Misioni Fishta, Bumçi, Noli, Konica i pamundur të përsëritet sërish në historinë e Shqipërisë

0
349

Dr. Ndriçim Mehmeti

Në vitin 1920, Kur Shqipëria kishte nevojë më shumë nevojë njohjen ndërkombëtare, se gjithçka, edhe se bukën, drita, energjinë elektrike, rrugët, u gjendën burra të kulturuar, atdhetarë, diplomatë të lindur sit ë tillë, misionarë të fesë së tyre, që të tregonin se vendi ynë meritonte respektin e duhur mes kombeve të tjera të Evropës. Mes shumë njerëzve që u angazhuan në këtë mision të vështirë, atdhetar, politikan, brenda e jashtë vendit, spikasnin edhe figurat të larta të religjionit shqiptar, si At Gjergj Fishta, At Luigj Bumçi, imzot Fan Noli, por edhe njerëz të shquar në shërbim të kombit si: Mehdi Frashëri, Iljaz Vrioni, Mehmeti Konica etj.

A mund të përsëritësh të njëjtën histori në prag të kërkesës për anëtarësim në BE.

Modestisht them se jo. Jo vetëm për faktin se prej asaj kohe e deri tani ka kaluar më shumë se një shekull, por për fatin e thjeshtë se na mungojnë shumë ata burra, brenda e jashtë vendit. Nuk kemi dot një përfaqësim dinjitoz, më shumë sesa buzëqeshje të shtirura, fytyra që i japin rëndësi vetes, teksa duke dhënë intervistë, shikojnë larg “si vizionar të vërtetë”. Na mungojnë burrat që nuk qahen por mbrojnë plot dinjitet vendin e tyre. Na mungojnë burrat që nuk lypin, por vetëm premtojnë se do të bëhen më të mirë, nën çatinë e përbashkët të  Evropës. Nuk na mungojnë njerëzit që flasin gjuhë të huaja, por na mungojnë njerëzit që dinë mirë se çfarë është interesi kombëtar dhe si duhet të sillesh edhe me atë që do, edhe me atë të merr inat edhe kur t’i nuk ke faj e sillesh mirë. Na mungojnë njerëz që të shkojnë deri tek Papa dhe ky i fundit të bëjë një thurje të hapur publike me dorë në zemër për Shqipërinë. Na mungojnë njerëzit që dinë të bindin, Italinë, Belgjikën, Francën por edhe Gjermaninë, se ne meritojmë të nderohemi, jo për interesin e një grupi të [pacipë politikanësh, por për një popull që ka në shpirt aspiratën evropiane. Është fare e thjeshtë të shkosh e të gjesh shprehjet e rilindësve të shek.. XIX, “O Shqipëri, vend ku dielli lind e perëndon nga perëndimi”, por është po aq e vështirë që të besosh se këta lloj politikanësh, janë vërtetë të interesuar për Evropën. Buçi, Fishta, Konica, Noli, Frashëri, Vrioni e shumë të tjerë nuk shkuan me misionin se kur Shqipëria të futej në Lidhjen e Kombeve, atyre do t’u takonte një karrige e ngrohtë, privilegje pasuri, se tanimë ishin “baballarët” e kombit. Jo! Kurrsesi! Ata shkuan për vendin e tyre, për aspiratën e popullit, për dëshirën e madhe për ta vendosur vendin e tyre mes radhëve të kombeve të qytetëruar. Nuk menduan kurrë, për lëvdata, dekorata e pasuri. Për ta shpërblimi më i madh ishte Shqipëria dhe përparimi i saj, ekonomik, arsimor, shpirtëror, si gjithë vendet e Evropës. Ata ishin iluministë, ëndërrimtarë të pashoq dhe optimistë deri në utopi, por asnjëherë nuk u bënë lakmitarë, oportunistë dhe pragmatiste. Nuk menduan kurrë për një vilë në Marsejë, as pushime luksi në Brazil e Bahamas, as një shtëpi a biçim hoteli në Theth, Dardhë, Himarë a Dhërmi. Thjesht menduan se ata që do të vinin pas tyre, do të çonin më tej punë e nisur me kaq mund, djersë e sakrificë prej tyre,. Në fakt ne bëmë të kundërtën. Ua shkatërruam shtëpitë, u hodhëm eshtrat në lum, i përgojuam, u dhunuam varret, i bëmë pijanecë, kurvarë, kumarxhij. I harruam dhe nuk u përmendëm fare emrin, u tallëm në filma, poezi, art e kulturë. Por ju u rikthyem të identifikohemi me ta kur na u desh emri i tyre për pushtet

Dhe e gjitha kjo për çfarë? Sepse na duhej të rilindnim

Rilindëm në 1945 me yll e flamur, u futëm nën sqetullën e ngrohtë të Serbisë, Bashkimit Sovjetik, Kinës e Koresë së Veriut, për tu mbrojtur nga “stuhitë dhe zemërimi” i perëndimit që po përplaseshin në brigjet tona të thepisura e të pamposhtura. Ecëm ashtu këmbëzbathur “me kokën lart” e sytë tek fotot dhe bustet e Enverit dhe tani në çerekun e parë të shek.. XXI, ja ku kemi mbërritur në të njëjtën pikë, me të njëjtin mentalitet por me një ndryshim të madh. Tani lutemi që Evropa të na fusin “në gjirin e saj, për t’u mbrojtur nga Rusia, Kina, dhe rreziku bërthamor i Koresë së Veriut”. Bukur besa. I kujtojmë Evropës se jemi stër-stërnipërit e Skënderbeut. Kemi ngritur një shesh gjigant në emër të tij. Jemi në përvjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, por ne për simbolikë e quajmë viti i ringjalljes së tij. Kemi ca probleme të vogla. Na është zënë Ministri i Brendshëm, kemi një ekonomi me ca miliarda që qarkullojnë por nuk u dihet burimi, dy-tre vrasje në ditë, vjedhje gjithandej. Por të gjitha këto ndodhin edhe në mes të Evropës, në qytete e saj të mëdha qindra-mijëshe, kështu që edhe këtu që ne jemi sa një lagje e tyre janë të justifikuara këto ngjarje. Jemi gati të hyjmë në Evropë, me ballin lart e duart në thesin e pareve, për begatinë e udhëheqësve tanë të dashur, që nuk u ndahet shpirti prej Lindjes së Largët e të Afërt. Dhe për çudinë e askujt, ndodhi “ajo që nuk pritej”. Evropi ju drejtuan krerët më të lartë të religjioneve në vendin tonë. Ata i shkrojtën një kartë plot pathos e emocion, patriotizëm e përgjegjshmëri, kancelarive të Evropit, gruas së fuqishme të Gjermanisë dhe mbarë botës Kancelares Merkel, si dhe “presidentit tekanjoz” Macron, që të bëjnë rixha e ta shikojnë këtë punë si për veten e vet. Të na pranojnë në Evropë se rrugës edhe mund të rregullojmë ca gjëra, aty-këtu. Për më tepër klerikët shqiptar, i tërheqin vëmendjen Evropës, me fjalë prekëse. “Theksojmë se udhëtimi drejt BE, prezanton atë që gjithmonë kanë dashur njerëzit tanë, në një shoqëri të lirë, ku secili prej nesh të mund të ushtrojë të drejtat e tij, ku më e rëndësishmja është e drejta dhe liria e fesë dhe e besimit”. Po liria për të gëzuar pronën e trashëguar/fituar në mënyrë të ligjshme, a nuk është një e drejtë e rëndësishme dhe e patjetërsueshme në një vend demokratik, i nderuar Hirësi, Kardinal e Hoxhë Efendi? Po e drejta për të pasur një punë, që të jetosh me dinjitet dhe të mos zhytesh në mjerim, a nuk është një e drejtë themelore njerëzore? Po e drejta për të mos ta marrë jetën robi, por Zoti, a nuk është një e drejtë sa natyrale aq edhe fetare? Po e drejta për t’u trajtuar si qytetar i barabartë dhe jo skllav në vendin që aspiron kaq shumë BE, a është një e drejtë po aq e barabartë sa e drejta e ushtrimit të lirë të fesë e besimit”.

Ka plot pikëpyetje që natyrisht përgjigje nuk marrin. Prelatët tanë të nderuar, duhet të kishin ulëritur fort, kur droga “bëri këmbë” e nga katoqet, malet, bodrumet e magazinat, mbërriti në dyert e shkollës, pallate, rrugë e deri tek strehat e kishës e xhamisë. Ata duhet të bojkotonin qeveritarët, që shkonin bënin qokën në çdo festë fetare, buzëqeshnin e shtrëngonin dorën me ta, rrëkëllenin gotën e verës, e hanin ashure e llokume, e pas një ore shtypnin, poshtëronin  varfëronin besimtarët, që prelatë tanë të nderuar i mbushnin me devocion ndaj, të mirës, ndershmërisë e familjes. Si mund të dalësh në krah të këtyre të pafeve, me qëllimin sublim “për të qenë anëtarë të familjes së Evropës”!? Prandaj misioni Fishta, Bumçi, Noli, Konica është i pamundur të përsëritet sërish në historinë e Shqipërisë. Ata shkuan në emër të Shqipërisë, për të bërë Shqipërinë dhe jo për t’u justifikuar e mburrur me harmoninë fetare, me dëshirën e madhe për Evropin e me dëngla, se po na “ktheu kurrizin Evropi,” do të na përpijë “dragoi kinez dhe kuçedra ruse”. Fati ynë i keq është që jo vetëm nuk kemi asnjë burrë shteti, të kalibrit të viteve ’20 të shek.. XIX në qeverisjen e vendit,  dhe akoma më keq nga mungojnë njerëz që mund të quhen së paku në përkufizim shtetarë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here