Nuk ndalen SUPERSKANDALET në fushën e naftës/ Ja kush përfshihet…

0
576

Skandalet në fushën e naftës në vendin tonë nuk kanë të sosur. Këto ditë një tjetër skandal në këtë fushën ka përfshirë vendin tonë.

Kompania Anio Oil & Gas, me aksioner 100% Alban Pezën (shih ekstraktin e regjistrimit në QKR), mikun e ngushtë të Saimir Tahirit, ka marrë në dorëzim administrimin e fushës së naftës në Ballsh.

Kjo kompani, në bashkëpunim me Albpetrolin dhe AKBN-në, ka përdorur zyrën përmbarimore të Altin Vakos (një tjetër përmbarimor i përfshirë në afera të dyshimta nga Albpetrol), për të transferuar licencën e operimit të kësaj fushe nga kompania TransAtlantic Albania, Ltd, degë e kompanisë amerikane GBC Oil tek Anio Oil & Gas.

Kompania GBC Oil është tashmë në arbitrazh ndërkombëtar me shtetin shqiptar për dy fusha të tjera, atë të Cakranit dhe Gorishtit të cilat ju janë konfiskuar nga autoritetet shqiptare një vit më parë.

Më vonë u publikuan dokumente që demonstronin se për këto fusha autoritetet shqiptare kishin kohë që negocionin me një kompani ruse, Jurimex, para se të konfiskoheshin nga operatori ekzistues. Në arbitrazhin ndërkombëtar të iniciuar nga kompania e huaj GBC Oil, Shqipëria rrezikon të humbasë dhjetëra miliona dollarë nga ky proces.

Fakti që shteti shqiptar është përballë arbitrazhit ndërkombëtar me këtë kompani, nuk ka ndaluar përfaqësuesit e AKBN, si autoritet mbikëqyrës në fushën e hidrokarbureve, të shkelin ligjin me dy këmbët dhe të lejojnë që tjetërsimi i licencave hidrokarbure të bëhet tashmë nga përmbaruesit dhe jo më nga institucioni që është përfaqësues i shtetit shqiptar në këtë fushë.

Për sqarim, licencat hidrokarbure jepen vetëm nga AKBN e cila ka eksluzivitetin e dhënies së licencave në këtë sektor. Më pas arrihet një marrëveshje hidrokarbure me drekuesit e Albpetrolit dhe këto licenca dhe marrëveshje kalojnë për firmë tek Ministri i Energjitikës dhe në fund aprovohen me VKM nga qeveria.

I gjithë ky proces që ka vite që është miratuar dhe bërë pjesë e kushtetutës, është anashkaluar tërësisht dhe nuk është zbatuar nga drejtuesi i AKBN. Autoritetet që mbikëqyrin burimet natyrore në Shqipëri duket është joshur nga ryshfetet e Alban Pezës dhe kanë harruar të bëjnë punën e tyre duke i deleguar kështu të gjitha kompetencat ligjore të institucionit që ata drejtojnë tek zyrat përmbarimore.

Këto të fundit i tregtojnë këto licenca në pazar dhe pa asnjë kriter ligjor të gjithë atyre që japin çmimin më të ulët për shtetin dhe ryshfetin më të lartë për drejtuesit e institucionit.

Vlera që kompania Anio Oil & Gas ka ofruar për të drejtat dhe detyrimet, në të ardhmen dhe në të kaluarën e kësaj kontrate, është një vlerë qesharake prej $700,000 USD. Vlen për tu përmendur se fusha e naftës së Ballshit, deri më sot është administruar në pjesën më të madhe të saj nga kompania shtetërore Albpetrol.

Një pjesë e vogël e saj ishte nën administrimin e kompanisë TransAtlantic Albania. Nga ana e saj TransAtlantic Albania kishte akumuluar një bilanc pozitiv ndaj Albpetrolit prej 18,000 ton naftë e kuotuar me çmimin e sotëm prej mbi $5.5 milion USD në këtë fushë të Balshit. Gjithashtu kjo kompani ka investuar edhe mbi $13 milion dollar në këtë fushë gjatë administrimit të saj.

E gjithë ky bilanc që sipas kontratës që Albpetrol dhe AKBN kanë firmosur, i kalon tërësisht kompanisë Anio Oil & Gas. Pra kjo kompani, blen një aset nga shteti me $700,000 që sapo ka firmosur këtë kontratë korruptive, merr menjëherë të drejtat e $18.5 milion dollarëve për këtë vendburim. Ndërkohë që humbja për shtetin është e dyfishtë sepse jo vetëm që shteti humbi në një transaksion të vetëm $17.8 milion dollarë, por gjithashtu thellohet edhe gropa e cila është ndërtuar në arbitrazh ndërkombëtar.

Në krye të kësaj skeme korruptive qëndron një personazh i njohur në rrjetet kriminale, ai i Alban Pezës. Mik i ngushtë i ish-ministrit të rendit, Saimir Tahirit, dhe i përfolur në afere të ndryshme kriminale edhe me grupin e Habilajve.

Kjo tregon se autoritetet që po drejtojnë vendin tonë, janë bërë një me krimin dhe as nuk mundohen më për të respektuar ligjin dhe institucionet që ata përfaqësojnë. Për gjithçka përshkruar më sipër, institucionet publike që drejtojnë fushën e energjisë dhe specifikisht naftën, janë kthyer haptazi në instrument për të mbështetur mafien dhe krimin e organizuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here