Jo vetëm qeveria qendrore, mbyten në borxhe edhe bashkitë “e reformuara”

0

Reforma administrative territoriale duket se nuk i ka zgjidhur hallet e pushtetit vendor me paratë. Raporti i financave publike vendore 2017, i publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave zbardh borxhe në miliarda lekë që bashkitë e reja, jo vetëm kanë trashëguar nga njësitë e mëparshme vendore, por edhe kanë krijuar. Sipas të dhënave, në total, stoku i detyrimeve deri në fund të vitit 2017 shënoi rreth 28.3 miliard lekë. Krahas detyrimeve të trashëguara prej rreth 11.8 miliard lekë në vitin 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi deri në fund të dhjetorit të vitit 2017 rezultoi në rreth 16.5 miliard lekë.

“Detyrimet e krijuara rishtazi lidhen kryesisht me kontrata për investime, shpenzimeve për mallra dhe shërbime si dhe vendime gjyqësore. Përgjatë vitit 2017, bashkitë kanë shlyer rreth 19 miliard lekë duke rezultuar në një detyrim të mbetur për likuidim në vitet në vijim prej rreth 9.3 miliard lekë”, theksohet në raport. Të dhënat tregojnë se në nivel bashkie, rreth 75% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 10 bashki. Nivelin maksimal të detyrimeve të prapambetura e ka bashkia Tiranë me rreth 3.9 miliard lekë ose 41.8% ndaj stokut total në fund të vitit 2017. Bashkia Lezhë renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 529.7 milionë lekë ose rreth 5.7% ndaj totalit. Në të kundërt, bashkia Dropull rezulton të mos ketë detyrime të prapambetura për periudhën e konsideruar. Raporti i financave vendore evidenton se detyrimet e prapambetura të bashkive u evidentuan në mënyrë sistematike duke filluar prej vitit 2015 në vijim të miratimit të VKM nr. 50/2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të planit të veprimit” dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 5/2014 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”.

 

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ishte rreth 11.8 miliardë lekë, vlerë kjo shqetësuese si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror. Shlyerja u këtyre detyrimeve, pjesërisht të krijuara nga ish-komunat që iu bashkëngjitën bashkive të reja në vijim të Reformës Territoriale Administrative, përbën barrë të qenësishme për buxhetet vendore. Në këtë kuadër, qeveria qendrore merr përsipër vetëm “shlyerjen e detyrimeve për punimet e kryera, por të papaguara në kuadër të financimeve nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, si edhe transfertat për përfitimet e paaftësisë. Të gjitha detyrimet e tjera financiare të njësive të qeverisjes vendore, që nuk përfshihen në sa më sipër, duhet të parashikohen në vetë buxhetet e njësive të qeverisjes vendore”.

E thënë ndryshe, bashkitë duhet t’i gjejnë vetë të ardhurat që të shlyejnë borxhet, jo vetëm ato që kanë krijuar vetë, apo edhe detyrimet që i trashëguan nga ish drejtuesit e pushtetit vendorë.

 

Vitin e kaluar, bëri shumë bujë lajmi se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka klasifikuar 13 bashki të vendit, ose 21 për qind e totalit të bashkive si borxhlinj të këqij ndaj të cilave do të nisë arkëtimi i detyrimeve me forcë. Sipas të dhënave të tatimeve, 9 nga bashkitë janë kualifikuar si borxhlinj të këqij pas hyrjes në fuqi të reformës territoriale. Detyrimet e bashkive ndaj tatimeve lidhen kryesisht me mospagesat e sigurimeve shoqërore të stafit e punonjësve. Sjellja në këtë mënyrë e bashkive rrezikon të krijojë probleme të rënda sociale në periudhat e mëvonshme duke rrezikuar pagesat e pensioneve për qindra punonjësit e sotshëm.

Borxhi tatimor është përkeqësuar vitet e fundit, por në veçanti edhe detyrimet e paguara për sigurimet shoqërore. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve kishte raportuar se në fund të vitit 2016 stoku i borxheve si pagesa të pabëra në kohë për sigurimet shoqërore arriti në 14.1 miliardë lekë. Nga kjo shumë rreth 2 miliardë lekë janë borxh i krijuar rishtas në vitin 2016. Nga institucionet shtetërore shihet se ka një mungesë korrektese për pagat e sigurimeve nga ndërmarrjet e ujësjellësit, bashkitë dhe disa agjenci rajonale.

Projekti STAR (Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale) në përfundim të 384 raporteve të kontrollit në ish-komunat dhe bashkitë e reja ka zbardhur detyrime të prapambetura në vlerën e 65 milionë euro në mesin e vitit të kaluar. Ky borxh ka shtuar detyrimet e shtetit shqiptar në të paktën 0.57% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministria e Financave, nga ana tjetër, ka miratuar një plan veprimi që i detyron Bashkitë të shlyejnë detyrimet deri në fund të vitit 2018. Por qeveria qendrore nuk është se po jep ndonjë shembull ndershmërie në drejtim të borxheve…

 

“Çudia” e euros, zbret poshtë nivelit të 127 lekëve

 

Euro ka vijuar rënien edhe gjatë ditës së djeshme, duke zbritur poshtë nivelit të 127 lekëve, për herë të parë që nga fillimi i shkurtit të vitit 2009. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 126.86 lekë, me një rënie prej 0.21 lekësh në raport me ditë e mëparshme. Kjo është e nënta ditë radhazi që euro humb pikë në tregun e brendshëm. Në total, për periudhën janar-9 maj, euro ka rënë ose ka mbetur e pandryshuar përgjatë 63 ditëve, ndërsa është rritur vetëm për 23 ditë.

Euro është ndikuar dhe nga rënia e saj në tregjet ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët ka zbritur në 1.18 dollarë, niveli m ëi ulët që nga janari. Ekspertët pohojnë se arsyet në afatgjatë vijojnë të mbeten të njëjta, ku faktori kryesor mbetet oferta e lartë për valutë, që vjen nga burimet informale, turizmi, investimet, pagesat e tasave nga bizneset, ulja e depozitave në valutë (në shkurt-prill stoku i depozitave në valutë ka rënë me rreth 80 milionë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë) etj. Në kahun tjetër, qarkullimi i parasë vendase mbetet i dobët.

 

Aktorët e tregut valutor pohuan se arsyeja që po ndikon ditët e fundit, përveç rënies së euro në bursa, lidhet dhe me gjallërimin e aktivitetit turizmit në vend, ku është konstatuar një shtim i fluksit të valutës nga turistët. Ata parashikojnë se tendenca do të vijojë të jetë rënëse, sidomos afër datës së pagesave së Tatimit mbi vlerën e shtuar dhe TVSH-së. Edhe në afat më të gatë, deri në periudhën e verës, tradicionalisht valutat dobësohen ndaj monedhës vendase.

Në të kundërt të euros, dollari në tregun e brendshëm ka pasur tendencë rritëse, duke reflektuar dhe mbiçmimin e tij në bursa. Një dollar u kuotua sot me 106.96 lekë, duke iu larguar nivelit më të ulët të 5 viteve, që u arrit pak javë më parë. Sipas ekspertëve, euro duket se po kalon njëri pas tjetrit të gjithë kufijtë psikologjikë. Përtej faktorëve të mirënjohur, duket se konsumatori shqiptar po vijon të bëjë të nëjtin gabim, si në periudhën 2008-2009, kur pa ndonjë shkak thelbësor tërhoqi një sasi të konsiderueshme depozitash në LEK dhe i konvertoi me sforco në EURO, duke i “hedhur më shumë benzinë”, zjarrit të kursit të këmbimit dhe zhvlerësuar LEK-un në atë periudhë më shumë se 12% në një vit.

Edhe gjatë 2 muajve të fundit, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kemi një ulje të depozitave në valutë me disa dhjetëra milionë EURO, të cilat pashmangshmërisht janë konvertuar në LEK, duke e përshpejtuar dhe forcuar edhe më shumë zhvlerësimin e EURO-s në treg. Konsumatori shqiptar duhet të tregohet shumë i qetë dhe të mos bjerë pre’ e instinktit të turmës dhe emocioneve të tregut, që do të thotë të mos veprojë në mënyrë irracionale, duke konvertuar pa arsye dhe nevojë depozitat në valutë, nëse ato fonde nuk janë të domosdoshme dhe kritike për t’u konvertuar në LEK dhe shpenzuar më tej.

Në këto kushte, pavarësisht faktit se askush nuki mund ta “thyejë” tregun, mendoj se ka hapësira që Banak e Shqipërisë të mund të konsiderojë ndërhyrje taktike stabilizuese në favor të EURO-s, që minimalisht qetësojnë tregun dhe i japin atij pak kohë të nevojshme për frymëmarrje dhe qetësi.

Lini nje pergjigje