Modelin Rama në arsim nuk e ka zili as Madagaskari

0
343

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Isha duke parë një dokumentar në lidhej me Madagaskarin. Dy zonja të hijshme shqiptare kishin fluturuar deri në këtë vend të largët të botës, për të zbuluar pak nga misteret e këtij ishulli. Madagaskari është një ishull në skaj të Afrikës. Është një ishull më një bimësi shumë të larmishme, diku të dëmtuar e diku të mbajtur mirë. Është i njohur gjithashtu për filmin vizatimor me titull “Madagaskari”, aq shumë i dashur për fëmijët. Pamja që na jepej kishte kontraste të mëdha, por me njerëz që kishin vullnet për të ndryshuar jetën e tyre.

Po përse mu kujtua modeli Rama në arsim, duke parë dokumentarin për Madagaskarin?

Zonjat që shpjegonin se çfarë kishin vizituar në Madagaskar, u ndalën me kamerën e tyre në një shkollë. Ishte një ndërtesë modeste,me një oborr tepër të madh, ku shquheshin shtyllat që mbanin koshat e basketbollit dhe një fushë e vogël futbolli. Në një ditë të zakonshme shkolle, nxënësit rreshtoheshin si dikur në rresht sipas klasave, me uniformë, krejt të pastër. Ata mbajtën radhën një nga një për të marrë një stilolaps e një fletore. Falënderonin pa masë zonjat për këtë dhuratë krejt simbolike dhe së bashku me mësuesit e tyre i shoqëruan brenda mjediseve të shkollës. Mjediset e shkollës shndrinin, me banka dhe stola druri të mirëmbajtura, të pa gërvishtura, të pa pikturuara. Vajza dhe djem shkëlqenin në fytyrë me dëshirën për të mësuar. Duke menduar gjatë rreth kësaj sekuence më erdhi ndërmend, një tjetër dokumentar që fliste për një shkollë në Kenia, në të cilën mësuesit dhe nxënësit kishin rrethuar një copë tokë dhe aty mbillnin bimë të ndryshme. Prodhimet e tyre i shisnin dhe përpiqeshin që me paratë e nxjerra të rregullonin shkollën por edhe të ndihmonin nxënësit në nevojë.

Po modeli i instaluar nga Rama në shkollat tona

Duke u nisur nga këto dy shembuj në Afrikë, më kaloj si në revistë para syve, modeli i arsimit tonë. Shkolla me oborr të betonizuar, pa shtylla të basketbollit, me një kalçeto që mëzi luajnë 8 veta. Për uniformë shkollore, as që bëhet fjalë, pale më për ndonjë kopsht ku të mbillen pemët. Kjo e fundit mirë në qytete ku shkollat janë ngjitur me pallatet shumëkatëshe, por nuk bëhet as në zonat rurale nuk aplikohet, ku mundësitë janë edhe më të mëdha. Brenda shkollave në mes të kryeqytetit dhe jo në ndonjë skaj krejt të harruar, banjot janë pa dyer, dyert e klasave nuk kanë dorezë, shkarravinat dhe vizatimet të bëjnë të mendosh se je duke hyrë në korridoret e ndonjë pallati ku strehohen emigrantë të paligjshëm në rastin më të keq dhe në rastin më të mirë në korridoret e një qendre arti, ku të rinjtë ushtrohen për artin mural, pra për të pikturuar muret sipas ideve të tyre. Natyrisht që kjo e fundit shkon shumë përshtat me idetë e kryeministrit tonë piktor, por që nga ana tjetër e bën ndërtesën që të mos mbajë erë shkollë në asnjë element, së paku infrastrukturor. Madje në korridoret e shkollave veç këtij arti të pazakontë gjen një aromë që të turbullon kokën e të vë në gjumë nëse ndenje më shumë se 5 minuta në të njëjtin vend. Brenda klasave gjen një pamje edhe më të larmishme. Celularë, I-pad, letra bixhozi dhe ndonjë që shpejton të plotësojë skedinën të cilën i duhet ta dorëzojë në lokalin përballë shkollës. Pak syresh që kanë dëshirë për të mësuar mundohen të përqendrohen e të përfitojnë në këtë situatë aspak të favorshme për mësimdhënien. Ajo që binte në sy në Madagaskar ishin nxënësit që i mësonin mysafirëve, si të shqiptonin në gjuhën e tyre shprehjen: “ E dua shumë vendin tim”. Ndërsa në vendin tonë, nxënësit ngrenë njëherësh dorën, kur i pyet se, “a dëshironi të ikni nga Shqipëria”? E ç’mund të preshësh më shumë se kaq për të kuptuar modelin Rama në arsim? Pastaj nëse shkojmë tek premtimet e Ramës, për mësimin digjital, shkolla qendër komunitare, mësimin e shahut për tijen e inteligjencës, zbatim i kurrikulës që vjen nga vendet e BE-sës?!, etj, duhet të fërkojmë sytë fort që të kuptojmë se nuk jemi duke parë ëndrra me sy hapur.

Modeli që Rama ka vendosur në arsim, në fakt ngjan me pak me Afrikën, por jo krejt.

Në sistemin tonë arsimor parauniversitar, ka klasa kolektive, të tilla gjen edhe në Zambia dhe në Zimbabve. Ne kemi një përqindje të lartë braktisje shkollore, që për numër popullsie mund të krahasohemi me shtetet afrikane. Por jo me të gjitha. Për shembull Libia në kohën e Gedafit kishte shifra shuam më inkurajuese se ne, në fushën e arsimit parauniversitar dhe universitar. Po ashtu në shumicën e vendeve të Afrikës mësuesi merr pak më shumë ose mesatarisht më shumë se mësuesi shqiptar. Në Afrikë nuk ka mësim në shtëpi për të justifikuar pafuqinë e shtetit përballë fenomenit të gjakmarrjes. Mësimi ën shtëpi për fëmijët e familjeve të ngujuara, në vend të s’dekurajohej e delegjitimohej prej shtetit dhe qeverisë Rama, e cila, u përbetua se do të instalonte shtetin ligjor, u dekorua, prej Ramës dhe ministres së tij të arsimit. U vrapua të ngrihej lart puna e mësuesve që shkonin edhe vullnetarë për të mësuar këta fëmijë duke harruar se shteti kishte detyrim t’i çonte në shkollë, duke garantuar standardin minimal të mundshëm në këtë rast, sigurinë e qytetarëve të vet.

Po përse mburret Rama se është në nivelet evropiane, kur ende nuk po arrin as standardet e Afrikës?

Për shumë arsye që varen dhe nuk varen prej tij. Kryeministri vetë ka shumë pak njohuri në lidhej me arsimin qoftë atë universitar qoftë atë parauniversitar. Ata që duhet ta informojnë janë po kaq të paraqitur dhe të paaftë sa vetë kreu i qeverisë. Informacioni që dërgohet përpunohet në detaje për të qenë pozitiv jashtë realitetit dhe me shifra të rreme. Kryeministri ka prirjen të besoj dhe flet më pas “si e ëma e Zeqos në majë të thanës”. Këshilltarët e tij apo të ministres së arsimit, jo vetëm që ishin në nivelet e kryeministrit për aftësitë në fushën e arsimit por i qëlluan që të ishin të dhënë pas interesit vetjak sesa atij të arsimit. Kështu që sido që ta rrotullosh, falimentimi i modelit Rama në arsim, mund ta përmbledhësh  tek mungesa e këtyre elementëve: Padituria, paaftësia, mungesa e vizionit, buxhet qesharak, frikë nga të arsimuarit, luftë kundër dijes dhe ngritja në piedestal e llumit. Njerëzit që përfaqësonin karakteristikat e mësipërme, Rama i promovoi kudo: Në parlament, në qeveri, në administratë publike, në polici, në mjekësi, në drejtimin e arsimit në nivel qendror dhe vendor e kështu me radhë. Duke vazhduar krahasimin me Afrikën,  udhëheqësit e atjeshëm kanë shumë më tepër vizion për arsimin se Rama, e që ky i fundit mund të mësoj mëse mjaftueshëm, prej thënies së famshme të Nelson Mandelës:

Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorësh, për të ndryshuar botën”.

 Prandaj dhe Madagaskari nuk e ka zili modelin Rama, pasi kanë një shembull frymëzimi shumë më afër tyre, pikërisht në Afrikën e Jugut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here