Pse të mos flasim për varfërinë?

0
242

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Në fillim të viteve 1990, menduam se varfëria mund të shkulej shpejt nga vendi ynë. Prej emigrantëve, vërshuan frigoriferë, makina larëse, tapete, rroba, kaloriferë, dhrahmi, marka, lireta, franga franceze e kështu me radhë. Shqiptarët të pangopur ndonjëherë me rroba dhe ushqim, tani në një pjesë të mirë të tyre, kishim mundur të siguronin mjetet bazë të jetesës. Të etur për shtëpi në mungesë të hapësirave për të jetuar si njerëz, filluan të ndërtojnë me tepri, me dy tre e më shumë kate, në garë me kohën dhe me komshiun se kush e kishte më të mirë.

Po a u zgjidh gjithçka me atë vrull të parë, për përmirësimin e jetesës?

Ajo që prej shumë prej nesh u mendua se ishte punë që bëhej për nja 15-20vjet, shkoi shumë më gjatë seç e kishim menduar. Prej marrëzisë kolektive të firmave piramidale e deri më sot, gjërat kanë ecur, kanë ngecur, jemi kthyer mbrapa, duke menduar se kemi ecur përpara, por përsëri jemi shumë mbrapa. Ekonomikisht jemi vendi më i varfër në Evropë, të krahasueshme me vendet re botës së III-të, që dikur i merrnim si referencë të varfërisë. Ndonëse mendojmë e mburremi se jemi vendi i dytë në Ballkan me rritjen më të madhe ekonomike, në fakt nuk hapim dot asnjë vend pune dhe nuk gjenerojmë dot nga ekonomia jonë të ardhura të mjaftueshme, për të pretenduar një zhvillim të qëndrueshme. Nuk kemi ndërtuar një shtresë të mesme, përkundrazi po mundohemi ta shkatërrojmë përmes taksave dhe linçimit politik, po përpiqemi dhe ja kemi dalë me sukses të ngremë një shtresë oligarkësh, që janë të kapur pas tenderave të qeverisë, madje janë regjistruar, kanë filluar aktivitetin dhe janë bërë tepër kreativ e të pasur pas shtatorit 2013. Edukojmë shumë pak punën dhe më shumë mashtrimin, nuk kemi një sistem të qëndrueshëm të arsimit profesional, si një mundësi për të nxitur të rinjtë drejt profesioneve, ulur papunësinë e si qëllim final reduktimin e varfërisë. Ndërkaq që në sektorin e agrobiznesit, gjithçka është lënë në dorë të fatit. Prodhimi që shpëton prej shirave e përmbytjeve të përvitshme, i merr “më qafë” shiu dhe breshëri I muajve prill-maj. Tregu sakaq është më se i rregulluar “mbështetur ën parimet e ekonomisë së lirë”. Me çmime që vihen sipas qejfit e dëshirës, gjen bollëk në çdo cep, por askush nuk garanton cilësinë. Ndërkaq që buka mbetet ende një ushqim bazë, në vendin tonë. Ndërsa në vende të tjetra thonë “shkojmë për darkë’, tek ne ende vijon shprehja “shkojmë hamë një çap bukë këtu se është lirë”, ose shprehja “eja të pijmë diçka”, tek ne është thjesht “do shkojmë të pimë një kafe”. Ndërkaq absurdi qëndron në faktin se kafet janë plot, por kjo situatë nuk përkon me gjendjen ekonomike.

A është varfëria burimi i krimit në rritje?

Ndoshta nuk është i vetmi faktor por ndër më kryesoret po. Në vite kemi parë shtimin e rasteve të grabitjeve me dhunë të banesave, pikave të basteve, të këmbimit valutor. Madje kaq i madh ka qenë guximi për të fituar para saqë janë grabitur shuma të konsiderueshme të bankave, u është flaka mjeteve që janë grabitur dhe të gjitha këto në mes të ditës, brenda në qendër të qyteteve apo në rrugë kryesore, siç është rruga që të çon në të vetmin aeroport ndërkombëtar në Shqipëri, atë të Rinasit. Gjithkush mendon se të gjithë këta janë kriminelë dhe kështu është, sa kohë që kanë shkelur ligjin. Një pjesë prej tyre nuk kanë ngurruar të përdorin edhe armët duke sjellë edhe pasoja fatale me humbje të jetëve të njerëzve. Të rinjtë nuk pyesin nëse bëhet fjalë për një shtëpi, për një dyqan lagjeje, për një kafene diku në periferi, mjafton të gjejnë e të marrin ca të holla. Duhet shumë kohë e studime të gjenden arsyet sesi të rinj që duhet të shijonin jetën dhe suksesin me punën dhe djersën e tyre, marrin riskun për grabitje dhe dhunë që u kushton mbase edhe mbylljen e të ardhmes së tyre përgjithmonë? Mbi gjithçka që mund të thuhet e shkruhet, ajo që mbetet është shpresa shumë e pakët, dëshira për të fituar para por nuk lidhet sesi, kopjimi i shembujve më të këqij që mund të ketë shoqëria, të fortët e lagjes apo mjedisit ku janë. Këta të fortë janë njerëzit me makina të shtrenjta, super luksoze, me veshje firmato, zinxhirë e byzylyk, me të dashura që i ndërrojnë njëra pas tjetrës. Ndërkaq që tregu i punës është ngurtësuar, profesionet janë më pak të lakmuara. Shumë të rinj që diplomohen në mjekësi apo infermieri dhe degë të shëndetësisë mezi presin të ikin në Gjermani, madje edhe profesionistë të tillë si murator, hidraulik etj, e gjejnë shpëtimin jashtë vendit. Pasiguria në rritje, shtrenjtimi i jetesës dhe mungesa e një perspektive të qartë për vendin lënë shumë pak vend për të menduar gjatë për të ardhmen, duke i hapur rrugë shtegtimit një orë e më parë.

Rritja e varfërisë po godet rëndë arsimin

Varfëria dhe arsimimi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, veçanërisht në botën digjitale në të cilën jetojmë. Mungesa e mjeteve financiare çon në zvogëlimin gjithnjë e në rritje të mundësisë për arsim, deri në zerimin e kësaj mundësie. Nuk mund të luftosh varfërinë me njerëz të pa arsimuar dhe as nuk mund të mburresh se shqiptarët kursejnë e hanë njëherë në ditë, vetëm që fëmijët të arsimohen. Tani është fare e qartë se ka shumë shqiptarë që hanë 1 herë në ditë ose 1 herë në dy ditë, po fëmijët nuk i dërgojnë në shkollë. Preferojnë më mirë t’i përdorin si krahë pune, sesa t’i arsimojnë. Nuk kanë as libra falas, as çantë falas, as transport falas, as ushqim falas. Atëherë përse duhet të shkoj në shkollë një i vobektë, kur me punë të rëndomta mund të nxjerrë ca lek për të ushqyer barkun e tij të pangopur prej lindjes e deri ën adoleshencë? Po sikur të ndodh që të arsimohet, e çfarë do të bëjë me diplomën e tij? T’i afrohet partisë që ka më shumë mundësi ta punësoj apo të pres se mbase meritokracia, triumfon mbi idiokracinë? Faktet janë vërtetë rrëqethëse ndonëse herë të publikuara e të harruar e herë të publikuara e të fshehura e lustruara. Një vëzhgim i mediave njoftoi se në Librazhd vajzat linin shkollën 9-vjeçare në moshën 12, 13 dhe 14 vjeç e martoheshin. Këtë fakt e dinin të gjithë: Mësuesit, drejtuesit e arsimit, Shërbimi Social, pushteti vendor. Por të gjitha këto institucione nuk kishin asnjë faj. Fajtori më i madh u gjend “hoxha” që kishte nxitur martesat e shpejta!? E shteti si gjithnjë lau duart në “në pafajësinë” e tij. Pra shteti nuk bëri asgjë. Ndërkohë që raportimet për tentativë përdhunimi, rrahje e marrëdhënie të të rriturve me forcë me adoleshentët, vijojnë të rriten. Po si mund të pretendojmë ne të bëhemi një shoqëri e mirë, me femrën e pa shkolluar, pa integritet, pa dinjitet, që shitet e blihet si në tregun e gjësë së gjallë? Si mund të pretendojmë se kemi një arsim modern, me “kushte digjitale”, kur kemi një infrastrukturë të vitit 1980? Si mund të pretendojmë të reduktojmë varfërinë përmes arsimimit, kur arsimi është kthyer në sektorin që merr më pak nga buxheti i shëtit dhe vijon të përdoret si kavie për eksperimentit? A e gjejnë të rinjtë tanë veten në vendin e tyre, apo mezi presin t’ia mbathin nga sytë këmbët, qoftë edhe në punë të rëndomta, mjaft që të mos e mbyllin jetën në humbëtirën, që quhet vendlindje?

Tani kërkesat për studime në Gjermani, Itali, Amerikë e gjetiu janë rritur nga dhjetëra, në mijëra. Tani rinia po mbush perëndimin dhe Amerikën dhe zor të besosh që qoftë edhe një përqindje e vogël prej tyre të kthehen në Shqipëri. Në këto kushte arsimi fiton më pak mundësi për konkurrim, më pak shanse të zgjoj shpresën, e për rrjedhojë më pak interes për të rinjtë.

Mund të flasim sa të duam për gjithçka, por le të shtrohemi këmbëkryq për të folur, punuar e vepruar me një aksion kombëtar kundër varfërisë. Ta nisim nga arsimi e punësimi, duke përfunduar më pas tek iniciativat vetjake për biznes e krijimin e klimës për investime të huaja, kaq shumë të nevojshme për një vend si ne

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here