Ndryshojnë rregullat për sigurimin e makinave, çfarë duhet të dimë…

0
472

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar draftin e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Por cilat janë risitë e tij për kompanitë, institucionet dhe qytetarët? Më i rëndësishmi është sistemi bonus-malus, i cili synon të orientojë primin që paguan çdo qytetar sipas profilit të riskut. Kompanitë kufizohen tashmë në lojën e tyre me çmimet. Ato mund të ndryshohen deri në dy herë në vit. Kur mjeti ndryshon pronësinë, kontrata e sigurimit nuk është e transferueshme, duhet ta bëni nga e para. Ndarja e përgjegjësive të Byrosë së Sigurimit dhe krijimi i Entit të Fondit të Kompensimit. Prej të paktën tre vjetësh ka përpjekje për të ndryshuar ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Por sa herë drafti ka dalë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të marrë mendimin e Ministrisë së Financave, është kthyer pas për rishikim. AMF deklaroi pak ditë më parë se një draft i ri i është dërguar sërish Ministrisë, e cila ka fjalën e fundit për të dhënë “bekimin”, duke i hapur rrugë kështu kalimit të hallkave të tjera. Tregu i sigurimeve konsiderohet si më problematiku dhe kjo e bën edhe më emergjente nevojën për ndryshimet ligjore. Por cilat janë në fakt risitë që ka ky ligj dhe si pritet ta ndryshojnë ato tregun, marrëdhënien e kompanive me institucionet dhe çfarë ndryshon për qytetarët?

 

Pagesa e sigurimit

Sistemi bonus-malus ishte pjesë e draftit të parë të prezantuar nga AMF, madje ky model u sqarua në detaj duke theksuar se në bazë do të kishte modelin italian. Logjika e sistemit bonus-malus është që pagesa e çdo primi sigurimi të bëhet sipas profilit të riskut që paraqet çdo drejtues mjeti. Risku më i lartë, ashtu si në modele tipike të kësaj natyre, u vishet atyre që marrin një leje qarkullimi për herë të parë, si dhe atyre që kanë një historik problematik, lidhur me aksidentet. Këto dy grupe do të paguajnë edhe çmime më të kripura. Në draft-ligjin e AMF, sistemi bonus-malus përcaktohet në nenin 8, ku thuhet se bazë për përcaktimin e primeve do të shërbejë historiku i aksidenteve në pesë vitet e fundit.

 

“Sistemi bonus-malus është sistemi i cili zbatohet për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të të siguruarve Certifikatën e historikut të dëmeve të 5 viteve të fundit, sipas formatit, metodës, afateve dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti”, thuhet në draft-ligj. Kjo do të thotë se primi i sigurimit për çdo qytetar do të jetë “i personalizuar” dhe rezultat i disa faktorëve që merren në konsideratë gjatë përllogaritjes. Gjasat janë që detajet më të sakta për klasat, AMF, t’i përcaktojë me një rregullore më vete. Bonus-Malus është një sistem i cili përcakton çmimin që duhet të paguajë çdo qytetar sipas historikut të tij. Ai përdoret në një seri sektorësh si sigurime, call center, taksa, banka. Tek sigurimet, kuptimi i bonus-malus përfaqëson çmimin më të lirë për drejtuesit me historik të pastër nga aksidentet dhe çmimin më të shtrenjtë për ata me historik problematik në aksidente, apo për ata që marrin lejen e drejtimit për herë të parë. Ndarja e klasave varion nga vendi në vend dhe sistemi në vetvete synon rritjen e përgjegjshmërisë së drejtimit të mjetit në funksion të uljes së aksidenteve. Futja e një sistemi të tillë ecën paralel me liberalizimin e tregut të sigurimeve, duke e bërë më të vështirë fiksimin e çmimeve nga kompanitë.

 

 Dëmshpërblimi

Në rastet kur kompanitë bëjnë pranimin e një kërkese dëmshpërblimi ato duhet që ta trajtojnë atë brenda 30 ditësh, nëse është kërkesë për dëme pasurore dhe 90 ditë, për dëme pasurore. E reja në nenin 12, që lidhet me dëmshpërblimin, ka të bëjë me vendosjen e një afati për pagesën e dëmshpërblimit. “Shoqëria e sigurimit do të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit. Në rastet kur kërkesa e paraqitur nuk është e plotë, shoqëria e sigurimit i drejtohet paraqitësit të kërkesës me shkrim brenda 8 ditëve pas pranimit të kërkesës dhe kërkon plotësimin e dokumentacionit”, thuhet në draft-ligj. Po kështu një tjetër e re është edhe trajtimi që do t’ju bëhet kërkesave për dëmshpërblim në vlerë të vogël deri në 100 mijë lekë. Sipas draftit të AMF, kërkesat për dëmshpërblim për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 100 000 lekë, do të paguhen nga shoqëritë e sigurimit brenda 14 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.

 

Pronësia mbi makinën

Sot çdo pronar mjeti që vendos ta shesë atë, mund të transferojë pa problem edhe policën e sigurimit. Pronari i ri thjesht duhet të paraqitet pranë kompanisë që ka prerë këtë policë dhe të bëjë plotësimin me emrin e tij pa paguar asgjë shtesë. Kontrata e sigurimit është e transferueshme. “Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë, që rrjedhin nga kontrata e sigurimit, i kalojnë pronarit të ri dhe vlejnë deri në përfundimin e kontratës së sigurimit, përfshirë këtu edhe të drejtat e detyrimet e përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji. Pronari i ri, brenda 8 ditëve, detyrohet të njoftojë shoqërinë e sigurimit për ndryshimin e pronësisë së mjetit dhe pasqyrimin e këtij ndryshimi në kontratën e sigurimit”, – thuhet në ligjin aktual.

Me draftin e ri, kjo procedurë nuk do të jetë më e njëjtë. Sipas nenit të ri, që përcakton këtë aspekt, pronari i ri duhet të bëjë kontratë të re sigurimi për mjetin, kurse ai që e ka pasur deri dje i kthehen paratë për pjesën e mbetur të periudhës. “Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri. Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit, ndërsa pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm”, – thuhet në draft-ligj.

 

Falimenti

Drafti i fundit i ligjit “për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” fut për herë të parë konceptin e falimentit, pra çfarë ndodh me dëmet që duhet të paguhen, kur një kompani del nga tregu, pra falimenton ose mbyll aktivitetin. Pagesat do të bëhen nga një fond i veçantë që do të llogaritet sa 0.5% e primit të shkruar bruto. “Enti i Fondit të Kompënsimit krijon fond të veçantë për pagesën e dëmeve në rast të mbylljes apo falimentimit të shoqërisë së sigurimit, sipas përcaktimeve të këtij neni. Financimi i këtij fondi bëhet çdo vit nga kontributi i shoqërive të sigurimit në masën 0.5% i primit të shkruar bruto të sigurimit të detyrueshëm të vitit paraardhës, me përjashtim të kartonit jeshil, deri sa të arrijë nivelin e provigjoneve teknikë të sigurimit të detyrueshëm të shoqërisë që zë pjesën më të madhe të tregut në vitin paraardhës në këtë lloj sigurimi”, – thuhet në draft. Financimi për këtë fond bëhet brenda muajit janar të çdo viti kalendarik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here