Delegjitimimi i Maturës Shtetërore me vullnetin e hekurt politik të Ministrisë së Arsimit

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Një nga premtimet më të mëdha të qeverisë Rama dhe vetë komandantit ishte se do të arrinte të bënte një Maturë Shtetërore “të besueshme dhe të mirë administruar”.  Vetëm një vit pas ardhjes në pushtet Rama premtonte se: “Reforma e Maturës Shtetërore është një reformë e domosdoshme dhe mund ta themi me plot gojë që kemi një dokument plotësisht të besueshëm për ta ndërmarrë këtë reformë dhe për të filluar të shikojmë vit pas viti efektet pozitive të saj. Ajo që dua të nënvizoj është se kemi nevojë t’i japim shumë më tepër vend meritës dhe të krijojmë shumë më tepër hapësirë për konkurrentët”.

A e arriti Rama dhe Nikolla objektivin që të ketë një dokument të besueshëm të maturës shtetërore tani pas 5 vitesh të qeverisjes së tij?

Përgjigjja është jo. Ndonëse u bënë manovrime konstruvisto-progresiste-djuiste për një “refomë të besueshme të Maturës Shtetërore”, e vetmja gjë që u artit ishte shkatërrimi i atij besimi relativ që ajo kishte në shumicën e popullatës ky proces.

Si hap i parë, i shkatërrimit të një sistemi vlerash që kishte Matura, ishte iniciativa dhe me pas ndryshimi ligjor që e bëri Maturën Shtetërore dalëse, duke ulur interesin e nxënësve për provimet përfundimtare të shkollës së mesme. Vëmendja kaloi tek mesatarja, marrja e notave sa më të larta që kërkonte universiteti dhe përfundimisht ju hap rruga fiktivitetit të procesit mësimor, me qëllim final provime fiktive dhe krejt të parëndësishme në përfundim të shkollimit 12 vjeçar. Hapi i dytë po kaq i rëndësishëm ishte  heqja e koeficientëve të shkollave dhe lëndëve. Të gjitha shkollat barazoheshin në kriterin për pranimet nw IAL dhe merita e nxënësve e më të mirëve, që premtohej prej Ramës se do të shpërblehej u morr nëpërkëmbë. Për ta kuptuar më thjesht: Një nxënës i gjimnazit me mesatar 9.5 nuk arrinte dot të fitonte të drejtën e studimit në drejtësi, ndërsa kolegu i tij në Liceun Artistik me një mesatare pak më të lartë, ishte më i privilegjuar, ndonëse programi i këtij të fundit në shumë lëndë të formimit të përgjithshëm është më i reduktuar Hapi i tretë,  ishte shkatërrimi i sistemit meritë-preferencë në pranimet në universitet, që sollën një kaos total në 2016, për të cilën askush nuk foli e askush nuk mbajti përgjegjësi, as Rama, e aq më pak Nikolla. Maturantë u hallakatën sa këndej e andej dhe ndonëse problemi i pranimeve në universitete mori një vëmendje edhe mediatike, përgjigjja e Ministrisë së Arsimit, përmes politkbërësit më të madh dhe më sharlatan që ka njohur historia e arsimit shqiptar prej 1912 e deri më sot, ishte: “Proqesi është në rregull. Me 9.4 nuk quhesh maturant ekselent”. Faktin që maturantët u vunë përpara një surprize të pakëndshme e pranon edhe vetë Nikolla në takimin që pati me një pjesë të maturantëve të zgjedhur prej saj, në mars 2018. “Do të keni të njëjtën skemë, nuk do të keni surpriza apo ndryshime”. Ministrja bëri një premtim të huazuar nga fushata për ndërgjegjësimin e maturantëve në 2008, “premtojmë që haka të shkoj tek i zoti”. Hapi i katërt drejt shkatërrimit të besueshmërisë së Maturës Shtetërore dhe pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë ishte ndryshimi i rregullave në fund të lojës, çdo vit. Ndryshim koeficientësh, mesatare e përcaktuar nga Kryeministri vetëm gjatë muajit qershor, kuota e tarifa që nuk merreshin vesh asnjëherë se dy ditë më parë se të fillonte procesi i përzgjedhjes së programeve të studimit. Pra me pak fjalë një mungesë totale e transparencës dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut më ndjeshëm: të rinjve dhe familjeve që ata përfaqësojnë.

Rama, Ministria e Arsimit dhe në veçanti ministrja Nikolla na premtoi një administrim perfekt të Maturës Shtetërore. Po çfarë ndodhi në realitet?

Nga viti në vit niveli i keq administrimit u rrit më një shpejtësi të madhe, duke marrë forma skandali që në secilin vend do të kishin tronditur rëndë pozitat prej kryeministrit e deri tek nëpunësi më i vogël përgjegjës për administrimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Kopjimet ishin thuajse të përhershme, premtohej për masa të ashpra dhe asnjëherë nuk pati të tilla, testet më parë dilnin se shpërndaheshin tek nxënësit e kështu me radhë. Rama u mburr se “dy zysha bënë atë që nuk e bën dot profesorët me tituj në Ministrinë e Arsimit në drejtim të administrimit të provimeve të Maturës”, por faktet në terren e përgënjeshtronin rëndë Komandantin. Matura u kthye në një qokë për miqtë e shokët dhe në një mundësi të artë ku maturantët treguan aftësi të jashtëzakonshme në përdorimin e teknologjisë së informacionit. Premtimi se më i miri do të marri atë që i takon mbeti në letër. Në mars të vitit 2018, në takimin me maturantët, Ministrja Nikolla kishte bërë një premtim serioz, duke dhënë një “mesazh të fortë”, për  administrimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2018.  “Për provimet e maturës shtetërore, që unë dua t’ju them edhe njëherë, ne do të marrim masat maksimale që të jenë të mirë administruara, që historitë e kopjes dhe celularëve apo e gjithçkaje tjetër të mos jenë më pjesë e vlerësimit të procesit të maturës shtetërore kështu që, duhet që haka të shkojë tek i zoti në kuptimin e plotë të fjalës, i pa ndihmuar nga ndërhyrjet e jashtme, por padyshim në gjithë talentin tuaj, punën dhe energjinë që ju keni bërë në gjithë vitet e shkollimit tuaj për ndërrimin e një prej cikleve më të rëndësishme të jetës që është ajo e gjimnazit.”. Të njëjtin qëndrim e kishte përforcuar zëvendësministrja e arsimit zonja Shahini e cila kishte shkuar edhe më tutje, duke “kërcënuar”, se “maturantët që do të kopjonin nuk do të futeshin në provimet e vjeshtës”. Të gjitha premtimet dhe kërcënimet e zyrtarëve më të lartë dështuan me sukses. Maturantët kopjuan sa u desh qejfi dhe masat maksimale të mirë administrimit u kthyen në bumerang. Tanimë është e njohur, e zbuluar, fare transparente, se Matura Shtetërore, është degjeneruar në atë farë feje, saqë nuk ka Rilindje e rilindëse që ta sjelli në shina. Tani rilindëset nga këtej dhe andej kufirit shqiptaro-shqiptar,  duhet të luten shumë, (se dorëheqjen  nuk e japin kurrë), që ferri që kanë krijuar në Maturën Shtetërore dhe në tërësi në sistemin arsimor të zgjas sa më pak, agonia të marri fund dhe arsimi të marri pak frymë, nga takat e larta që e kanë zënë për fyti, nga paaftësia dhe dëshira për shkatërrim të çdo gjëje të mirë, në emër të “evropianizimit të arsimit shqiptar”. Kush do të mbajë përgjegjësinë për situatën e krijuar? Askush, sa kohë fjala përgjegjshmëri, u varros nga papërgjegjshmëria e atyre që udhëheqin arsimin. “Reforma” në arsim i ka dhënë frytet e veta negative. Por më e keqja ende nuk ka ndodhur. Së shpejti ndryshimet ligjore në ligjin e arsimit parauniversitar, do ta kthejnë sistemit arsimor prej kopshtit e deri në gjimnaz, në shërbim të partisë shtet. Në fund të fundit këto ndryshime ligjore mund të quhen edhe ndershmëri politike. Rilindësit nuk e fshehin aspak qëllimin që kanë për politizimin e shkollës, përkundër propagandës së mandatit të parë kur “betoheshin” për depolitizimin e arsimit. Matura Shtetërore nuk mund të jetë dhe nuk është përjashtim nga rregulli, në këtë këndvështrim.  Administrimi i saj tregon se jemi vite dritë larg nga familja evropiane, të cilës duam t’i bashkohemi me kaq sforco të madhe.

Lini nje pergjigje