saj nuk është ndryshe nga e femrave të tjera shqiptare. Kujdesi për familjen, si bërthama kryesore e jetës së saj është primari.

Marinta nuk harron të tregojë se sa krenare është për të birin të cilin e kanë rritur me frymën e dashurisë, të paqes dhe tolerancës. Djali, i cili studion për drejtësi është kuptimi i jetës së tyre, shtylla ku mbështeten dhe ilaci që iu ka shëruar dhimbjet.

Të dy, Marinta dhe Simoni në rrëfimin e tyre nuk kanë asnjë notë viktimizimi. Ky rrëfim, përmban vec dinjitet.  37 vite vuajtje për Marinta Ndojën janë një e kaluar  e largët, e cila sipas saj nuk duhet të harrohet, por gjithashtu nuk duhet të njollosë të tashmen e ndërtuar me përkushtim dhe dashuri. Mark Ndoja nuk do e kishte marrë me mend se vargjet e përkthyera të Komedisë Hyjnore të cilat përshkruanin shtegtimet plot vajtime, dhimbje, pendime,e  dyshime  , do i përjetonte vet familja e tij në “Ferrin Komunist”.

Ah, t’thuesh si ishte, sa kam vështirsí,
ky pyll i egër, thuk, pa fund e cak,
sa, kur kujtohem, frikën ma përtri

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.