Vrasja e Devi Kasmit/ Merret në pyetje vrasësi i dyshuar, plas debati gjatë seancës…

0

Ish-polici grek, Efthymios Efthymious, i dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë më 29 janar, është marrë në pyetje tre ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një oficer i policisë gjyqësore ka shkuar në mjediset e burgut të Bradasheshit në Elbasan, për të marrë në pyetje për rreth 4 orë shtetasin grek, i cili mbahet aty nën akuzë për vrasjen e Devi Kasmit.

Loading...

Mësohet se gjatë seancës së marrjes në pyetje, në prani të avokates dhe përkthyesit, Efthymious ka debatuar me oficerin gjyqësor, duke i kërkuar që të paraqitet një provë ndaj tij.

Sipas Prokurorisë, ka dyshime se shtetasi grek është vrasës me pagesë dhe ka ekzekutuar Devi Kasmin me porosi të Aurel Hoxhallarit, i cili është ende në kërkim, por Efthymious ka mohuar që të ketë qenë ai përfshirë në vrasje.

Ai thotë se emrin e Devi Kasmit e ka mësuar pas ngjarjes së rëndë, në polici, ndërsa thotë se në Shqipëri erdhi së bashku me një mikun e tij Apostol, i cili donte të blinte një qen.

“Erdha në Shqipëri me mikun tim Apostol. Ai kërkonte të blinte një qen. Apostoli qëndroi 5 ditë në Shqipëri, ndërsa unë do qëndroja më gjatë. Hoxhallarin e kam mik, jam njohur me të në Greqi. Edhe me të dyshuarit e tjerë njihem, jam prezantuar përmes Hoxhallarit. Ndërsa Marion Meshinin nuk e njoh”, tha ai para oficerit që e mori në pyetje.

Sakaq, ai ka debatuar edhe për faktin se përse u mor në pyetje 5 muaj pas ngjarjes për të cilët akuzohet.

HETIMI
Sipas dosjes hetimore, ka qenë një furgon i bardhë, i cili ka marrë vrasësin pas atentatit. Ky fakti i ka çuar hetuesit te greku Efthymios Efthymious dhe tre të arrestuarit e tjerë, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari.

Nga dëshmitë rezulton se ekzekutori ka qenë një person i vetëm në momentin kur u qëllua Kasmi dhe është larguar me motor. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar atentatorin me motor, që merret nga disa persona disa metra më larg përmes një furgoni tip “Benz”, ngjyrë e bardhë. Kamerat kanë fiksuar edhe targën e furgonit. Prokurorët kanë mundur të identifikojnë më pas edhe pronarin e tij, që është një shtetas nga Fushë-Kruja.

Ky i fundit është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se e ka shitur furgonin për 4200. Ai ka treguar se shitja është bërë te një notere më 17 janar dhe personat që e kanë kontaktuar kanë qenë Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari.

Kjo ka qenë përcaktuese për hetuesit, për të zbuluar grupin dhe shtëpinë e Aurel Hoxhallarit, i cili dyshohet si organizator i atentatit, por që është ende në kërkim. Shtetasi nga Fushë-Kruja, që ka shitur furgonin tek organizatorët e atentatit, ka thënë në Prokurori se ai është takuar me dy persona rreth moshës 25 vjeç në afërsi të sheshit “Shqiponja” në Tiranë.

Sipas tij, blerësi komunikonte me dikë tjetër në telefon për çmimin dhe në fund ranë dakord për ta kryer blerjen e furgonit kundrejt 4200 eurove. Nga dëshmia e pronarit të furgonit, rezulton se personi që ai ka takuar ka qenë Elton Halipaj, ndërsa paratë janë dhënë nga Malvin Dinellari. Këta të fundit kanë thënë në Prokurori se punonin për Aurel Hoxhallarin dhe furgonin e kishin blerë për llogari të tij.

Policia më pas ka mbajtur në vëzhgim të dyshuarit për pak ditë, derisa i arrestoi. Gjatë dëshmive në Prokurori, të arrestuarit kanë thënë se shtetasi grek Efthymios Efthymious kishte vetëm një muaj që kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte mik i Aurel Hoxhallarit. Ai është arrestuar gjatë aksionit policor, teksa tentonte të largohej nga banesa.

Loading...

Lini nje pergjigje