Kukësi gati për revoltë: Nuk pranojmë asnjë lloj tarife…

0

Më një qasje tipike prej hipokriti, duket se Edi Rama ka vendosur tinëz rinovimin e tentativës për tarifimin e automjeteve në Rrugën e Kombit. Ndryshe nga sa premtoi për një periudhë dynujore konsultimesh me bizneset dhe qytetarët, asnjë anëtar i qeverisë nuk është konsultuar me asnjë shtresë të popullsisë në Kukës dhe as në gjithë zonën e Verilindjes, që preket nga një vendim i tillë në rrugë ekonomike. Pas lajmit për rivendosjen e tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit, ka ardhur dhe reagimi nga Kryetari i degës së PD-së dhe kryetar i këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Kukësit, Arif Rexhmati, i cili ka thënë se taksa zero nuk negociohet ndërsa Këshilli Bashkiak është i vendosur në kërkesën për taksë zero në Rrugën e Kombit dhe nuk është njoftuar zyrtarisht për rivendosjen e taksës. Reagim ka patur dhe nga nga shoqata ”Biznesi për Biznesin”. Sokol Kolgjini, kryetar i kësaj shoqate ka thënë se lajmi i shpërndarë në media është provokim nga qeveria.

Loading...

Gjatë kësaj periudhe që nga 31 marsi kur kuksianët protestuan kundër taksës 5 euro, ende nuk është realizuar asnjë dëgjesë me qytetarët në lidhje me këtë shqetësim. Edhe pse ende nuk është vendosur përfundimisht vlera, mendimi i kuksianëve nuk ka ndryshuar: Taksë zero për Rrugën e Kombit!

Paraprakisht, flitet që tarifa për ta, do të jetë 100 lekë të reja, nga 5 euro që ishte varianti fillestar. Të ndodhur përballë kësaj situate, kuksianët thonë, se askush nuk ka shkuar në zonë që të konsultohet me banorët, që sipas tyre është një përsëritje e gabimit që vetë kryeministri e pranoi, në aplikimin e tarifës që solli edhe protestën e tyre. “Mësuam nga lajmet e televizioneve e portaleve që do rivendoset tarifa në rrugën e Kombit. Unë mendoj, se kjo është një lëvizje për ta matur reagimin tonë ndaj Qeverisë, pasi kjo e fundit po t’a kishte një vendim të tillë do vinte të konsultohej me ne. Për ne ka shumë rëndësi që tarifë të mos ketë fare. Por nga ana atjetër, vetë Qeveria duhet të vijë dhe të ulet me ne, pasi ne kemi kundërshtuar çdo tarifim, jo vlerën e tij. Ne nuk duhet të paguajmë asnjë taksë” thotë Kolgjini.

Ai shprehet, se mungesa e komunikimit mes Qeverisë dhe komunitetit të zonës, çon në përsëritjen e gabimit të parë, qe vetë kryeministri Rama e pranoi pas protestës së organizuar, ku Kolgjini thekson, se nëse kryeministri e vendos këtë tarifë sërish, nuk ka falje të dytë për të. “Kryeministri, sapo ne protestuam 31-prillin e kaluar, fillimisht doli e na konsideroi “huliganë”. Më pas, kuptoi se ishte gabim dhe na kërkoi falje. Por, të ribësh dy herë të njëjtin gabim, ai konsiderohet faj dhe për fajin që mund të bëjë, Rama nuk do të falet më nga ne” thotë Kolgjini.

I pyetur se çfarë do të bëjnë banorët e Kukësit nëse Qeveria vendos tarifimin e rrugës së Kombit edhe për ta, Kolgjini thotë, se shumë shpejt shoqëria civile do të mblidhet dhe në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak do të vendosin për hapat e mëtejshëm. Por, për Kolgjinin, protestat do të vijojnë, nëse në tarifim do të përfshihen edhe banorët e Kukësit. “Ne po presim se çfarë vendimi do të marë Qeveria. Nëse kjo e fundit do të vendosë që edhe ne do paguajmë për të kaluar në rrugën e Kombit, atëherë ne do të protestojmë sërish. Sot do mblidhemi në një takim të posaçëm dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë” thotë Kolgjini.

 

Trarët

Teksa banorët janë tërësisht të paqartë dhe të painformuar, se çfarë do të ndodhë me ta, në “Rrugën e Kombit” ka nisur puna për rivendosjen e terminaleve të pagesave, pas shkatërrimit që i bënë banorët e zonës në protestën e organizuar më 31 marsin e kaluar, protestë pas së cilës janë ende në burg tre banorë të zonës. Në vendin e pagesës së tarifimit, traun e ngritur për këtë qëllim, pritet që brenda pak javësh të jenë gati 10 sportelet e reja, ku do paguhet tarifa për kalimin në “Rrugën e Kombit” nga çdo automjet që do të hyjë apo dalë nga kjo rrugë.

Nga raportimet në media, flitet, se kryeministri Edi Rama shumë shpejt do të bëjë publike tarifat që do paguajnë qytetarët e Kukësit, ku pritet që banorët e zonës të paguajnë një tartifë të reduktuar për lëvizjen në këtë rrugë.

 

Kosova

Por reagime të shumta ka patur edhe në Kosovë. Autoritetet kosovare janë ende të shqetësuara për tarifën e lartë në këtë rrugë. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se për këtë çështje nuk ka pasur takime të caktuara por që është diskutuar shkurtimisht në Samitin e Sofjes. “Nuk mund të themi që për këtë çështje jemi takuar apo që kemi biseduar eksplicite, por në Samitin e Sofjes ku ishte prezent edhe ministri Gjiknuri e kemi biseduar njëherë në pak sekonda dhe i kam shfaqur mospajtimin tonë për çmimin fillestar që është vendosur nga shteti shqiptar për Rrugën e Kombit”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, këto tarifa janë më të lartat në Evropë dhe nuk përkojnë me gjendjen e ekonomike as të familjeve e as të biznese të të dy vendeve. “Për këto çështje jemi shprehur prej fillimi se do të duhej të konsultoheshim ndërmjet vete, sepse jemi përveçse fqinjë edhe vende me popullatë të njëjtë dhe rrjedhimisht me ndjenja të njëjta”, ka shtuar Lekaj.

Kreu i Ministrisë së Infrastrukturës ka deklaruar se dy qeveritë duhet të angazhohen për të zhvilluar gjëra që bashkojnë dy vendet edhe më shumë, e jo gjëra që rrisin ndarjen. “Po presim që të shohim nëse ka ndryshim dhe sa është ai ndryshim për këtë tarifë rrugore”, ka përfunduar Lekaj.

Loading...

Lini nje pergjigje