Standard.al

E cilësoi vdekjen e djalit të shkrimtares, DREJTESI/ Ftohet në Opinion psikologia që TRONDITI shqiptarët…

0

Statusi në rrjetet sociale i një psikologeje pas vdekjes në moshën 18-vjeçare të djalit të shkrimtares Flutura Açka, ka tronditur shqiptarët duke u kthyer në një prej temave më të diskutuara të dy ditëve të fundit.

Për shkak të ndjeshmërisë dhe jehonës së madhe në rrjetet sociale, postimit të psikologes Genta Kaloçi, e cila njëkohësisht aderon në Partinë Komuniste, iu kushtuan disa minuta këtë të martë edhe në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Tv Klan.

Në statusin e saj, Kaloçi jo vetëm që nuk ka gjetur dhimbje në statusin e saj, por e ka cilësuar vdekjen e djalit të shkrimtares si një ndëshkim të merituar që ajo duhet të përjetojë për shkak të qëndrimeve të saj antikomuniste.

“Fatkeqësi? Jo. Drejtësi? Po. Ashpërsi? Mbase për disa. Açka, Zhiti, Ngjela, Peka, Velo, etj, etj si këta sperma të prishura përse Natyra i godet me shfarosje të farës, fëmijëve të parë dhe të vetëm, pikërisht atëherë kur mendojnë se kanë siguruar pasardhësin e tyre dhe gjoja kanë përjetuar prindërimin e budallikut e injorancës së tyre? Përse pasardhësit e kollosit nuk i ka goditur fati me fatkeqësi natyrore (përveçse me padrejtësi e krime njerëzore)!? Asgjë nuk është rastësi. Mendojeni këtë variant kaq të thjeshtë, se kuptimi i së drejtës dhe jetës fshihet në këto raste e detaje kaq të thjeshta. Gjithçka shpaguhet në jetë, sidomos mosmirënjohja dhe padrejtësia kur i jep gojës para mendjes”, shkroi Kaloçi një ditë pasi shkrimtarja Flutura Açka kishte njoftuar vdekjen e të birit adoleshent.

I pyetur nga Fevziu lidhur me këtë çështje, prezantuesi i “Stop”, Saimir Kodra, tha se “është gjëja më perverse, më e shëmtuar që mund të thotë goja e një femre. Në fakt kjo nuk meriton të quhet as femër. Është shumë irrituese, është shumë e shpifur. Fakti që kjo vajzë është pjesë e administratës shqiptare, shërben dhe shkruan gjëra të tilla, është tmerr. Nuk e kuptoj se pse deri sot nuk ka një përgjigje diku që e kanë marrë në një test këtë vajzë për të thënë është mirë nga trutë e kokës apo jo?”

Po kush është Kaloçi? Ajo ka lindur në qytetin e Beratit, ka përfunduar studimet për psikologji në Nju Jork dhe Greqi, ushtron aktivitetin e saj si psikologe në Shqipëri që prej vitit 2010, kryesisht në gjykatë dhe në institucionet e paraburgimit.

Kaloçi ishte e ftuar në Opinion të martën, por e ka refuzuar ftesën duke u përgjigjur se ishte e zënë dhe nuk kishte kohë për ftesa të tilla. /tvklan.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.