“Loja e jetës” dhe pasiguritë e individit

0
322

 

Gëzim  Tushi

Shumë probleme sociale e shqetësime individuale që kemi sot në mesin tone, kanë burime të natyrave të ndryshme. Materiale, sociale, psikologjike e individuale. Të lidhura me të sotmen dhe të kaluarën e shoqërisë tonë. Por dhe me sfifat, paqartësitë dhe pasiguritë që i presin njerëzit tanë në të ardhmen e tyre. Të gjithë këto komponentë kompleksë, sinkretikë dhe sintetikë të shtrirë në hapësirë dhe kohë, e kanë ndërlikuar jetën e njeriut, kanë ngatërruar atë në kuptimin dhe perceptimin e drejtë të rregullave të jetës. Jo asaj të kaluar apo të imagjinuar, por të jetës së vërtetë. Asaj që jetuam në “turmë” dhe të gjithë së bashku, asaj që jetojmë sot dhe atë që do vijë të cilat me sa duket do t’i përjetojmë më së shumti me rregullat e “lojës së jetës” së jetuar veç e veç.

Nuk mund të mohojmë që sistemi i kaluar, na mësoi të përshtateshim dhunshëm me “lojën e jetës” sociale, që shfaqej si një model të “sigurisë sociale” dhe gjërave të “përcaktuara” nga të tjerët. Jeta e sotme përkundrazi, ka në themel të saj filozofinë e re të bazuar në rregullat që e përballin çdo ditë njeriun me situatat e të papriturës dhe të papërcaktuarës. Nga një shoqëri e determinuar cep më cep, në të cilën gabimet e individit mund të ishin përfundimtare e me pasoja të pakthyeshme, erdhëm në një shoqëri të lirë dhe me shumë zgjidhje e alternative individuale,  por duke qënë në kuadrin e një “loje jete” në të cilën për shkak të natyrës liberale e individualiste vetë “loja” nuk ka standarte të sigurta për të përcaktuar në mënyrë të garantuar suksesin apo dështimin individual. Në një shoqëri, në të cilën sikurse mendon sociologu Z. Bauman “asnjë fitore nuk është përfundimtare” për askënd.

Por nga ana tjetër, shumica e shqiptarëve në fillimet e jetës demokratike ishin të bindur dhe të frymëzuar nga ideja, se edhe në vendin tonë do të vinte koha, që do të ndërtohej një shoqëri që do të ishte tërësisht racionale dhe që do të ecte në rrugën e saj duke u bazuar në një sistem të sigurt vlerash etike, estetike, sociale e fetare,etj. Në të vërtetë zhvillimet e deritanishme, duket që jo vetëm nuk e vërtetuan këtë dëshirë sociale, por koha që jetojmë pothuaj i ka dhënë një drejtim dhe dimension tjetër “lojës së jetës” sociale dhe individuale. Jeta e sotme për shkak të mungesës së vlerave objective, nga njëra anë ka krijuar shansin e “mundësive të pafundme” për të bërë njeriu zgjedhjet e duhura apo të dëshiruara, dhe nga ana tjetër kjo e ka bërë të vështirë përcaktimin e fatit të “lojës së jetës”, garës individuale apo drejtimin e duhur drejt suksesit apo të gabuar të dështimit personal. Duke e vlerësuar problemin në kontekstin global dhe universal, një nga sociologët e shquar të postmodernitetit ka vlerësuar, se në kohën e sotme “pasiguria, paqëndrueshmëria, cënueshmëria janë bërë tipari më i përhapur i kushteve bashkëkohore të jetës”.

Personalisht mendoj se në shoqërinë tonë, e cila shpesh shfaqet me nuanca të zymta që janë përtej masës normale të pranisë së anktheve, zgjerimit të shqetësimeve dhe shtimit të pasigurive të natyrshme që e shoqërojnë “lojën e jetës” së njeriut në kohën e sotme, ka edhe ca gjëra të tjera që lidhen me nevojat ekzistenciale të njeriut të kohës postmoderne, i cili në shoqërinë shqiptare të ditëve të sotme, gjithnjë e më shpesh shfqet njeri i frikur, qytetar i pasigurt, subjekt i çorientuar në këtë botë të konfiguruar gjërësisht nga pasiguritë e përgjithshme dhe anonimiteti i fatit personal të njeriut.

Së pari duhet të pranojmë në mënyrë të sigurt, se shoqërisë shqiptare po i “shëmben kolonat” e vjetra të socialitetit, humanizmit dhe pseudo sigurive të paracaktuara të fatit të “garantuar” të individit përmes rolit të shtetit dhe faktorëve të tjerë me natyrë sociale. Kjo është arsyeja pse shpesh në media, por sidomos në bisedat informale e interpersonale midis njerëzve gjithnjë e më shumë, flitet për gjëndje të vështirë sociale dhe njerëzore, për një lloj jete e cila për shumë njerëz duket tejet stresuese dhe fare dëshpëruese. Pikërisht nga që kjo jetë është dhe duket e paqartë, e pasigurt, madje me rrezikshmëri sociale të lartë për t’u përballur me “lojën e jetës” personale.

Kjo do të thotë se nuk mund të mohohet e vërteta që sot dhe akoma më shumë nesër, do të ndodhemi në kushtet kur pasiguria sociale dhe individi prania e individit ontologjikisht të pasigurt, janë faktorë present dhe të evidentuar gjërësisht në jetën tonë. E shoqëruar në shumë raste me praninë në rritje të individit të friksuar, i brishtë përballë sfidave dhe i frikësuar me hallet e pambarimta të “lojës së jetës” personale. Kjo jetë postmoderne nuk e pranon, madje e refuzon brutalisht modelin e njeriut të vjetër, të mësuar me idenë e të sigurtës e të “përfunduarës”.

Përkundrazi duke vlerësuar thelbin e zhvillimeve politike, sociale, ekonomike e kulturore në mënyrë të sigurt duket se situatat që zhvillohen në shoqërinë shqiptare, janë thirrje të forta e konsistente për njeriun dhe mënyrën e organizimit të “lojës së jetës” së tij. Kjo do të thotë që ai duhet të ridimensionojë veten dhe konceptet orientuese të jetës së përditshme, duke i vënë ato në raport të drejtë dhe koherent, së pari me vlerat e vjetra por të përmbysura, dhe të pranojë të orientohet përmes sitemit të vlerave të reja. Edhe pse këto e bëjnë jetën e njeriut me shumë mundësi e alternative zgjidhjeje e zgjedhjeje, por në të njëjtën kohë të pasigurt me ankthe e me shumë pasiguri individuale.

Kjo është arsyeja pse kjo jetë duket se ka më shumë ankthe se ajo e së kaluarës. Sepse ndryshe nga njeriu i mësuar në në mënyrë mediokre me jetën sociale që supozonte të sigurtën, të garantuarën dhe të përfunduarën, sot i duhet që për të qënë coherent, i duhet të mësohet, të adoptohet në jetë me të paplotën, të papërfunduarën, që sjell një jetë plotë rreziqe. Por kjo është jeta postmoderne dhe këto dukuri “negative” të postmodernitetit jo vetëm kanë shpjegimin e tyre, por dhe si të tilla, konsiderohen si parakusht për ekzistencën e lirisë individuale dhe mundësive personale të gjetjes së rrugëve të reja dhe zgjidhjeve jetësore alternative.

Këto janë arsyet që e kanë bërë jetën e njeriut në shoqërinë e sotme të jetë përgjithësisht nervoze dhe veçanërisht të pasigurt. Për pasojë është gjithnjë i pranishëm njeriu që ndodhet, sikurse thotë sociologu Zygmund Bauman “në gjëndje ankthi të përhershëm”. (Z. Bauman “Moderniteti i lëngët”, f. 87) Ajo që sot kërkohet dhe që duhet të shndërrohet në filozofi jetike për njerëzit tanë, është që të gjejnë mënyra që t’i largohen dëshpërimit që vjen nga disfatat e pasiguritë e natyrshme të “lojës së jetës” dhe ankthit që buron nga mungesa e e natyrshme dhe e përhershme e sigurimit të gjërave të sigurta në jetë.

Sepse kjo jetë nuk i ka në barazpeshë gjithnjë fitoret dhe humbjet, sukseset dhe disfatat individuale. Në jetë çdo njeri ka inventarin e vet të sukseseve dhe dështimeve personale. Por në se duam të sjellim pak optimizëm, për ta parë gjysëm plot gotën e “lojës së jetës”, duhet të themi se tani nuk ka gjëra definitive, të sigurta e të pandryshueshme. Thelbi i asaj që na duhet, është t’i mësojmë njerëzit me rregullat e reja të “lojës së jetës”. E cila është tamam si një lojë që vazhdon, në të cilën njeriu në kohë të ndryshme të saju edhe humbet, por edhe fiton. Shanset e humbjes dhe fitores për secilin prej nesh janë të barabarta. Varen në rradhë të parë nga ne, por edhe nga të tjerët. E rëndësishme është që në këtë “lojë të jetës” njeriu nuk mund të pres fitore duke pesimist, i dëshpëruar, me energji personale të harxhuara, apo i mbuluar me pritmëri të kota dhe iluzione utopike.

Kjo është arsyeja madhore që shumë njerëz, duke qënë të paorientuar si duhet me rregullat e reja të “lojës së jetës” bien në ankth, në dëshpërim e pasiguri që ju garantojnë disfatën, margjinalizimin, varfërinë dhe pasojat e tyre tejet komplekse. Në jëtën e sotme i vetmi shpëtim dhe mënyrë e sukseshme adoptimi me rregullat e reja të “lojës së jetës”, është aftësia personale për të kuptuar kohën, për të ndjerë i sigurt “tingullin” e saj dhe për të vënë në dispozicion të saj të gjitha “mjetet e mundshme” që njeriu ka, për t’i përdorur si duhet në pikërisht në dinakëritë dhe pabesitë e “lojës së jetës”.

Pasiguria e individit, ankthet dhe shqetësimet sociale mund të kenë shumë shkaqe e burime. Por më kryesori është kuptimi i drejtë se në kohën e sotme ideja e ndërtimit të një shoqërie të mirë sipas konceptit të vjetër supersocial është një utopi. Në këtë jetë duket se çdo gjë i ka mbetur në kurriz për ta përballuar vetëm individit. Këtij i takon të bëjë mirë llogaritë e veta, të përgatitet për t’u përballur me sfidat që vijnë nga shoqëria e desolidarizuar, të tendosë forcat dhe angazhojë energjitë deri aty “ku nuk mban më” (Bauman), të gjejë objektivat e veta deri në pikën që ai mund ti mbajë dhe realizojë ato. Edhe pse sado të përpiqet njeriu në një masë të caktuar, “loja e jetës” së tij do vërtitet turbulente dhe e pasigurt, e cila rrotullohet vazhdimisht midis dëshirave të shumta individuale dhe pasigurive të mëdha sociale.

Kjo është arsyeja pse sot është bërë tejet i pranishëm, jo më individi i sigurt në jetë por njeriu me ndjenja dypolare, që vërtiten misis besimit dhe dyshimit, të sigurtës dhe pasigurisë, dëshirave dhe anktheve të natyrave të ndryshme. E gjitha kjo situatë sociale në të cilën vërtitet individi për të “luajtur lojën” e jetës, nuk është vazhdim i rregullave të lojës së kaluar. Ato rregulla bashkë me “siguritë” e tyre kanë dalë jashtë kushteve ku luhet “loja” e jetës postmoderne. Sepse njerëzit tanë tashmë jetojmë në kushtet kur pothuaj janë shkatërruar “siguritë e vjetra” dhe vendin e tyre e kanë zënë “pasiguritë e reja”. Ky është problem që duhet shtruar sot në jetën sociale të shoqërisë shqiptare. Problem që ka të bëjë me çështjen, në se si mund të jesh dhe të ndihesh i sigurt, pikërisht në shoqërinë tone, e cila tashmë në mënyrë të sigurt është “përtej konceptit dogmatik të normalitetit” të shoqërisë tradicionale.

Problemi që shtrohet është: Si mund dhe çfarë duhet bërë që të mund të jetohet në botën e “pasigurisë sociale”? Njeriu në kohën e sotme është i dënuar të sfidojë ankthet, të mposhtë frikërat personale, të ngrihet mbi pasiguritë që vijnë nga rregullat e reja të lojës së jetës postmoderne. Në këtë situatë “loja e jetës” është e tillë që nuk e favorizon aspak njeriun e frikur e të pasigurt. Kjo jetë e kërkon, e ka në natyrën e saj praninë e njeriut që nuk di të ndalojë, që shmang ankthet që e mbajnë të stopuar në vend, çdo ide e iluzion utopik që e bën njeriun të mbetet pas dhe të shfaqet i margjinalizuar. Nuk ka rrugë “magjike” për të mësuar rregullat e “lojës së jetës”, për të qënë i suksesshëm. Loja kërkon që njeriu të bëjë të gjithë përpjekjet e duhura, në mënyrë që të garantojë të tashmen, por në të njëjtën kohë edhe duke bërë gjithnjë llogaritë e vështira të së ardhmes së tij, që gjithashtu jo gjithnjë është e sigurt. Në kohën e sotme, sikurse shkruan sociologu  Pierre Bourdieu, “që të mund të planifikosh të ardhmen duhet të kesh kapur fort të tashmen”…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here