Boshatisja e Shqipërisë dhe skenari i mynxyrave që na presin

0

Nga Artur Zheji

Loading...

Janë mbi një milion aplikime në 3 vitet e fundit për llotarinë amerikane, por janë disa qindra mijëra ata që janë larguar ndërkohë, pa e kthyer kokën pas, me një dëshpërim pa kufi dhe me një shpresë shpesh herë të rreme, për një tokë të premtuar që do të mund ti presë më mirë..

Dhe do ta fillojnë këta qindra e mijëra shqiptarë, jetën e tyre të re, duke filluar nga shtresat më të ulta të shoqërisë mikpritëse, ndërkohë që shkojnë si të varfër, që largohen nga vendi më i pasur për frymë, në burime natyrore në Europë.

Një pasuri që u fshihet shqiptarëve dhe u grabitet në errësirë nga një grup të pangopurish, nga brezi më grabitqar i politikanëve dhe i zorraxhinjve të tyre që kanë përqark.

Një grup të pangopurish që natën grabisin Shqipërinë me ndihmën e ligjit dhe ditën qajnë hallet e varfërisë së saj të pashërueshme, kur vetë sëmundja që mbjell varfëri ndër shqiptarët, janë ata vetë, si shkaktarë dhe përfituesit e mëdhenj të kësaj epidemie që shkakton një vdekje masive të shpresës dhe të besimit te shqiptarët…

A ka një skenar për zbrazjen e Shqipërisë, e cila duhet të mbetet në dominimin e disa pak super të pasurve dhe të disa super politikanëve të paprekshëm dhe oborrit të tyre?

Pse nuk paska kapacitete Shqipëria të mbajë një popullsi të vogël 3 milionëshe, me dinjitetin e dhe standartin normal njerëzor?

Një popull i vuajtur dhe në thelb gjithmonë i gatshëm për sakrifica të pabesueshme për të ardhmen e fëmijëve të tyre?

Zbrazja e Shqipërisë është një pazotësi dhe një dështim i politikës shqiptare, apo edhe një konspiracion më i gjerë dhe i vetëdijshëm i kupolës që drejton sot Shqipërinë, për tu çliruar nga të pakënaqurit dhe nga të papunët e këtij vendi, duke ja shkarkuar vendeve të tjera si një barrë skllevërish?…

Apo është duke u ripërsëritur eksperimenti i Ramiz Alisë në vitin 1990, që drejtoi dhe shtyu qëllimisht të pakënaqurit e regjimit drejt ambasadave, drejt emigracionit? Duke e përdorur këtë skemë si një valvul shkarkimi, për të ulur tensionet politike në Shqipëri, a mos kemi pra, një përsëritje me të njëjtin qëllim, por me metoda të reja?

Ndërkohë që kolapsi ekonomik është i qartë, tezat antidrogë të përzgjedhura nga Opozita, janë dukshëm antipopullore dhe jo elektorale, sepse, me sa duket, po shndërrohemi në një popull trafikantësh, si e vetmja mënyrë mbijetese në këtë xhungël të egër sociale ku gjithkush duhet të vetëmbrohet, dhe ku kafsha më gjakatare shqyen pa mëshirë krijesat më të dobëta që ka nën vete…

Apo mos është ky vendi që na kanë caktuar në gjeopolitikën e të mëdhenjve?

Një vend trafiku dhe trafiqesh, ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit?

Ndërkohë që Pasuritë kombëtare nuk dihet se ku shkojnë dhe sa janë realisht tashmë!

Sa janë të ardhurat e vërteta të Shqipërisë në naftë, krom, bakër, pyje, ujë të pijshëm, bregdet?

Askush nuk di të japë një përgjigje të qartë, bindëse dhe të besueshme!

Sepse dihet se kush i kontrollon në fshehtësi të ardhurat reale dhe sa është evazioni fiskal?

Në të vërtetë, këto pyetje ngelen qëllimisht pa përgjigje të qarta dhe shteruese, sepse padituria mbi të vërteta të tilla, është një errësirë e qëllimshme, dhe sepse nën pelerinën e natës, hajdutët me kollare, mund të na grabisin qetësisht, edhe bukën dhe qumështin, edhe të ardhmen e fëmijëve tanë, në mënyrë të pabesë dhe të mbrojtur pra, nga errësira e Padijes, që mbillet qëllimshëm…

360grade.al

Loading...

Lini nje pergjigje