“Dyshime për manipulime”,  FMN:  Qeveria me shifra jo të sakta për borxhin publik

0

Shifrat e borxhit publik janë bërë objekt përplasjesh me qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, teksa dy institucionet paraqesin statistika të ndryshme. Qeveria raporton shifra më të ulëta të borxhit publik nga ato që vlerëson FMN, çka hedh dyshime për manipulim të shifrave zyrtare. Sipas Ministrisë së Financave në fund të vitit të kaluar borxhi publik i Shqipërisë ra në 69.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por statistika zyrtare e qeverisë, është krejt ndryshe nga ajo që raporton Fondi Monetar. Sipas FMN, në fund të vitit të kaluar borxhi publik i Shqipërisë nuk ishte 69.9 për qind, por plot 71.2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Madje përplasjet janë më të mëdha për shifrën e këtij viti. Qeveria vlerëson se në fund të 2018-ës, borxhi publik i vendit do të ulet në 68.7 për qind e PBB, ndërkohë që FMN thotë se shifra 71.3% ose 2.6 pikë përqindje më pak.

Kjo është hera e parë që FMN përplaset me një qeveri në Shqipëri për shifrat e borxhit publik. Në të kaluarën statistikat e borxhit që janë raportuar nga qeveritë shqiptare kanë qene gjithmonë të përputhura me shifrat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Dyshimet se qeveria po manipulon shifrat e borxhit publik për të paraqitur një situatë më të mirë të ekonomisë nga gjendja e saj reale janë të mëdha, një skenar i ngjashëm me atë Greqisë, e cila pasi gënjeu për disa vite me shifrën e borxhit publik përfundoi në një krizë të thellë financiare.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se qeveria do të shkelë ligjin e buxhetit që e detyron atë të ulë borxhin publik çdo vit deri sa të arrijë 45 për qind e Prodhimit Kombëtar.  Në raportin e fundit për ekonomitë e Europës, FMN vlerëson se këtë vit borxhi publik i Shqipërisë jo vetëm që nuk do të ulet, por do të shënojë rritje në raport me Prodhimin Kombëtar. Më konkretisht, FMN vlerëson se borxhi publik i Shqipërisë do të rritet nga 71.2 për qind e PBB-së që ishte vitin e kaluar në 71.3 për qind këtë vit. Kjo e bën Shqipërinë vendin me borxhin më të lartë në rajon me diferencë të madhe nga vendet e tjera.

 

Vendi i dytë me borxhin më të lartë publik në Ballkan është Mali i Zi, ku detyrimet e qeverisë vlerësohen 67.5 për qind e Prodhimit Kombëtar, ndërsa në të gjitha vendet e tjera të rajonit shifra luhatet nga 20 deri në 61 për qind. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të publikuar pak ditë më parë, aktualisht shifra e borxhit publik të Shqipërisë është 1 trilion e 86 miliardë lekë, e barabartë kjo afërsisht me 8 miliardë e 328 milionë euro.

 

Po të marrim për bazë vlerësimin më të fundit të numrit të popullsisë rezidente në Republikën e Shqipërisë, të bërë nga Instituti zyrtar i Statistikave në 1 janar të vitit 2018, që raporton një popullsi prej 2.870.324 banorësh, mesatarisht çdo shqiptari i takon një borxh prej 378.479 lekësh dhe një familjeje mesatare me katër banorë 1.513.916 lekë. Në valutë të huaj këto shifra konvertohen në 2.933 euro për frymë të popullisë dhe 11.735 euro për çdo familje shqiptare.

 

Shifrat e borxhit sipas monedhës tregojnë se, në tremujorin e parë të këtij viti, qeveria shqiptare ka shfrytëzuar kryesisht tregun e brendshëm për huamarrje. Borxhi në lekë është rritur me mbi 11 miliardë lekë, ndërsa ai në valutë të huaj është pakësuar me rreth 13 miliardë lekë. Leku vazhdon të ketë kështu një kryesim të lehtë në strukturën e borxhit sipas monedhës, me 50.2% të totalit. Megjithatë, borxhi në valutë të huaj ende zë pothuajse gjysmën e totalit, por edhe një pjesë e këtij borxhi është detyrim ndaj kreditorëve rezidentë, në formën e obligacioneve në euro ose kredive për Korporatën Elektroneergjetike Shqiptare.

Borxhi i brendshëm vazhdon të financohet kryesisht nga bankat tregtare, me mbi 60% të stokut total. Individët përbëjnë grupin e dytë më të madh të financuesve të borxhit qeveritar, me afro 16% të totalit (nëpërmjet letrave me vlerë – bono thesari apo obligacione shtetërore), të ndjekur nga institucionet financiare jobanka, me rreth 15%. Pesha e Bankës së Shqipërisë ka rënë në 7.3%, nga mbi 12% që ishte pesë vjet më parë.

Duke përfituar nga ambienti i ulët i interesave, forcimi i monedhave kombëtare, hyrja në ciklin rritës të ekonomisë dhe politikave shtrënguese fiskale, vendet e rajonit të Ballkanit po ulin borxhin publik. Ndërsa shtete si Kosova dhe Maqedonia që kishin nivele të ulëta të borxhit në krahasim me PBB po shfrytëzojnë momentin për të kryer investime nëpërmjet kredive të reja me interesa të ulëta.

Por pavarësisht kushteve, Shqipëria paraqitet me një nivel të rrezikshëm borxhi, më i larti rajonal me 71.3% në raport me PBB-në, teksa FMN ka ndryshuar pritshmëritë me rritje për ecurinë e këtij treguesi në raport me tetorin e vitit të kaluar, sipas statistikave zyrtare të FMN. Teksa për të gjitha vendet e rajonit, nisur nga zhvillimet aktuale FMN pret rënie të borxhit, për Shqipërinë e ka rritur pritshmëritë për borxhin me  3.3 pikë përqindje më shumë për vitin 2019. Në 2019-n, borxhi pritet të jetë 68.5% e PBB-së, nga 65.2%, që ishte parashikimi në raportin e mëparshëm të tetorit.

Revolucion në këtë drejtim ka bërë Serbia, e cila brenda vitit 2017 e uli borxhin publik në 61.5% nga 71.3% të PBB që ishte më 2016. Serbia ishte vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në Rajon, por tani këtë renditje e kryeson Shqipëria.

Ministria e Financave e Serbisë ka argumentuar se raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB ra me afërsisht 10 pikë përqindje të PBB-së në vitin 2017. Më shumë se gjysma e kësaj rënieje ishte për shkak të vlerësimit të dinarit kundrejt euros dhe dollarit amerikan. Ndërsa performanca e fortë fiskale, e cila e çoi suficitin primar në gati 4% e PBB-së, ishte faktori i dytë i rëndësishëm për reduktimin e fortë të borxhit vitin e kaluar.

Gjithashtu qeveria e Serbisë ka argumentuar se efektet e reduktimit të borxhit erdhën nga rritja ekonomike (3.5% më 2017) e ndihmuar nga inflacioni i ulët. Interesat e ulëta të borxhit dhe gjithashtu balanca primare pritet ta ulë borxhin e Serbisë edhe në dy vitet në vijim duke e çuar atë në fund të vitit 2019 në 55% të PBB-së.

 

Pak e shumë në të njëjtat kushte ka kaluar edhe ekonomia e Shqipërisë, ku monedha kombëtare është vlerësuar së paku me 5% më 2017 kundrejt euros, ku vendi kishte rritjen më të lartë ekonomike se Serbia dhe buxheti ishte me suficit primar, mirëpo borxhi publik i vendit tonë kanë rënë me vetëm 2 pikë përqindje të PBB-së. Por edhe këto rezultate tashmë po vihen në pikëpyetje nga FMN…

Lini nje pergjigje