Kredia e keqe, kryesojnë huatë për blerje të patundshmesh…

0

Kredia e keqe, kryesojnë huatë për blerje të patundshmesh.

Loading...

Niveli ende i lartë i kredive me probleme, që në fund të 2017-ës arriti në 13.2% po kushtëzon huadhënien e re për ekonominë, e cila sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, mbetet anemike. Por institucioni mbikëqyrës bankar ka zbardhur në Raportin e Stabilitetit Financiar se për çfarë janë dhënë kreditë e këqija, ato që nuk kthehen dot nga marrësit e tyre pavarësisht periudhës shumëvjeçare të lëvrimit të tyre. “Sipas qëllimit të përdorimit, peshën kryesore në stokun e kredive me probleme, brenda kredisë së pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, e zë kredia për ‘investime në pasuri të paluajtshme’ (57%), e cila gjatë periudhës u tkurr me 15%. Kjo lloj kredie klasifikohet në tre kreditë me nivelin më të lartë të raportit të kredive me probleme (rreth 15.1%), së bashku me kredinë dhënë për zhvillim biznesi (21.6%) dhe kredinë dhënë bizneseve për zhvillimin e pasurive të paluajtshme – rezidenciale (16.9%). Gjatë periudhës, vetëm raporti i kredive me probleme (RKP ) për kredinë për zhvillim biznesi shënoi rritje.

Nivelin më të ulët të RKP-së, nga kategoria e kredive të pambrojtura nga rreziku i kursit të këmbimit, e ka kredia konsumatore me 4.5%”, theksohet në raportin e BSH-së. Institucioni mbikëqyrës bankar vlerëson se rënia e stokut të kredive me probleme është shoqëruar me përmirësimin e treguesit të cilësisë së portofolit. Në fund të vitit që lamë pas, raporti i kredive me probleme shënoi 13.2% nga 15.6% në qershor të 2017-ës dhe 18.2% një vit më parë. Rënia e nivelit të kredive me probleme është rezultat kryesisht i fshirjes nga bilanci që bankat po u bëjnë këtyre huave, ndërkohë që vetëm një pjesë e tyre po ristrukturohet, me qëllim shlyerjen sipas termave të reja të marrëveshjes mes kredimarrësit dhe bankës përkatëse. “Brenda strukturës së kredive me probleme, si rezultat i ristrukturimeve, shyerjeve dhe kredisë së re, tepricat e kredive që bëjnë pjesë në kategoritë në “ndjekje” dhe “nënstandard” janë tkurrur me përkatësisht 14% dhe 17%; ndërkohë që, kredia në klasën “standard” u zgjerua me rreth 6%. “Kredia e klasifikuar ‘e humbur’, e cila zë peshën kryesore ose rreth 58% të kredive me probleme, është ngushtuar me 17% (rreth 10 miliardë lekë). Rënia ka ardhur kryesisht si pasojë e largimit të një pjese të kredive të humbura nga bilanci, në përmirësimin e cilësisë së kredisë, kontributin kryesor e kanë dhënë bankat e mesme dhe të vogla”, vlerëson Banka e Shqipërisë. Edhe pse ka pësuar rënie, niveli i kredive me probleme mbetet i lartë dhe konsiderohet një ndër elementët shqetësues të sistemit bankar, në monitorim të vazhdueshëm jo vetëm nga BSH, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN e Banka Botërore. Kjo pasi ky tregues po kushtëzon aktualisht bankat në politikat e tyre të kreditimit, që janë edhe financueset kryesore të ekonomisë.

Tiranasit, borxhinjtë më të mëdhenj

Banorët e Tiranës nuk ngurrojnë për të marrë një hua, si për të blerë një shtëpi, apo edhe për qëllime konsumatore, si makina, riparim shtëpie, blerje elektroshtëpiakesh, apo edhe telefonash celularë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për stokun e kredisë për individë sipas rretheve për numër banorësh tregojnë se huaja për banor në kryeqytet është 884 euro, gati tre herë më e lartë sesa qyteti i dytë që vjen më pas në listë, Durrësi. Në total, në Tiranë individët kanë për të kthyer në banka 101 miliardë lekë hua, ose rreth 780 milionë euro, sipas të dhënave që i referohen tremujorit të parë të vitit 2018. Rreth 70% të kësaj shume e zë huaja për blerje banesash (624 euro për frymë), që shënon një rritje të qëndrueshme vit pas viti. Kryeqyteti shqiptar po zhvillohet me shpejtësi dhe tregu i banesave është gjallëruar vitet e fundit, duke u reflektuar dhe në shtimin e borxheve që qytetarët kanë marrë për të pasur një shtëpi të vetën. Ai mirëpret dhe një numër të lartë banorësh që vijnë nga rrethet e tjera. Tiransit nuk kursehen as për huanë konsumatore, e cila arrin në 214 euro për banorë dhe është sa dyfishi i qytetit të dytë që vjen pas në renditje, që është sërish Durrësi. Në vend të dytë, durrsakët kanë 338 euro kredi për banor, 60% e të cilës ka shkuar për blerje banese. Të tretën janë vlonjatët me 244 euro për frymë, ku sërish 60% e kësaj shume ka shkuar për të blerë një apartament. Më pas vijnë shkodranët me 221 euro për frymë, 57% e të cilës është për blerje banese.

Pas tyre vijnë banorët e Lezhës, Fierit dhe Elbasanit, me përkatësisht 183, 152 dhe 152 euro për frymë. Të njohur si nikoqirë, korçarët nuk zhgënjejnë as në këtë rast. Ata janë më dorështrënguarit për të marrë një kredi, duke pasur nivelin më të ulët të huadhëniës për individë për frymë, prej 142 eurosh, që është 6 herë më e ulët sesa e banorëve të kryeqytetit. Ndërsa qyteti, banorët e të cilët marrin më shumë kredi konsumatore është Elbasani, me 42% të totalit të huasë që shkon për blerje makinash, apo qëllime të tjera përveç shtëpië. Në total, në fund të tremujorit të parë 2018, stoku i kredive që individët kishin marrë në banka ishte 170 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Me baza vjetore, stoku i huasë për individë është rritur me 5.2%, ku efektin më të madh e ka dhënë Tirana.

Ligji: Shtëpia e dytë mund t’u ofrohet me qira bashkive

Loading...

Lini nje pergjigje