Albin Kurti: I mbetem idesë për bashkim kombëtar, të vendoset me referendum

0

Kreu i Vetëvendosjes e sheh bashkimin si një zgjidhje jo vetëm për problemet e sigurisë, por edhe për ato ekonomike e politike për shqiptarët në të dy shtetet e ndara.

Por si realizohet bashkimi kombëtar? Kurti thotë se lëvizja mbërrin nga qytetarët.

“Nuk e bëjmë ne bashkimin kombëtar, por bashkimi kombëtar na bën ne. Vokacioni ynë është për bashkim dhe besoj që edhe këtu janë të shumtë që e duan këtë. Të bëhet referendum dhe le të vendosin qytetarët”, deklaron ai në emisionin Të Paekspozuarit këtë të enjte në Top Channel.

Por, Kosovës i ndalohet në Kushtetutë bashkimi me një tjetër shtet. Kurti e kritikon këtë nen.

“Ne na kënë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimin, si Austria që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë. Por, nuk e kishte Shqipëria Hitlerin, e kishte Serbia Millosheviçin”, shton ai.

Mbledhjet e dy qeverive i sheh më shumë propagandë sesa punë reale në forcimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve në dy anët e kufirit.

“Kanë qenë takime ceremoniale, që firmosin marrëveshje, por nuk vulosin mekanizma të përbashkët. Moria e marrëveshjeve nuk zbatohet. Mundësitë janë shumë më të mëdha, por mbledhjet bëhen më shumë për protagonizëm sesa ka vërtet interes dhe vullnet. Mos harrojmë që vendet e BE janë shumë më të bashkuara se ne në këtë aspekt”, thotë kreu i VV/ top-channel.tv

Lini nje pergjigje