Giovanni Falcone dhe drejtësia që nuk duam

0
648

Giovanni Falcone është padyshim simboli i drejtësisë dhe luftës së paepur të këtij sistemi ndaj krimit të organizuar e mafies.  Sot bëhen 26 vite nga akti makabër, kur Falcone u vra nga mafia korleoneze në 23 maj të 1992-it në autostradën A29 pranë qytetit Capaci. Giovanni Falcone  ishte një gjykatës italian që pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Pallatin e Drejtësisë në Palermo, duke u përpjekur në cdo sekondë të jetë së tij të rrëzonte fuqinë e mafias siciliane.  Ai  pati një karriere të shquar e me mjaft suksese, kulmi ishte “maxi processo” në vitet 1986-1987 ku në bankën e të akuzuarve u ulën 475 pjesëtarë të mafies siciliane me një masë totale prej 2665 vjet burgimi.

Në këtë ditë ku drejtësia përkujton heroin e saj, vlen të harxhohen disa rreshta për situatën e këtij sistemi në Shqipërië. Padyshim paralelet mes Falcones e cdo gjyqtari apo prokurori në Shqipëri janë shumë larg dhe askush nuk po shkon deri aty sa të kërkojë një Falcone në vend. Por ajo që duket shqetësuese është fakti se jo vetëm që drejtësia nuk po sjell gjë në dritë por edhe reforma nga e cila priteshin ndryshime radikale në sistem, po kthehet në një shpatë të mprehtë në dorën e mazhorancës socialiste.

Ashtu sic nisi, me shkelje në ligjet bashkëshoqëruese të paketës së reformës e deri tek përzgjedhja e paligjshme dhe në kundërvënie me ONM të anëtareve të KLP e KLGJ, padyshim nuk mund të prisje një rezultat të ndryshëm. Dhe më tej çdo vendimmarja e kësj drejtësia të re është e dyshuar, pikërisht se cdo hap i hedhur deri më tani në sistem është kompromentuar rëndë nga futja e duarve të mazhorancës.

Për të ardhur më pas tek ngjarjet e fundit, sic është rasti i ish-ministrit të Brendshëm Tahiri apo edhe ai i pasardhësit të tij Xhafaj.  Tahiri, megjithëse akuzohet për bashkëpunim me një ndër banadat më të fuqishme në vend sa i takon trafikut të drogës përfundon, deri më tani të paktën ,me një arrest shtëpie. Në këtë çështje, nga njëra anë qëndron prokuroria e cila me Hajdarmjatajn, tanimë i shkarkuar si drejtues i krimeve të rënda nga kryeprokurorja Marku, pretendon se ka prova të forta për lidhjet mes Tahirit e Habiljave. Por duket se këto prova nuk përfillen apo janë të pamjaftueshme nga Gjykata.

Në këtë çështje dicka çalon, ose Prokuroria ose Gjykata pasi nëse vetëm do i referoheshim dosjes së sjellë nga Italia, e cila nuk merrej drejtpërdrejt me ish-minsitrin, nuk mungonin faktet që kompromentonin rëndë Tahirin. E megjithatë si çdo gjë që kohët e fundit që lidhet me mazhorancën,  drejtësia e re ngec, shtyn në kohë apo mbyll sytë. Kështu mund të thuhet edhe për rastin Xhafaj dhe audio-përgjimin e të vëllait.

Duke mos marrë përsipër të pohojmë nëse është autentik ose jo, detyrë kjo e organeve kompetente, padyshim  janë të pafundme kritikat ndaj sjelljes së ekzekutivit dhe drejtësisë së Re. Ndër të parat është fakti se si kryeministri mund të dërgoj për ekspertizë audio-përgjimin ( nuk e dimë nëse e ka dërguar apo jo rëalisht pasi deri më tani në dy intervista nuk ka pranuar të zbardhë agjencinë) kur atë e ka nën hetim Prokuroria? Nga ana tjetër si organi Akuzës pas deklaratave të kryeministrit, tërësisht në kundërshtim me një hetim serioz, nuk reagon aspak!

Që drejtësia që kishim ishte me problem të thella, këtë nuk e diskutonte askush e madje ishte urgjente vënia dorë mbi sistemin. Por Drejtësia e Re,  gjithnjë e më shumë po kthehet në një dorodolec që komandohet nga Kryeministri. Një drejtësi e tillë padyshim nuk është ajo që kishim ëndërruar, e aq më pak ajo që aspirojmë për të ardhmen evropiane. Ndërsa Falcone e Borsellino si model, mbeten ende ëndrra të thella në sirtar.

 

©standard.al

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here