Feti Zeneli: Politika dhe “Nderi i humbur…” i drejtësisë

0
349

Nga Feti Zeneli

Retoria politike që i parapriu Reformës sonë në Drejtësi, më sjell, veç të tjerash, ndërmend edhe subjektin e romanit “Nderi i humbur i Katerina Blumit”, të nobelistit gjerman, Hajnri Bël. Më shumë se sa “procesverbalet e hetuesisë”, “avokati dr. Hubert Blora”, “prokurori Peter Hah”, “komisari i policisë Valter Mëding”, “kryekomisari Bajemenë”, etj., këtë gjë ma kujton vetë personazhi kryesor i librit, Katerina Blum, një shtëpiake e pafajshme, jeta e së cilës është shkatërruar nga një gazetar i fshehtë revistash dhe një hetim policor, ku njeriu me të cilin sapo ka rënë në dashuri rezulton të jetë i kërkuar nga policia për shkak të një grabitjeje bankare. Në rastin e “tregimit të jetuar” në Shqipëri rolin e viktimës për të gjitha “ndërthurjet, ngatërresat, njëanshmëritë, befasimet dhe konstatimet” e personazhit të Bëlit e mori politika jonë mazhoritare, e cila vuri në shënjestër të reformës “drejtësinë e korruptuar”. Reagimi i saj në këtë rast, ishte, pak a shumë, si ai i një funksionari të lartë në Festën e Karnavaleve tek libri i nobelistit gjerman, që merrej dhe me shitje verërash e shampanje, dhe që mburrej, se kishte kontribuar në ngritjen e humorit të njerëzve, teksa shprehej: “Kur ndodhin të tilla gjëra në fillim të kremtimeve gazmore e merr lumi si humorin ashtu edhe punën! Po ta marrë vesh njerëzia se maskimi me kostume karnavalesh shfrytëzohet për akte kriminale, atëhere e gjithë atmosfera prishet dhe puna e fitimet venë në djall. Të veprosh ashtu, është një sakrilegj i vërtetë. Hareja dhe gjullurdia kanë nevojë për besim. Besimi është baza e tyre”.

 

Reforma e drejtësisë tek ne u paralajmërua, pak a shumë,  si një filozofi e re e organizimit dhe drejtimit të shtetit, se më në fund, edhe në këtë vend, punët do të shkonin në drejtimin e duhur, se po lindte një rreze drite që do të ndriçonte rrugën për një zhvillim normal demokratik dhe konsolidim të plotë të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Por ç’po ndodh realisht? Historia e inicimit, miratimit dhe zbatimit praktik të Reformës në Drejtësi është e freskët për të gjithë. Ajo nuk ka më shumë se 3 vite që ka nisur, ndërkohë që sapo ishin miratuar disa shtesa e ndryshime në ligjin antimafia, me synim që subjekte të tij të bëheshin dhe politikanët tanë të korruptuar. Kjo ishte arsyeja që ish-ministri i Drejtësisë të asaj periudhe, z. Nasip Naço, në relacion shoqërues të draftit përkatës i referohej z. Edëin Meese,  ish-Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, i cili gjatë drejtimit të një konference në Uashington me ekspertë për Ballkanin mbi korrupsionin, organizuar nga Fondacioni Heritage, deklaronte se: “Lufta kundër korrupsionit duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme që politikanët kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t’i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta”. Në kuadrin e Reformës në Drejtësi, ligjit antimafia, iu shtuan edhe 14 vepra të tjera penale, pjesa dërrmuese e të cilave lidhej me korrupsionin e qeveritarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetror. Tashmë objekt sekuestrimesh nuk do të ishin vetëm pasuritë e paligjshme të trafikantëve të drogës, qënieve njerëzore apo të krijuara nga veprime të tjera të grupeve kriminale, por edhe pasuritë e vëna përmes shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit nga politikanët dhe zyrtarët e lartë, përfshi këtu dhe një rreth të gjerë të të afërmëve të tyre si: bashkëshort, fëmijë, të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, xhaxhallarë, daja, halla, teze, nipër, mbesa, fëmijë e vëllezërve dhe motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtëri, thjeshtra, njerku dhe njerka.

 

Por, pas miratimit të Reformës në Drejtësi, para pak muajësh, politika jonë e ka shndërruar fjalën “Vetting” në një bilibil arbitrimi, që i bie vend e pa vend, më shumë për të argëtuar vehten, se sa për të disiplinuar lojën, që ka filluar të luhet në këtë drejtim. Nuk e di, nëse ajo do të vazhdoj të përjetoj të njëjtën ndjesi, kur ta shohi veten “të zhveshur” në fushën e lojës, dhe “bilbilin e arbitrimit” në gojën e ndërkombëtarëve!? Kjo ditë nuk duhet të jetë shumë e largët, ndërkohë që procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve ka hyrë, tashmë, në një fazë vendimtare. Të presim e të shohim. Bernard Baruch, përveçse një financier e biznesmen i njohur, ka qënë edhe një burrë shteti dhe konsulent politik shumë i zoti, ku veçohet periudha që punoi si këshilltar i presidentëve Uillson dhe Ruzvelt. Një pjesë e këshillave të tij, referohen sot si thënie filozofike nga mendimtar e politikan të ndryshëm, në të gjithë botën demokratike. Në fondin e kësaj urtësie të rrallë politike bën pjesë edhe thënia e tij: “Bekimi më i madh i demokracisë sonë është liria. Por në analizë të fundit, liria jonë e vetme është liria për të disiplinuar veten tonë”.

Mbase në dhjetor të ’90-ës, kur ne mbushëm rrugët dhe sheshet e Shqipërisë për të ndryshuar sistemin politik; thirrjen “Liri-Demokraci!”, dikush prej grupit të intelekualëve nismëtar mund të ketë nxjerrë nga konkteksti i një thenieje të tillë. Megjithatë, kjo pak rëndësi ka. Ajo që konstatojmë me keqardhje, gati 28 vite më pas, është fakti se liria për të cilën flasin Baruhët e botës së zhvilluar demokratike, jo vetëm nuk arriti të bëhej asnjëherë “bekim” i demokracisë shqiptare, por, përkundrazi, u shfrytëzua si një leje abuzuese nga politikanët e të gjithë krahëve, për të mos iu nënshtruar “disiplinës” së saj perëndimore në kryerjen e detyrave të ndryshme publike në shtet e shoqëri. Si rezultat i këtij indisiplinimi demokratik të politikanëve tanë, në Shqipëri u instalua sistemi më i egër i korrupsionit, krahasuar me vendet e tjera ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore, që iu nënshtruan procesit të tranzicionit demokratik në fund të viteve ’80.

Mjafton të kujtojmë se pushteti mes dy forcave më të mëdha politike në vend është ndryshuar pikërish në momentin kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare kanë dhënë alarmin: “Korrupsioni është shndërruar në kancer, që ka prekur rëndë të gjitha nivelet e qeverisjes, ndaj u duhet një qeverisje tjetër”. Në një situatë të tillë të rëndë u ndryshua pushteti midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në 1997-ën, 2005-ën dhe 2013-ën. Fakte dhe ngjarje të tilla tregojnë, se arsyeja e vërtetë e ndryshimit të pushtetit nuk ka qënë mirëqeverisja, por ndërrimi i roleve apo respektimi i radhës çdo 8 vjet, deri tani, midis partive të mëdha në vend, për të vjedhur e pasuruar në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë akuzat publike ndaj njeri-tjetrit për këtë çështje, janë thjeshtë “shou politik”. Kësisoj, në saj të korrupsionit galopant, politikanët tanë arritën që brenda një kohe të shkurtër të bëhen njerëzit më të pasur në Shqipëri, duke ua kaluar në pasuri edhe biznesmenëve më të suksesshëm në vendet e zhvilluara të botës. Nuk kanë lënë gjë pa vjedhur e përvetësuar nga pronat, pasuritë dhe paratë publike të shqiptarëve. Sipas disa llogarive, gjithënjë të përafërta, rreth 50 miliardë euro është vlera e pasurive të trashëguara nga regjimi monist, që në forma të ndryshme përfunduan në xhepat e politikanëve tanë të tranzicionit. Pastaj vijnë përfitimet e paligjshme nga koncesionet dhe transaksionet abuzive me pasuritë e shumta nëntokësore dhe mbitokësore. Gjatë 4-5 viteve të fundit u hap një front i ri përfitimi korruptiv, nëpërmjet kultivimit dhe tregtimit masiv të kanabisit me në krye qeverinë e “Rilindjes”. Kësisoj, kohë pas kohe, duke filluar nga ’91-shi, disiplina financiare në administrimin e pasurisë publike u zëvëndësua me shthurjen administrative për të mbushur xhepin personal, aq sa “vend i mirë pune” tani konsiderohej vetëm ai që të jepte para korrupsioni, dhe jo ai që të jepte “nder e lavdi”, si dikur.

Kur kujton që 95 për qind e pasurive në Shqipëri janë përqendruar në duartë e 5 për qind të njerëzve, apo që, sipas një raporti të Credit Suisse vetëm 0,5 për qind e shqiptarëve zotërojnë mbi 1 milionë euro pasuri secili, bindesh për frytet e papara të korrupsionit politik në Shqipëri. Situata ka ardhur duke iu përkeqësuar vit pas viti. Pandëshkueshmëria ka qënë shkaku kryesor i këtij inkurajimi antidemokratik. Duke iu referuar Indeksit të Sundimit të Ligjit në dy vitet e fundit, për shëmbull, konstatojmë se Shqipëria përfshihet në zonën e verdhë, me zbatim të dobët të ligjeve, në të njëjtën nivel me disa vende të Azisë dhe Amerikës së Jugut. Qeverisja jonë s’mund të krahasohet në këtë drejtim as me qeverinë e Maqedonisë fqinje në Ballkan. Ky lloj treguesi ecën krah për krah me atë të korrupsionit, ku Shqipëria përfshihet në listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë, midis 3 vendeve më të korruptura europiane dhe e para në rajon. Natyrisht korrupsioni tek ne është i shtrirë gjithandej, por sistemit juridik dhe qeverisja perceptohet si dy ndër sektorët më të infektuar në këtë drejtim. Megjithatë qeverisja është e para, sepse ajo, tek ne, vazhdon të jetë produkt i një lufte të pandershme për pushtet apo pjellë e një pushteti të blerë me para të pista, siç ndodhi rëndom në zgjedhjet më të fundit parlamentare të 2017-ës. Madje këto zgjedhje u zhvilluan në atmosferën e ndezur që krijoi miratimi i Reformës në Drejtësi, ku politika mazhoritare e shfrytëzoi këtë moment për t’ia kaluar pushtetit të tretë, pra gjyqsorit, gjithë përgjegjësinë e korrupsionit në Shqipëri. Po mbushet gati një vit që po punohet për ngritjen e institucioneve përkatëse të implemetimit të kësaj reforme, apo të institucioneve të vettingut, dhe po kakariset aq shumë sikur t’mos jetë bërë një “vezë”, por një “asteroid”.

Faktikisht siç janë zhvilluar ngjarjet deri tani, nuk kemi të bëjmë me një reformë të mirëfilltë demokratike, po me një manovër të njohur politike për kapjen e drejtësisë dhe përdorimin e saj për interes të partisë në pushtet. Natyrisht vettingu në drejtësi është i domosdoshëm, pasi ka mjaft gjyqtarë dhe prokurorë, që duhet të kalojnë në filtrin e rivlerësimit të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës, por problemi këtu qëndron, se ky proces është ndërtuar në mënyrë të atillë, që qeveria dhe politika mazhoritare kanë dorë në të. Siç është vënë re disa herë, ndërmerren procedura të atilla tekniko-ligjore që u japin mundësi gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar të shpëtojnë nga “shpata” e vettingut, me qëllim që të shpëtojnë pastaj politikanët e korruptuar. Qeveria dhe mazhoranca mund ta realizojë këtë gjë qoftë nëpërmjet institucioneve që ka në varësi si ILDKPI, Drejtoria e Pastrimit të Parave apo ajo e Dokumentacionit të Klasifikuar, ashtu dhe nëpërmjet shumicës në komisionet ad hoc. Nëse politika do të kishte vërtetë interes që të bënte një “mea culpa” në këtë drejtim, ajo duhej ta fillonte vettingun nga vetja. Sepse sistemi i drejtësisë është katandisur në këtë derexhe si pasojë e politikës, e  cila e ka tërhequr gjyqsorin pas interesave të saj. Ndaj korrupsioni në drejtësi është pasojë e korrupsionit në qeveri.

Kështu që politika mbetet shkaku, ndaj ashtu si për të kuruar një sëmundje nuk mund të fillojmë të luftojmë pasojat pa gjetur shkakun. Ajo që vjen si eksperiencë pozitive në këtë drejtim nga vendet e tjera të rajonit tonë, tregon për emra peshqish të mëdhenjë të politikës që kanë rënë në rrjetën e vettingut, pas zgjedhjes së këtyre institucioneve në procedura të drejta ligjore e jo me hile proceduriale. Kësisoj Shqipëria mund të mbetet vendi i vetëm në rajon, ku qytetarët e tij do presin gjatë të dëgjojnë që “iks” president, kryeparalamentar, kryeministër, ministër apo çfardo lloj zyrtari tjetër i lartë u prangos për shkelje të ligjit, për keqqeverisje, për favorizime dhe abuzime me fondet publike, etj., siç ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht në Rumani, Kroaci, Serbi, Mal i Zi, e kështu me radhë. Në vendet e tjera të Ballkanit, ligji ka filluar të kthehet në makthin e politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar, sepse këto vende i kanë hapur rrugën edhe një lidershipi të ri në politikë, me moral dhe integritet të lartë profesional. Shqipërisë i duhet më shumë se kujtdo tjetër në rajon një lidership i ri, që të ketë kaluar vettingun para drejtësisë dhe para se sa të kërkoj pushtet politik.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here