Tregu i “Gabit”, ishulli i shpëtimit “rilindas” për shqiptarët

0

Shqiptarët vishen tek tregu rrobave me kile “Gabi” dhe ky treg është i preferuari i tyre. Të dhënat zyrtare, flasin për sasi të mëdha të importit të veshjeve dhe këpucëve të përdorura. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për pesë muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri janë importuar nga jashtë mbi 2.9 milionë kilogramë rroba dhe këpucë të përdorura, atë që rëndom në Shqipëri njihet si “gabi”. Të dhënat e detajuara tregojnë se në janar 2018 u importuan 563.444 kilogram rroba dhe këpucë të përdorura. Në muajin Shkurt janë importuar 658,067 kilogram, në Muajin Mars 653,955 kilogram, në muajin Prill 592,737 kilogram, ndërsa në 20 ditët e para të muajit Maj, kanë hyrë në Shqipëri 444,004 kilogram rroba të përdorura. Në total, në 5 muajt e parë të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 2,912,206 kilogramë rroba dhe këpucë të përdorura.

 

Muaji      2016      2017      2018

 

Janar      679,597    576,583    563,444

 

Shkurt     670,986    844,876    658,067

 

Mars 7    68,265     721,505    653,955

 

Prill      680,409    768,287    592,737

 

Maj       668,161    687,936    444,004

 

Qershor    692,250    663,572

 

Korrik     831,110    864,631

 

Gusht      248,902    345,316

 

Shtator    971,810    1,119,076

 

Tetor      1,197,152  1,084,803

 

Nëntor     1,086,829  1,121,159

 

Dhjetor    996,226    956,667

 

Total      9,491,697  9,754,410  2,912,206

 

 

Në vitin e kaluar në Shqipëri janë importuar 9,754,410 kilogram rroba, kurse në vitin 2016 kanë hyrë në vendin tonë 9,491,697 kilogram rroba të përdorura. Këto të dhëna, tregojnë qartë, se shqiptarët po blejmë çdo ditë e më shumë produkte në tregjet e rrobave të përdorura.

Por, sa kushtojnë zakonisht rrobat e përdorura?

Çmimet në këto “tregje” rezultojnë, se janë të ëprballueshme nga familjet shqiptare. Në varësi të gjendjes së rrobave, një palë pantallona shkojnë deri në 500 lekë, një këmishë shkon deri në 200 lekë, një kanotiere në 100 lekë, ndërsa më të kripura janë çmimet e xhupave, fustaneve të dasmave apo edhe bizhuterive.

 

Kush blen në këto “tregje”?

Teksa vështron klientët që shohin dhe blejnë në këto tregje, konstaton, se ata vijnë nga shtresa e varfër dhe e mesme e shoqërisë shqiptare. Por, tregtarët pohojnë, se nuk mungojnë as klientët “VIP”. “Këtu vijnë zakonisht njerëzit që nuk kanë shumë para, por edhe shtresa e mesme, pra nëpunës të administratës, mësues, mjekë, studentë, të rinjë e të reja. Por, nuk harroj njëherë që erdhi edhe një aktor shumë i njohur, që tek unë bleu një palë atlete” shprehet kështu një tregtar në zonën e Komunës së Parisit.

Si është gjendja fizike e rrobave të përdorura?

Në tregun e rrobave të përdorura mund të gjesh produkte vërtetë të mira, pasi ato janë mirëmbajtur nga njerëzit që më parë i kanë përdorur. Jo në të gjitha rastet ndodh një gjë e tillë, por shpeshherë klientët kanë mundësi që të gjejnë rroba firmato dhe të mirëmbajtura. Por, ka edhe raste kur rrobat e përdorura janë tërësisht jashtë standardeve, duke bërë që njerëzit të shpenzojnë dhe të mos kenë mundësi që t’i përdorin gjatë këto rroba.

Si paraqitet situata në terren?

Rritja e kostos së jetesës, pamundësia ekonomike për të blerë rroba firmato apo edhe thashethemet, se tek “Gabi” ka rroba origjinale, ka bërë që tregjet e rrobave të përdorura të shtohen në gjithë vendin. Thuajse në çdo lagje, në cepat apo qendrat e tyre, sheh me lehtësi, kryesisht përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët me grumbujt e rrobave bëjnë thirrje për t’u afruar gjithkush dhe për të blerë diçka.

Teksa afrohesh në “tendat” e tyre, që në fakt vetëm emrin e kanë të tillë, pasi ata i tregtojnë rrobat e vjetra në thasë të shtrirë në dysheme, sheh njerëz të ndryshëm që kërkojnë me insistim për rroba, këpucë, çanta dhe aksesorë të tjerë. “Dal çdo të dielë, e kam fiksim. Tek “gabi” gjen gjëra intëresante dhe origjinale” thotë kështu një grua e cila e frekuenton tregun e rrobave të vjetra në zonën e Kupolës, në Laprakë.

Ndërsa ecën, dëgjon thirrjet e tregtarëve, “1 qind lekë copa, 3 copë 100 lekë”, çka në fakt është një mënyrë shumë e mirë për të tërhequr vëmendjen e klientëve. “Me rrobat e vjetra meremi, skemi rrugë tjetër. I marim nga jashtë, i sjellim këtu dhe i shesim. Me këto të ardhura mbajmë familjet tona” thotë një nga tregtaret, që çdo ditë del në këtë treg në orën 07:00 të mëngjesit deri në orën 19:00. “Burri merr një deng dhe punon në anan tjetër të tregut, ndërsa unë në hyrje të tij. Ç’të bëjmë? Nuk fitojmë shumë, por të paktën mbajmë frymën gjallë” thotë ajo.

Teksa merr urbanin e linjës së Tiranës së Re, në zonën e njohur si “Pallati me Shigjeta”, takohesh me një tjetër “treg” që vetëm emrin e ka të tillë, aty ku punojnë dhjetra romë, duke shitur rrobat, bizhuteritë, çantat apo produkte të tjera. Ecën brenda tregut dhe sheh me lehtësi kushtet shumë të rënda higjeno-sanitare, në të cilat punojnë “tregtarët” dhe njëkohësisht blejnë klientët. “Është vend me shumë pisllëqe, por ç’të bëjmë? Vijmë e shohim, pasi nuk kemi mundësi që të blejmë rroba në butiqe. Kanë kosto shumë të lartë, kosto që ne nuk e përballojmë dot” thotë një grua rreth të 50-tave.

Lini nje pergjigje