Lajthitja e Rilindjes, taksë për televizionet private me paratë e shqiptarëve

0

 

Loading...

Me një akt të paprecedentë, kryeministri Rama ka vendosur të financojë televizionet private me para publike përmes rritjes së tarifës të paguar nga çdo familje dhe biznes për aparatin dixhital televiziv. Këto të ardhura më pas do t’i ndahen televizoneve private sipas audiencës. Rritja e tarifës u vendos si zgjidhje për marrëveshjen mes Kryeministrit Rama dhe përfaqësues të televizioneve private që kanë lobuar vazhdimisht për financimin e tyre direkt nga publiku. Por për të mos ngjallur shumë reagime në publik, qeveria vendosi të kërkojnë në prill të 2018-ës, përmes RTSH-së, rritjet e tarifës së aparatit dixhital si domosdoshmëri për financimin e dixhitalizimit të RTSH-së dhe platformës dixhitale të tij. Ndërsa pardje përfaqësuesit e televizoneve private, në një diskutim me përfaqësues të AMA-s, argumentuan se rritja e tarifës dhe më pas financimi i tyre me para publike është e drejtë sepse televizionet e tyre ndiqen më shumë nga qytetarët se sa TVSH-ja.

Aktualisht, çdo familje dhe biznes paguan 100 lekë në muaj — 1.200 lekë, ose rreth 8.7 euro në vit — si tarifë për sinjalin e transmetimit televiziv publik. Kjo tarifë faturohet dhe mblidhet përmes OSSHEE-së, së bashku me faturimin e energjisë elektrike për çdo familje ose biznes. Në total, nga tarifa mblidhen rreth 11 milionë euro të cilat i shkojnë RTSH-së. Përveç kësaj shume, RTSH merr çdo vit edhe rreth 6,5 milionë euro nga buxheti i shtetit. Së bashku me të ardhurat e siguruara nga vetë institucioni përmes pagesa të ndryshme, përfshi reklamën, buxheti vjetor i RTSH-së arrin në rreth 20 milionë euro.

Në raportin vjetor për vitin 2017, dërguar në Kuvend nga RTSH, pohohet se “shpenzimet e RTSH për digjitalizimin dhe transmetimet… gllabërojnë pothuajse gjithë shumën që mblidhet nga tarifa”. Ndaj, për të siguruar financimin e dixhitalizmit dhe shpenzime të tjera operacionale, TVSH kërkon “një rritje graduale të taksës së aparatit që mund të mbulojë një pjesë të madhe të kostos së dixhitalizimit”. Në fakt, RTSH propozon një rritje prej 50 për qind të tarifës: “Edhe një rritje prej 50 për qind [e taksës] mbi nivelin aktual do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar, për shembull, pagesat vjetore për Deutsche Bank. (RTSH ka marrë kredi nga DB për dixhitalizimin.)

…Një rritje domethënëse e taksës duket e domosdoshme për të siguruar nivelin e duhur të financimit të RTSH-së për funksionim normal. Veç kësaj, mund të ketë nevojë për kontribute shtesë nga buxheti i shtetit në 3-4 vitet në vazhdim për të përballuar pjesën më të madhe të kostos së dixhitalizimit”. Pra, me rritjen nga 1.200 lekë në 1.800 lekë për familje e biznes në vit të taksës për televizionin, RTSH kërkon të përfitojë dhe 5-6 milionë euro më shumë nga taksapaguesit shqiptarë.

Pavarësisht emërtimit, parimisht çfarëdo fondi publik, financimi buxhetor i drejtpërdrejtë i televizioneve private është i gabuar dhe ligjërisht nuk mund të gjejë mbështetje. Kjo, për faktin se fondet buxhetore, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, krijohen “nga të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Buxheti përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit” (Neni 157). Asnjë sipërmarrje private nuk mund të jetë subjekt i financimeve buxhetore të drejpërdrejta, sepse shpenzimet e këtyre subjekteve nuk janë “shpenzime të shtetit”, siç përcakton Kushtetuta. Madje kjo është aq e vërtetë, sa që edhe shoqëritë publike me kapital shtetëror (KESH, OSHEE, OST, etj, ose ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve) janë subjekt i taksimit njëlloj si sipërmarrjet private, edhe pse sigurojnë mallra apo shërbime specifike me interes publik siç është energjia elektrike dhe uji i pijshëm. Ndërsa në situata financiare të pafavorshme i nënshtrohen falimentimit përpara se të jenë subjekt i mbështetjes financiare të drejtpërdrejtë buxhetore, siç kërkohet në rastin e medias audiovizive.

Së dyti, tregu televiziv, ashtu si çdo treg tjetër në vendin tonë, është një treg i liberalizuar dhe rregullohet nga AMA, ndër funksionet institucionale të së cilës është edhe mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe jo e kundërta, deformimi i saj që mund të vijë nga përfshirja e buxhetit në financimin e tyre. Kjo është sanksionuar në Nenin 19 (Funksionet e AMA-s) të ligjit të sipërcituar, në të cilin thuhet shprehimisht se ndër funksionet kryesore të AMA-s është edhe “garantimi i konkurrencës së ndershme…” Mund të thuhet se janë mundësitë që qeveria të mbështetë median audiovizive në mënyra dhe mjete të ligjshme dhe të dobishme për interesin publik. Mirëpo kjo kërkon që AMA të çlirohet nga konflikti i interesave dhe nga roli i avokatit të interesave oligarkike, të përmbushë detyrimet e veta ligjore dhe të vihet në shërbim të qytetarëve, duke filluar me respektimin e lojës së lirë të tregut dhe nxitjen e konkurencës në median audiovizive, por edhe duke ndërmarrë studime për problemet e kësaj masmedie. Kështu, pa ndonjë studim paraprak, janë të gjitha mundësitë që të rishikohen politikat fiskale të qeverisë përsa i takon importimit të pajisjeve transmetuese dhe atyre marrëse nga jashtë vendit, si dhe të nxitet standartizimi i pajisjeve marrëse, me qëllim që ato të mund të përdoren kur një pajtimtar lëviz nga një ofrues shërbimi në tjetrin, pak a shumë si në rastin e portabilitetit të numrave celulare.

 

Edhe shërbimet e internetit mund të përfshihen në vendim-marrjen e Komisionit të Ndihmës Shtetërore me qëllim lejimin e tregtimit nën kosto të tij për median audion-vizive të vendit për një periudhe të caktuar kohe.  Dmth, mbështetja buxhetore për median audiovizive mund të vijë duke rishikuar në ulje ndonjë taksë për importet e pajisjeve standarde e që përputhen me licensat e dhëna dhe jo duke bërë ndarje korruptive të fondeve ndërmjet operatorëve, siç propozohet. Kjo rrugë nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të deformojë edhe më tej informimin publik, si dhe do t’i shndërronte përfundimisht disa media audiovizive me licensë dhe me mbulim kombëtar a më gjerë, në altoparlante politike të trullosjes së qytetarëve në favor të qeverisë, pak a shumë si në regjimin e shkuar komunist.

 

Loading...

Lini nje pergjigje