“Plas bomba” Prokuroria sekuestron kantierin e gazsjellësit TAP!

0

“Plas bomba” në Pulja: Prokuroria sekuestron kantierin e gazsjellësit TAP!

 

Prej kohësh po citohet nga të gjitha agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit ekonomiko-financiar dhe ekspertët e ekonomisë si një nga dy projektet, që po mban gjallë Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë këto vitet e fundit. Fjala është për Gazsjellësin TransAdriatik (TAP). Të gjithë bashkohen në një gjykim të vetëm: kur të përfundojë ky objekt, do të jetë e vështirë për kryeministrin Rama apo për kreun e Ekonomi-Financave Ahmetaj që të gjejnë diçka për të shtyrë PBB-në. Por kohët e fundit, nga kjo ndërmarrje po vijnë sinjale negative, që mund t’i japin një goditje të fortë gjithë projektit, duke lënë më gisht në gojë edhe qeverinë shqiptare. Nuk do të jetë ky rasti i parë i investimeve që mbeten të bllokuara, siç janë psh TEC-i i Vlorës, apo interkonjeksioni me Kosovën, etj. Por këtë herë duket se gjynahet i ka vetë TAP-i.  Kompania, sipas mediave italiane, i ka shkelur aq shumë ligjet e atij vendi, ku parashikohet gjithashtu të shtrihet tubacioni, saqë ka hyrë në lojë Prokuroria, duke sekuestruar kantierin e saj.

 

Ja ç’referojnë gazetat kryesore të përtej-Adriatikut

Prokurori i Leçes urdhëroi sekuestrimin e kantierit të TAP për shkak se ka abuzuar, duke shkelur ligjet që rregullojnë sektorin mjedisor në Itali. Bllokimi është bërë për arsye se TAP ka arritur të përfitojë një leje mjedisore nga qeveria italiane për punime në një terren prej 60 hektarësh në Melendunjo të Leçes, duke mos respektuar disa ndalime që ekzistonin në kryerjen e punimeve. Clara Risso, përfaqësuese ligjore e TAP-it, është nën hetim për punime të kryera pa autorizim, shkatërrim dhe shëmtimin e pasurive natyrore, shkatërrimin apo dëmtimin e pemëve drufrutorë dhe ndërtimin pa leje në zona, në të cilat është në fuqi kufizimi për ndërtimet. Akti i sekuestrimit mban firmën e kryeprokurorit Leonardo Leone De Castris dhe prokurores Valeria Farina Valaori. Bllokimiu krye pas një denoncimi të paraqitur të martën nga tre deputetë të Lëvizjes 5 Yjet, Diego De Lorenzis, Daniela Donno dhe Leonardo Donno, pas vizitës në terren të hënën. Po atë ditë, prokurori publik autorizoi një inspektim të karabinierëve dhe sekuestrimin e dokumenteve.

Çështja ka të bëjë me dëmtimin e një peisazhi mesdhetar, burim të ardhurash nga turizmi, të lejuar nga Ministria për Zhvillim Ekonomik, e cila më 14 mars miratoi kërkesën e paraqitur nga kompania për të hequr ullinj shekullorë nga rrënjët dhe për t’i mbjellë ata në vende të tjera, por në një sezon kur pemët dëmtohen nga një ndryshim i vendit të mbjelljeve. Jo vetëm që kompania i ka spostuar ullinjtë në kohën e gabuar, çka rrezikon që ata të thahen përfundimisht, por, nga ana tjetër, nuk ka respektuar as rregullat e tjera fito-biologjike, sipas të cilave, kur pemët e rritura nxirren nga toka, ato duhet të shoqërohen me shumë dhe nga zona e mbjelljes, ndërkohë që punimet e TAP-it duket se u kanë lënë atyre vetëm rrënjët e zhveshura.

 

Sipas dokumentit të kryeprokurorit të Leçes, duket se në rrezik janë 448 pemë ulliri, që largohen për t’u hapur vend punimeve për ndërtimin e mikro-tunelit të tubacionit në tokë. Konfiskimi u krye nga karabinierët e Leçes. Për një kohë të gjatë, kompania e gazsjellësit TAP ka fituar të gjitha betejat me ambjentalistët dhe pushtetin lokal në zonën e Puljes, duke vijuar me projektin. Ndërkohë, gjithë zona e Salentos herë pas here ka organizuar protesta, shpesh të dhunshme, për t’i thënë jo gazsjellësit TAP që parashikohet të lidhë Shqipërinë me Italinë dhe që do të dalë në brigjet e San Foca-s. Qytetarë, anëtarë të shoqërisë civile, eksperte, zyrtarë të Komunës, janë bërë të gjithë bashkë dakord për një “kundër raport”, që thekson të këqijat e këtij projekti. Ata u kanë bërë një apel edhe parlamentarëve të Puglias, të cilëve u kanë kërkuar të “dëgjojnë zërin e tokës”. Pjesmëmarrësit në këtë takim të thirrur nga Qytetarët Aktivë dhe Transparencën e Rajonit të Puglias, kanë theksuar në një letër se, “popullsia ka dhënë edhe një herë fjalën e saj kundër projektit TAP, (gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline), duke demonstruar edhe faktin se, nuk është një vepër strategjike, por që shkatërron ambientin dhe ekonominë e zonës”. Në letër theksohet se turizmi, peshqit, pasuri nënujore dhe kultura e territorit janë jashtëzakonisht nën rrezik për shkak të gazsjellësit, që nga Shqipëri shkon në Itali.  Qytetarët, komitetet, shoqatata, adminsitrata komunale dhe ekspertët në Puglia janë kundër këtij projekti.

 

Në Shqipëri

Ndërkohë, TAP nuk duket t’i ketë punët mirë as në vendin tonë, pavarësisht se vijon me shtrirjen dhe saldimin e tubacioneve. Herë pas here, dalin të dhëna shqetësuese nga ecuria e punimeve të saj. Kështu psh, u trumbetua me shumë bujë fakti se segmenti problematik që lidh qytetin e Fierit me bregdetin e Semanit ka filluar të asfaltohet, pikërisht nga TAP, por punimet që zgjasin prej muajsh kanë vështirësuar qarkullimin. Pluhuri dhe segmentet pa asfalt vende – vende i detyrojnë automjetet të ngadalësojnë shpejtësinë dhe të mbyllin dritaret. Rruga ndodhet në gjendje të mjerueshme prej 15 vjetësh. Por dhe ky shtrim është i përkohshëm, dhe po kryhet nga kompania TAP për nevojat e saj. Segmenti rrugor që po rikonstruktohet ka një gjatësi prej 5.5 kilometrash nga 18 km që është e gjithë rruga Fier- Seman. Kostoja e investimit kap vlerën prej 1 milion euro. Pak ditë më parë ky aks u përfshi në fondin që Banka Botërore do të japë për rehabilitimin e disa rrugëve në Shqipëri, por deri në zbatimin e projektit madhor dhe me sezonin turistik në prag, banorë e pushues do të vazhdojnë ta kenë të vështirë lëvizjen në këtë aks.

 

Duket se TAP po e bën shekl e shko këtë punë të premtuar.

Ndërkohë, më parë është bërë e ditur se punimet që kryhen për llogari të gazsjellësit TAP kanë shkaktuar dëmtimin e rrugës nga “Ura e Floqit” e deri në Vithkuq. Në shumë vende asfalti u dëmtua dhe janë harkuar edhe muret mbajtës, duke rrezikuar shembjen e tyre dhe prishjen e rrugës. Sipas banorëve, kjo rrugë nuk është ndërtuar për të mbajtur mjete tepër të rënda, për këtë kanë kërkuar që të merren masa për riparimin e saj por edhe për sigurimin e qarkullimit të këtyre mjeteve që përbëjnë rrezik për vete banorët.

 

Po kështu, banorët e njërit prej fshatrave ku do të kalojë gazsjellësi TAP kanë protestuar duke kërkuar dëmshpërblim për tokat. Në fshatin Ullinjas të Beratit, banorët kanë bllokuar punimet për gazsjellësin. Ata janë ankuar se përveç dëmshpërblimit të padhënë, u është shkatërruar rruga dhe ura e vetme e cila i lidh me pjesën tjetër të fshatit. Kurse banorët e fshatit Dermenas kanë bllokuar disa herë rrugën nacionale Fier – Seman, në shenjë proteste ndaj kompanisë qe shtron tubacionet e gazsjellësit TAP. Banorët pretendojnë se firma u ka shkatërruar rrugën me mjetet e saj të rënda.

 

Ndërkohë, TAP duket se ka edhe probleme të brendshme në nivelin e lartë ekzekutiv. Nga burime të brendshme të shoqërisë, mësohet se ka dhënë dorëheqjen edhe drejtori i radhës në zyrën e TAP Albania. Drejtuesi i nivelit të lartë largohet në momentin kur akoma nuk është emëruar Drejtori Vendor i TAP Albania, pozicion ky vakant që nga fundit i 2017-ës. Megjithëse ky pozicion u plotësua përkohësisht nga Menaxheri Komercial, ky i fundit u zëvendësua nga Drejtori aktual i Italisë. Këto probleme evidentohen pas apo aspak nga ana e kompanisë TAP dhe sidomos nga ana e mediave shqiptare, ndryshe nga ato italiane. Por informacioni nuk mund të mbahet i fshehur me dhunë apo me miklime. TAP duhet të përgjigjet deri në një për të gjitha ato raste kur cenon ligjet e shteteve ku kalon. Fatkeqësisht, Shqipëria është shumë larg Italisë…

Lini nje pergjigje