Varfëria më e madhe në rajon! Rama shkurton ndihmën për të varfërit

0

Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon. Kjo bazuar në klasifikimin e fundit që ka bërë Banka Botërore. Sipas institucionit financiar ndërkombëtar, një e treta e popullsisë shqiptare jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërkohë që në vendet e tjera kjo shifër është dukshëm më e ulët. Kështu, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se niveli i varfërisë (atyre që jetojnë me 5 dollarë në ditë) në Shqipëri në vitin 2017 ishte 32.8%, ndërsa në Serbi rezultoi për të njëjtën periudhë 22.4%, në Maqedoni 21% dhe në Malin e Zi 4.4%. Në vendin tonë, në tre vitet e fundit popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë është pakësuar me 3.1 për qind ose 88 mijë vetë, si rezultat i rritjes ekonomike dhe punësimit. Banka Botërore parashikon gjithashtu që ky nivel varfërie të vijë duke u ulur, deri në masën 27.2% në vitin 2010. Por sërish mbi 940 mijë shqiptarë ngelen poshtë këtij niveli të ardhurash.

 

 

NIVELI I VARFËRISË NË SHQIPËRI

 

5 USD/ditë                        (Burimi: Banka Botërore)

 

Viti 2014                                      35.9%

 

Viti 2015                                      35.4%

 

Viti 2016                                       33.9%

 

Viti 2017                                      32.8%

 

Parashikimi 2018                                31.3%

 

Parashikimi 2019                                29.6%

 

Parashikimi 2020                                27.2%

 

 

 

NIVELI I VARFËRISË NË RAJON

 

5 USD/ditë                        (Burimi: Banka Botërore)

 

Shqipëria                                         32.8%

 

Serbia                                                22.4%

 

Maqedonia                                       21.0%

 

Mali i Zi                                              4.4%

 

 

 

Por qeveria po tregon një përqasje skandaloze ndaj më të varfërve. Shpenzimet për fondet e ndihmës ekonomike pësuan ulje me 3.8% në tremujorin e parë të 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 prej skemës së re të shpërndarjes, e cila, nëpërmjet një klasifikimi të ri, përjashtoi me qindra familje nga skema. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për tremujorin e parë, u shpërndanë si ndihmë ekonomike për familjet e varfëra 4.4 miliardë lekë me një shkurtim prej më shumë se 1.3 milionë eurosh në krahasim me vitin e kaluar.

 

Aplikimi i sistemit të ri informatik në ndarjen e ndihmës ekonomike ka krijuar konfuzion dhe, në shumë raste, ka përjashtuar shtresat vulnerabile nga kjo ndihmë, e cila edhe për familjet përfituese është shumë më e ulët se minimumi jetik në vend.

 

Problematika u referua në Kuvendin e Shqipërisë nga Avokati i Popullit, sipas të cilit sistemi për përfitimin e ndihmës ekonomike duket se ka krijuar konfuzion dhe shqetësim të madh për qytetarët. Sipas familjeve në nevojë, problemet fillojnë që nga përjashtimi në mënyrë të padrejtë nga ndihma ekonomike deri tek ulja e shumës së parave në shifra qesharake. Për familjet, me të ardhura minimale për jetën, ndihma ekonomike është i vetmi burim financiar për të përballuar shpenzimet e jetesës.

 

Ajo që përbën një problem kryesor dhe lehtësisht të evidentueshëm, sipas Avokatit është se: masa e ndihmës ekonomike është shumë e ulët dhe thuajse e papërfillshme në raport me shpenzimet mujore më të domosdoshme që i duhen familjes, ose një individi të vetëm për të mbijetuar, e jo më pastaj për të konsideruar për dinjitet dhe integrim në shoqëri. Për shkak të një politike shtrënguese fiskale kur shpenzimet sociale janë racionalizuar është prekur edhe fondi i ndihmës ekonomike, i cili është ulur ndjeshëm në raport me vitet 2013-2014. Në tremujorin e parë të këtij viti, shpenzimet e qeverisë për ndihmën ekonomike janë 32% më të ulta se në mandatin e parë të vitit të parë te qeverisës së maxhorancës.

 

Komisioni Evropian

Shqipëria është vendi ku qytetarët e saj perceptojnë që kanë cilësinë më të ulët të jetesës në Europë janë gjithashtu më të palumturit, kanë një opinion shumë të dobët për cilësinë e edukimit dhe standardet e jetesës, ndonëse optimizmi për të ardhmen nuk u mungon dhe familjet i kanë të forta. Sondazhi për “Cilësinë e Jetës në Europë” u publikua nga Komisioni Europian fillimisht në mars, vetëm me të dhënat e shteteve anëtare, ndërsa së fundmi janë përditësuar edhe të dhënat për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Për pyetjen “Sa të kënaqur jeni ju me jetën tuaj ditët e sotme”, për të gjitha moshat dhe gjinitë, Shqipëria ka një mesatare prej 4.9 pikë, që është më e ulëta në Europë. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia me 5.1 pikë, Greqia me 5.3 pikë dhe Bullgaria me 5.6 pikë (shih grafikun). Nga rajoni, më të kënaqur me jetën janë serbët dhe malazezët, me nga 6.3 pikë secili. Të dhënat për Kosovën mungojnë. Shtetet që marrin pikët më të larta janë Danimarka, Finlanda dhe Suedia. Sondazhi i “Cilësisë së Jetës në Europë” jep një këndvështrim unik mbi cilësinë e jetës së europianëve në ditët e sotme. Të dhënat e analizuara mbulojnë cilësinë e jetës, cilësinë e shoqërisë dhe shërbimet publike, thuhet në raport.

 

Edhe për pyetjen tjetër, “Duke i marrë të gjitha në konsideratë, sa të lumtur do të thoni që jeni?”, Shqipëria ka një pikëzim prej 5.2, që është sërish më i ulëti në Europë dhe shumë më i ulët sesa i dyti më i palumtur pas nesh, që është Maqedonia me 6.1 pikë (shih grafikun në fund) . Për edukimin, Shqipëria ka gjithashtu vlerësimin më të ulët, me 5.8 pikë dhe pas saj vjen Turqia, me 6 pikë dhe Maqedonia me 6.1 pikë.

 

Kënaqësia me standardet e jetesës është gjithashtu më e ulëta në Europë, me 5.1 pikë, shumë afër nesh është Maqedonia, me 5.2 pikë. Më të kënaqurit me standardet e jetesës në Europë janë danezët dhe suedezët, me përkatësisht 8.3 dhe 8.2 pikë. Më i ulëti në Europë është dhe perceptimi për cilësinë e akomodimit, me 6.5 pikë dhe i dyti pas nesh është Turqia me 6.6 pikë. Më të kënaqurit me akomodimin janë austriakët, danezët dhe irlandezët, me 8.4 pikë secili.

 

Shqiptarët mbajnë rekord për vështirësitë që hasin për të zgjidhur problemet e tyre. 57% e tyre kanë pohuar se “kanë vështirësi për të zgjidhur probleme të rëndësishme që u dalin gjatë jetës”. Përqindja e dytë më e lartë është ajo e maqedonaseve dhe grekëve, me 38%. Një tjetër pyetje, ku nuk ngurrojmë ta shfaqim pakënaqësinë me jetën është “Në jetën time të përditshme, unë rrallë kam kohë që të bëj gjëra që realisht më pëlqejnë”, ku Shqipëria ka përqindjen më të lartë të atyre që bien dakord me këtë shprehje (52%). Të dytët janë turqit me 49%, të ndjekur nga maqedonasit dhe rumunët.

 

67% e shqiptarëve bien dakord se “bëjnë diçka të vlefshme në jetë “, ndër më të ulëtat në Europë, pas grekëve (53%) dhe turqve (59%). Më të vlefshëm në Europë ndihen irlandezët (90%). Ndryshe nga ambienti i jashtëm, perceptimi për kënaqësinë e jetës familjare është ndër më të lartët në Europë, me 8.6 pikë, në të njëjtat nivele me Danimarkën, Austrinë, Maltën etj., ndërsa me vlerësimin më të ulët në këtë pyetje janë Turqia, Bullgaria, Italia.

Lini nje pergjigje