“Askush të mos mbetet pas”, projekti në ndihmë të personave me  aftësi të kufizuara

0
219

Projekti ‘Askush të mos mbetet pas’  filloi nga puna në qershor të vitit 2017 dhe synon të mbështes personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në këtë rreth. Sipas statistikave aktualisht në rrethin e Pogradecit jetojnë 496 persona me aftësi të kufizuara të cilët kanë nevojë për shërbime të specializuara. Momentalisht vetëm një pjesë e tyre kanë mundësi t’i marrin këto shërbime në Qendrën Komunitare  Multidisiplinare që është ngritur në qendër të qytetit. Pjesa tjetër kufizohet nga mungesa e transportit dhe infrastruktura rrugore sidomos për familjet që jetojnë në zonat rurale. Por edhe për këtë kategori Bashkia po punon për të mundësuar transport privat, ndërkohë që një grup ekspertësh dhe mësuesish udhëtojnë nëpër fshatra për të dhënë shërbime në shtëpi.

“Një hap i rëndësishëm është hedhur tashmë me ngritjen e kësaj qendre në Pogradec. 24 vite më parë u hapën disa klasa arsimi special për këta fëmijë, por me kalimin e viteve, godina u amortizua, gjithashtu lindi edhe nevoja për qasje të re për shërbime komunitare dhe arsim gjithëpërfshirës. Ndaj në vitin 2017, me mbështetjen e PNUD, Bashkia Pogradec ngriti qendrën komunitare muktifunksionale. Aktualisht kjo qendër ofron shërbime për 46 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara. Dhjetë profesionistët e qendrës mbështesin fëmijët dhe të rinjtë në disa drejtime si; zhillim dhe edukim; mësim; riaftësim fizik; dhe terapi të ndryshme,” thonë përfaqësues të PNUD që kanë zbatuar projektin ‘Askush të mos mbetet pas.’

Programi zbatohet nga 4 agjenci partnere të Kombeve të Bashkuara;UNDP; UNFPA; UNICEF dhe UN Women.

Anila Bedri, drejtoreshë e Qendrës, tha se: “Kjo është një qendër ditore speciale komunitare, në shërbim të personave me aftësi të kufizuara. Aty janë të regjistruar si fëmijë dhe të rritur, nga mosha 4 vjeç deri në moshën 38 vjeç. Janë 48 fëmijë, ndërsa kemi dy grupe të rriturish (15 me 18 vjeç), dhe (18 me 38 vjeç). Me të gjithë personat po punohet me terapi dhe aktivitete të ndryshme. Stafi është i kompletuar me mësues, psikolog, asistent social. Ata vizatojnë, bëjnë punë të ndryshme krijuese dhe hapin edhe ekspozita. Të ardhurat që merren nga ekspozita shkojnë për qendrën.”

Në një bisedë me gazetarët, kryetari i Bashkisë Pogradec Eduart Kapri, foli për këtë temë, ndërsa  pranoi se transporti mbetet problem për shumë familje që jetojnë në zonat rurale, por se deri më tani vetë Bashkia nuk ka pasur buxhet mjaftueshëm për të ndërhyrë në infrastrukturën rrugore. “Vetë ngritja e qendrës është hap i parë dhe i rëndësishëm për zonën. Ka shumë punë për tu bërë me infrastrukturën rrugore. Me ndarjen e re administrative Bashkia Pogradec ka një territor të madh për tu menaxhuar prej 700 km2. Shtimi i rrugëve për tu mirëmbajtur është kosto shtesë për ne. Për zonat e thella jemi gjithmonë në kërkim të alternativave për sigurimin e mjeteve të transportit. Infrastruktura rurale është problem dhe plan prioritar për Bashkinë. Zgjidhja që kemi menduar për ofrimin e shërbimeve në fshatra për fëmijët më aftësi të kufizuara është dërgimi i specialistëve pranë tyre”, tha kryetari i Bashkisë Pogradec.

Për shumicën e këtyre fëmijëve kjo qendër është i vetmi kontakt me mësimdhënien dhe marrjen e shërbimeve, pasi ata nuk shkojnë të gjithë në shkollë. Të paktë janë fëmijët që janë të regjistruar dhe në shkollë dhe në qendër.

Estevan Ikonomi, koordinator i përfshirjes sociale pranë PNUD, bëri një prezantim, të shkurtër të Konventës së OKB-së për personat më aftësi të kufizuara.  “Konventa qëndron në të njëjtin nivel me Kushtetutën.  Shqipëria e ka nënshkruar Konventën për Personat me Aftësi të Kufizuara, në dhjetor 2009. Duhet të dimë se shkalla e aftësisë së kufizuar është  e ndryshme, pasi ka dhe persona me aftësi të përkohshme. Aftësia e Kufizuar përbën rreth 10 % të popullsisë, ose thënë ndryshe janë mbi 650 milionë persona. Konventa i imponon shteteve detyrime ligjore për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e PAK,” tha në mënyrë të përmbledhur Ikonomi ndërsa u ndal edhe në terminologjinë që duhet përdorur për aftësinë e kufizuar.

I ftuar në një trajnim për gazetarët mbi temën e aftësisë së kufizuar ishte edhe z.Nicolas Douillet, këshilltar për komunikimin, zyra rajonale e UNDP për Evropën dhe Azinë Qëndrore, i cili foli për etikën e raportimit për personat më aftësi të kufizuara dhe minoritetet. Edhe z.Douillet theksoi në fjalën e tij se kur raportohet për PAK ka shumë rëndësi gjuha e përdorur dhe se artikulli duhet të bazohet të aftësia e kufizuar dhe jo tek personi.

Programi ‘Askush të mos mbetet pas’, zbatohet në të gjithë vendin, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve sociale në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Ndërhyrjet e tanishme të programit shtrihen në 18 bashki si në: Berat, Bulqizë; Dibër; Durrës; Fier; Fushë-Krujë, Korçë; Kukës; Lezhë; Lushnje; Përmet, Pogradec, Prrenjas, Sarandë, Shijak; Shkodër, Tiranë, Ura Vajgurore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here