I ngujuar prej 17 vitesh, ja letra e nxënësit që përloti mësuesen dhe publikun…

0

E ftuar tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan, mësuesja nga Shkodra Liljana Luani ka treguar për përvojën e saj në ndihmë të fëmijëve që nuk frekuentojnë shkollën për shkak të ngujimit nga gjakmarrja. Vullnetarisht prej disa vitesh ajo u vjen në ndihmë familjeve nga zonat e thella të Dukagjinit duke shkuar shtëpi më shtëpi për të mësuar fëmijët në moshë shkollore.

Në pamundësi për të ardhur personalisht në studio, njëri prej këtyre nxënësve i ka dërguar një letër falenderimi mësuese Liljanës e cila nuk ka mundur t’i mbajë lotët.

Për të ruajtur privatësinë e tij, fytyra e djalit nuk është shfaqur në ekran por me sy të përlotur mësuesja është shprehur “I’a njoh zërin. Ky po përgatitet për provimet e klasës së 9-të. Ka shumë vullnet për të mësuar. Më pret me shumë gëzim kur shkoj. Po ashtu dhe vëllai i tij. Ky që po fliste ka lindur në gjak. Ka 17 vite që rri i ngujuar.

Ka dalë jashtë vetëm me besë, kur i’a kam mundësuar unë ose burrat e fshatit. Ka dalë që të shkojë në shkollë por që kohët e fundit kanë patur dhe një problematikë tjetër që tashmë nuk del më fare jashtë shtëpisë”.

Në letrën e nxënësit të ngujuar shkruhej:

E dashur mësuese Lili

Do të doja shumë që këto fjalë të ti thoja personalisht përpara gjithë publikut shqiptar. Ti e di që unë jam tip shumë i mbyllur dhe i vetmi person me të cilin hapem dhe flas, je vetëm ti.

Dua të të falenderoj që ti po bën një sakrificë dhe një punë të pa lodhur për të më mësuar mua dhe vëllain tim. Ne nuk kemi as televizor e as radio dhe e vetmja mënyrë për të mësuar se çfarë ndodh jashtë mureve të shtëpisë je vetëm ti. Sa herë të shoh ty tek dera e shtëpisë mbushem me gëzim. Ti na fal dashuri njëlloj si nëna jonë. Unë këtë vit mbaroj 9-vjeçaren dhe do doja shumë që edhe gjimnazin ta bëja me ty. Të mësoj fort e të të bëj ty krenare. Të dua shumë dhe gjithmonë do e tregoj me krenari që ajo që më bëri të dua librin ke qënë ti se unë kam dashur të bëhem futbollist. Mezi pres ditën që do vish sërish tek shtëpia jonë. Të përqafoj…

Lini nje pergjigje