Klajda Gjosha: 27 vende nuk mund te binden vetem me retorike politike

0

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, në një intervistë të dhënë sot për News 24, ka komentuar atë se çfarë pritet të ndodhë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, muajin e ardhshëm.

Loading...

Gjosha ka theksuar se deklarata e Ramës që nuk mund të bësh bashkë 27 liderët evropianë, ka një të vërtetë brenda sepse ata nuk binden vetëm me fjalë dhe retorikë politike, por me fakte dhe vepra konkrete.

Intervista / Flet Klajda Gjosha

Si e gjen Shqipërinë sot dita e Evropës, më pranë apo më larg?

Unë mendoj që kjo është një ditë e cila gjithmonë kujtohet me shumë admirim nga qytetarët shqiptarë, sepse është pjesë e aspiratës së madhe që ata kanë pasur ndër vite për tu bërë pjesë e kësaj familje. Dhe besoj që është e vetmja ditë që të gjithë ne mendojmë me racionalitet sesi duhet të veprohet dhe sesi duhet të ecet më tej, ku kemi gabuar dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria në fakt që të ecë me hapa edhe më të mëdha drejt Evropës. Ju bëtë një pyetje të drejtë, ne sapo kemi marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, patjetër që ky është një lajm i mirë si për politikën ashtu edhe për ti dhënë një mesazh pozitiv qytetarëve se procesi i zgjerimit vazhdon por kjo di të shikohet apo do të mund të kurorëzohet të themi në qershor. Besoj se qershori do të jetë ai që do të tregojë nëse Shqipëria po bën hapa para për të çelur negociatat dhe për te filluar një kapitull të ri në historinë e saj drejt Evropës apo do të bëjë një hap prapa për të rishikuar edhe njëherë punën që po bëhet me kushtet me prioritetet që kanë qenë këtu prej shumë vitesh nuk është se na janë servirur sot.

Pas Gjermanisë edhe Francës gjithashtu edhe deputetët holandez janë skeptikë, pse?

Unë po dëgjoja kryeministrin i cili tha se është më e lehtë, ndoshta është më e lehtë t’u drejtohemi SHBA për tu bërë pjesë e tyre sesa e BE. Sepse do duhet të bindi 27 koka. Në fakt është e vështirë të bindësh 27 koka kur bëhet fjalë për shumë llafe apo për një retorikë politike sepse kjo është fatkeqësisht ajo që ka servirur politika te vendet anëtare në shumë  e shumë vite dhe sidomos sot. Do të ishte shumë e thjeshtë të bindeshin këto vende anëtare nëse Shqipëria do të dorëzonte pranë tyre rezultatet konkrete, nëse do të bëhej një partner i besueshëm, sidomos në rolin e saj drejt sigurisë, se Ballkanit Perëndimor, sigurisë së Evropës që është një çështje kaq shumë e diskutuar sot dhe besoj që këtu kemi vendosur dhe pikëpyetjen më të madhe ku realisht një nga institucionet që do të duhej të luante rolin më kryesor për sigurinë e vendit por edhe për sigurinë Evropiane, sot edhe vetë është vendosur para një kontrolli të rreptë që është pikërisht Vettingu i policisë dhe kjo ka ndodhur sepse realisht ky institucion humbi besimin dhe kur i drejtohemi vendeve anëtare ata duan rezultate konkrete. Kur ata shohin që një pjesë e policisë së shtetit sot është në arrati. Kur ata shohin që një pjesë e policisë së shteti po mundohen të japin dorëheqjen nga gjithë procesi i Vettingut apo nuk dihet se cili do të jetë rezultati që do të prodhojë, do të thotë që Shqipëria ende ka një rrugë të gjatë për të bërë për të ndërtuar shtetin e të drejtës dhe për të pasur institucione funksionale që janë dhe themeli i një shteti demokratik.

Ç’farë faktesh mund të mbledhin deputetët holandez në 48 orë?

Unë mendoj që ata kanë ardhur më shumë të dëgjojnë palën shqiptare përsa i përket Reformës në Drejtësi, ecurisë së saj, implementimit që po bëhet nëpërmjet procesit të Vettingut, ata duan të shohin që kjo reformë nuk është në duart e një individi por është në duart, le të themi e të gjithë institucioneve përkatës që është pikërisht sistemi i drejtësisë apo të atyre njerëzve që kanë marrë në dorë gjithë kontrollin e prokurorëve dhe të gjyqtarëve dhe është shumë e vështirë për ta besuar këtë kur sot kemi një mazhorancë e cila dashur pa dashur flet në emër të drejtësisë. Ky është gabim i rëndë që bëhet shpesh herë si nga kryeministri ashtu edhe nga anëtarë të tjerë të mazhorancës kur flasin si prokuror apo si gjyqtarë për çështje të caktuara që janë dokumente bazë me të cilat duhet t ë merret vetë drejtësia dhe duhet të jetë ajo që të flasë për të treguar që nuk po ngrihet një sistem partiak edhe në sistemin e drejtësisë. Ata kanë ardhur të shohin se çfarë po bëhet me grupet kriminale në Shqipëri, se çfarë po bëhet për të ndaluar trafikimin e drogës dhe jo vetëm të kanabisit por edhe të kokainës që tashmë është bërë pjesë e një rrjeti trafikantësh shqiptar që kanë ndaluar shpeshherë në portat e vendeve evropiane. Dhe kjo ka përbërë një rrezikshmëri të lartë edhe për vetë sigurinë e këtyre vendeve. Është për të ardhur keq sepse ata nuk shikojnë vetëm raportin e Komisionit Evropian.

Në fakt pse nuk është i mjaftueshëm raporti për këto vende?

Nuk është i mjaftueshëm sepse gjithmonë ata kanë burimet e tyre të informacionit, kanë grupet, ekspertët e tyre që vizitojnë Shqipërinë, apo institucionet e inteligjencës që janë pranë vendeve anëtare ku ata marrin një informacion që është shumë i besuar, por mos harrojmë që ata bëjnë edhe një analizë me institucionet shqiptare. Dhe këtë e kanë në mënyrë bilaterale, të drejtpërdrejtë, ndaj edhe shpeshherë raporti i Komisionit Evropian është vetëm një dokument për ta dhe ata do duhet të konsultohen më tej për të parë nëse këto fakte përputhen edhe me informacionin që ata kanë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ju keni qenë ministre e Integrimit. A ka pasur sinjale edhe më parë nga këto vende, apo këto dyshime kanë lindur tani?

Ka pasur gjithmonë, jo vetëm një skepticizëm, por këto janë vende që janë shumë strikte kur bëhet fjalë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, administratën publike, të drejtat e njeriut. Ju përmendët Francën, azilkërkuesit kanë qenë një çështje e ngritur gjatë gjithë këtyre viteve. Vazhdon edhe sot mbetet një proces që nuk i është dhënë një zgjidhje, ende nuk e kemi ulur numrin e azilkërkuesve deri aty ku ata kanë kërkuar. Ndaj edhe puna e institucioneve shqiptare duhet të jetë shumë më e madhe. Është çështje besueshmërie dhe partneriteti, në mënyrë që ata të thonë që Shqipëria është gati për çeljen e negociatave.

Çfarë hapash duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare deri në qershor?

Do kisha dashur që që në momentin që u dorëzua raporti i Komisionit Evropian të bëhej një analizë e thellë e atij raporti, sepse është e lehtë të lexosh vetëm faqen e parë të tij. Në përgjithësi në fillim këto raporte përmbajnë ato aspekte pozitive të ecurisë së vendit, por po të shohim në brendësi, ka një problematikë të madhe. Ka jo vetëm rekomandime por edhe mënyra se si duhet të shkojnë institucionet shqiptare për t’i zgjidhur këto çështje apo problematika të mbartura. Nëse do të kishte një analizë të mirëfilltët, një seriozitet, një komunikim të drejtpërdrejtë dhe një koordinim shumë të mirë të institucioneve unë besoj që do të kishte rezultate, të cilat do të servireshin më pas në tryezat e këtyre vendeve anëtare, të cilat mezi presin të shohin raste dhe rezultate të prekshme.

Krahas qeverisë, opozita çfarë duhet të bëjë deri në qershor?

Besoj se opozita ka luajtur një rol mjaft konstruktiv dhe këtë ia kam komunikuar edhe Kristian Danielson, i cili ka vizituar Shqipërinë, është një nga përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian, të cilin e kam falënderuar edhe për gjithë mbështetjen dhe punën që ai ka bërë për vendin tonë. Ka luajtur një rol thelbësor sepse është hera e parë që politika flet njëzërasi. Pra, ne kërkojmë çeljen e negociatave pa kushte për Shqipërinë. Të gjithë ne do t’i ushtrohemi një ushtrimi që do të jetë i vështirë, por do të jetë një kirurgji për çdo sektor. Këtë e ka përmendur edhe vetë përfaqësuesja e delegacionit evropian. Do të shohim një përafrim legjislacioni që përkthehet në më shumë standarde për Shqipërinë, ndaj dhe ne kemi folur të gjithë me një zë kur vjen puna tek negociatat. Të paktën me palën ndërkombëtare opozita ka qenë gjithmonë një kërkuese e fortë e çeljes së negociatave. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Sa herë i jemi afruar një vendimmarrjeje për procesin e integrimit, kanë qenë shpeshherë opozitat që janë bërë pengesë. Opozita ka qenë pjesë e parlamentit, pra nuk i ka bojkotuar  institucionet dhe besoj që është një mesazh i qartë që ne e respektojmë tashmë atë institucion. Lufta politike duhet të ndodhë në atë foltore të atij institucioni demokratik, aty ku na kanë zgjedhur qytetarët shqiptarë për t’i përfaqësuar. Për të mos harruar votimin e opozitës të reformës në drejtësi me 140 vota.

Në këto kushte, a rrezikon Shqipëria mos hapjen e negociatave?

Unë jam pak skeptike për qershorin duke parë tashmë se vendet anëtare kanë filluar të shprehen. Gjermania ka folur, gjithashtu dhe Holanda pas takimit që ka pasur me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe me opozitën. Ata janë shprehur sipas mendimit të tyre se si e shohin çeljen e negociatave. Mua më ka ardhur keq të dëgjoja që Shqipëria nuk është ende gati. Me thënë të drejtën unë kam qenë tek ata personat që ka thënë se procesi do e bëjë gati Shqipërinë e të gjitha etapat e tjera që duhet të ndjekim sepse procesi i integrimit është jetik për vendin tonë. Është jetik për një vend që nuk e ka pasur kulturën gjithë këto vite për të ndërtuar shtet dhe institucione. Ky është i vetmi rrugëtimin që na fut në binarët e mënyrës se si duhet të funksionojë një shtet demokratik. Pra, është e vetmja dritë jeshile.

A ka qenë një kusht i këtyre vendeve çështja Tahiri?

Unë nuk e di se çfarë kanë diskutuar vendet anëtare me përfaqësuesit e qeverisë. Nuk kam qenë e pranishme dhe nuk dëshiroj të aludoj. Ajo që kam thënë gjithnjë është që për çështjen Tahiri duhet të flasë drejtësia. Nuk na takon ne për të folur për këtë çështje, është apo jo e implikuar. Megjithatë, ka pasur një moment që ka shkaktuar një tronditje tek vendet anëtare, momenti kur politika nuk e la drejtësinë të vepronte dhe t`i hiqte imunitetin z. Tahirit, atë që kërkonte Prokuroria në muajin tetor. Besoj që ky ka qenë momenti kyç kur politika ka bërë një ndërhyrje të thellë në sistemin e drejtësisë dhe ky nuk ka qenë një mesazh i mirë për vendet anëtare.

Sa i përket qëndrimit që keni me parlamentit, PD ka thënë se do të jetë i kushtëzuar. Ju si LSI, çfarë qëndrimi keni?

Ne kemi qenë pjesë e të gjitha seancave parlamentare dhe pjesë e komisioneve. Ne do jemi aty sepse besoj që lufta politike bëhet përmes institucioneve dhe ky është i vetmi mjet demokratik që na ka dhënë Kushtetuta dhe populli shqiptar. Ne besojmë që procesi i integrimit është i vetmi që mund ta lehtësoje vendin nga e gjithë kjo situatë e mbingarkuar që në fakt i ka humbur shqiptarëve shpresën.

Loading...

Lini nje pergjigje