“JO”-ja për negociatat/ Skenarët: Rama me vetëm dy alternativa, Bashës i duhen pikat mbi “i”, ndryshe rrezikon shumë…

0
2549

 Nga Gëzim Saliu

Refuzimi që Bashkimi Evropian i bëri Shqipërisë lidhur me hapjen e negociatave, duke e shtyrë këtë vendim për 2019-ën, pritet të sjellë jo pak pasoja në jetën politike të vendit. Qartazi vetë arsyet e “Jo”-së së BE-së ndaj Shqipërisë, janë në fakt një shtysë më shumë ndaj skenarëve që pritet të sjellin zhvillime të shumta, duke mos lënë jashtë edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Kështu theksimi nga ana e BE-së si një prioritet të pambërmbushur, luftën ndaj krimit e korrupsionit, sjell dy pasoja të menjëhershme. Nga njëra anë kjo mangësi në prioritetet e BE-së bën përgjegjëse direkt qeverinë për mos përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj Brukselit. Ndërkaq, ky mos plotësim kushtesh vërteton edhe akuzat e vazhdueshme të opozitës ndaj qeverisë, për luftë të zbehtë ndaj krimit e shtim të korrupsionit. Pretendime të tilla, tashmë të vulosura edhe nga BE, vënë para përgjegjësisë edhe opozitën, e cila tanimë duhet të ndryshojë strategjinë e veprimit të saj. Në këtë kontekst, më i prekur nga kjo përgjegjësi duket se do të jetë kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili deri më tani ka pranuar të luajë rolin e opozitës denoncuese por të stepur, dhe jo opozitën ballore, agresive sic e ka kërkuar një pjesë e grupit parlamentar demokrat, me në krye Berishën, Nokën etj.

Mazhoranca

Pavarësisht se kryeministri u mundua që publikisht ta përcjellë si fitore vendosjen e një date për hapjen e negociatave, dukshëm qeveria ka dështuar në prioritetet e saj sa i përket integrimit. Vetë kreu i qeverisë dhe përfaqësues të lartë të saj, vetëm para pak kohësh kishin vënë bast për hapjen e negociatave në qershor e madje kishin folur për skenarë të tjerë të rrugëtimit të vendit nëse merrnin një përgjigje negative nga Brukseli. Por tani që kjo përgjigje refuzuese u bë fakt dhe kërcënimet e rrugës së dytë apo të tretë nuk patën impaktin e duhur tek disa prej vendeve kryesore të BE-së si Franca, Holanda e Danimarka, Qeveria po luan lojën e “shpalljes së humbjes si fitore”. Megjithatë, përtej propagandës, kjo vendimmarrje refuzuese e BE-së pritet të shtojë në masë ekstreme presionin ndaj qeverisë, sidomos nga lëvizjet e arsdhshme të opozitës. Në kushtet e një opozite agresive që i rikthehet protestave të forta, mazhoranca qeverisëse ka dy mundësi:

1-Ose të vazhdojë të luajë me qytetarët lojën sipas së cilës tanimë vendi po rrugëton i qetë në BE pasi ka marrë një datë për hapjen e negociatave nga BE! Ndërkohë me opozitën sipas planit do të vazhdohet beteja e zvarritur e këtyre kohëve, duke mos përjashtuar ndonjë marrëveshje underground për të përfituar sa më shumë kohë në pushtet. Kjo e fundit varet tërësisht nga sjellja e opozitës.

2-Kryeministri në kuadër të presionit të fortë ( opozita e shoqëria civile), vendos ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për të rifituar besimin e qytetarëve, i cili teorikisht quhet i rënë pasi Qeveria nuk përmbushi prioritetin kryesor të vendosur: integrimin.

Partia Demokratike

Ndërkaq aspak e thjeshtë duket situata edhe tek opozita e sidomos tek Partia Demokratike. Pak kohë më parë opozita mori vendimin për të mos ndërmarrë veprime ekstreme duke pritur vendimin e BE-së lidhur me negociatat. Por tanimë që përgjigja erdhi negative dhe Shqipërisë ju shty edhe një vit hapja e negociatave, opozita ndodhet përballë presionit të brendshëm dhe atij popullor. Kujtojmë se brenda grupit të PD-së, ekziston një grupim që kërkon lëvizje të forta opozitare në përballjen me mazhorancën qeverisëse, me në krye ish-kryeministrin Berisha. Ky i fundit prej kohësh ka kërkuar djegien e mandateve nga deputetët e opozitës si një zgjidhje e fundit përballë asaj që e cilëson si narkomazhoranca. Në këtë pike, Berisha nuk ka gjetur mbështetjen e kryetarit të PD-së dhe grupimit të tij, të cilët janë stepur përpara kësaj lëvizjeje. Por duket se përgjigja negative e BE-së dhe mundësia që mazhoranca mos kthejë drejtim duke vazhduar me përcjelljen e “JO”-së si fitore të 2019-ës, mund t’i japë më shumë terren alternativës së djegies së mandateve. Sigurisht kjo do varet nga presioni që do bëhet brenda opozitës nga grupimi që mbështet zgjidhjen radikale.

Ndërkohë, duhet theksuar se grupimi Basha është stepur edhe ndaj kërkesave për opozitë agresive, gjë e cila mbështetet nga disa deputetë të PD dhe nga ish-kryeministri. “ Unë dhe disa kolegë të mi, që jemi në pakicë për fat të keq, por se besoj se s’do jemi gjithmonë në pakicë, nuk shohim se do të ketë zgjedhje tjetër, përveç radikalizimit tonë. Ai parlament është shndërruar në një noter qorr.  Kemi një kryeministër edhe kryegjykatës, edhe kryetari i Kushtetueses së këtij vendi. Kemi një kryeministër që urdhëron gjykatës që të lirohet nga burgu ish-ministri i Brendshëm. Këta mund ta mbajnë me dhunën e kartonëve, por s’mund ta bëjnë këtë. Me Ramën kryeministër nuk shkohet në zgjedhje. Brenda grupit do bëhemi një grup kolegësh që të përshkallëzohen protestat”, ka thënë pak kohë më parë ish-ministri Flamur Noka.

Në fakt, lëvizjet e deritanishme të lidershipit të PD-së kanë lënë jo pak vend për kritika, pasi në aksionin opozitar, gjithnjë ka munguar vazhdimësia. Aty ku është nisur vala e protestës,  përnjëherë është gjetur uji për ta shuar zjarrin. Aty ku ka nisur aksioni për një opozitës agresive, menjëherë është gjetur një arsye apo një kauzë tjetër, për të ulur ritmin. Megjithatë, refuzimi i BE-së duket se do t’i japë pikë shtesë grupimit agresiv brenda PD-së, i cili me shumë mundësi do të kërkojë me ngulm nga kryetari Basha, lëvizje të forta e jo thjesht opozitë denoncuese. Nëse Basha do të kërkojë të vazhdojë opozitën aktuale, do të rrezikojë jo pak, pasi presioni ndaj lidershipit të PD-së sa do të vijë e do rritet, dhe kjo jo vetëm në saj të grupimi brenda demokratëve, por edhe nga kërkesat e bazës e më tej ato qytetare.

 

Nga ana tjetër, në PD ka zëra të shumtë që mbështesin edhe bojkotin parlamentar.  Në një nga mbledhjet e fundit të grupit parlamentar për këtë çështje, disa deputetë kanë kërkuar largimin e opozitës nga Parlamenti. “Nuk ka kuptim që ne të jemi në Parlament, Edi Rama nuk dëgjon asgjë, por na trajton si fasadë dhe vazhdon me mënyrën e tillë tallëse ndaj opozitës. Në këto kushte nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përballemi, duke bojkotuar. Kjo është e vetmja rrugë për ta zgjidhur situatën me ketë qeveri që nuk dëgjon.”, ka pohuar Noka. Në të njejtën linjë ka qendruar edhe deputeti tjetër demokrat Bardh Spahia i cili ka pohuar se: “Ka ardhur koha që të marrim seriozisht në konsideratë opsionin e bojkotit të parlamentit”. Ndërkohë në të njejtën mbledhje ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se: “Për opozitën nuk ka zgjedhje paqësore me Edi Ramën”.

Mbetet të shohim në vazhdim se cila do jetë strategjia e demokratëve e ndërsa duket se bashkëpunimi me LSI do mund të të sjellë një presion të fortë ndaj qeverisë “Rama”. Deri më tani, LSI ka treguar një opozitarizëm ballor e duket se linja opozitare që pritet në vazhdim mund t’i shkojë për shtat partisë së Kryemadhit, e cila ka theksuar që nga dita e parë e këtij parlamenti se “pengesa kryesore për integrimin mbetet kryeministri Rama”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here